Universiteti i Prizrenit dhe ai i Sarajevës më marrëveshje bashkëpunimi

Prizreni

Universiteti i Prizrenit dhe ai i Sarajevës më marrëveshje bashkëpunimi

Më: 16 janar 2017 Në ora: 20:06
Marrëveshja akademike është nënshkruar sot në mes të Rektorit të UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe Rektorit të US, Prof. Dr. Rifat Skrijelj.

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sarajevës. Marrëveshja akademike është nënshkruar sot në mes të Rektorit të UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe Rektorit të US, Prof. Dr. Rifat Skrijelj.

Udhëheqësit e të dy universiteteve e vlerësuan lartë arritjen e kësaj marrëveshje akademike, ku në bazë të marrëveshjes, bashkëpunimi do të zbatohet përmes rrjetëzimit dhe shkëmbimit reciprok të mësimdhënësve, personelit të kërkimit, studentëve dhe stafit tjetër për ligjërata, vizita dhe shkëmbimin e përvojave.

Po ashtu marrëveshja parasheh pjesëmarrjen e përbashkët dhe aplikimin për fonde të caktuara për arsimin, kërkimin dhe aktivitetet artistike; aktivitete të përbashkëta arsimore, trajnuese ose kërkimore; organizimin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve, kurseve, shkollave verore, seminareve dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët; shkëmbimin e literaturës profesionale, teksteve mësimore dhe publikimeve të tjera universitare; shkëmbimin e informacionit në fushat me interes për të dy palët; organizimin e programeve të përbashkëta të studimit dhe aktivitete të tjera me interes të përbashkët.

Rektori Vataj me këtë rast theksoi se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, pasi që në UPZ krahas gjuhës shqipe studimet organizohen në disa drejtime edhe në gjuhën boshnjake dhe studentët nga ky komunitet, por edhe të gjithë studentët e tjerë, do të kenë mundësi të vijojnë studimet në nivele të ndryshme në Universitetin e Sarajevës. Ai shtoi se bashkëpunimi do të jetë i gjithanshëm më këtë universitet dhe e falënderoi Rektorin Skrijelj për gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar me UPZ-në në fushat akademike.

Ndërkaq edhe Rektori i Universitetit të Sarajevës, Rifat Skrijelj e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje duke theksuar se ata do të jenë të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat akademike të interesit të ndërsjellë dhe duke shprehë gatishmërinë që studentët boshnjak në UPZ, por edhe të përkatësive të tjera do t’i kenë dyert hapur në US për vijimin e studimeve master ose në nivel të doktoraturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat