Bizneset janë promotor i bashkimit kombëtar

Prizreni

Bizneset janë promotor i bashkimit kombëtar

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 16:15
Forumi Ekonomik Kosovë-Shqipëri që u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Vetëm nëpërmjet heqjes së kufirit ekonomik Kosova dhe Shqipëria mund të bashkohen.

Kështu u tha sot në Prizren në Forumin Ekonomik Kosovë-Shqipëri që u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës Avdullah Hoti tha se Shqipëria dhe Kosova i paraprijnë listës së zhvillimit ekonomik në rajon por edhe në Evropë.

 Ai theksoi se dy vendet kanë potencial për zhvillim më të theksuar ekonomik dhe se ky potencial nuk është duke u shfrytëzuar në mënyrën e duhur deri tani, andaj edhe duhet që ekonomitë e dy vendeve të plotësojnë njëra -tjetrën.

Hoti: Shqipëria dhe Kosova i prin listës së zhvillimit ekonomik në rajon

“Kosova e para, Shqipëria e dyta, Shqipëria e para, Kosova e dyta, në tre deri në katër përqind rritje ekonomike. Kemi potenciale shumë të mëdha për rritje ekonomike por e mbajmë qe disa vite, tre-katër vitet e fundit e mbajmë në krye të listës për nga zhvillimi ekonomik. Unë  besoj që nuk jemi duke i shfrytëzuar potencialet që kemi, për aq sa unë kam njohuri për bizneset dhe ju jeni njerëz të biznesit ka shumë sektorë dhe fusha ku dy ekonomitë janë komplementare, nëse në asnjë gjë tjetër në turizëm dhe në bujqësi. Po krijojmë mekanizma që të dy ekonomitë tona të plotësojnë njëra-tjetrën. Ne po jemi të sinqertë por shumë fqinjë tanë nuk po janë shumë të sinqertë në respektimin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe kjo po na shkakton mosmarrëveshje”, tha Hoti.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Safet Gërxhaliu, tha se Forumi i Parë Ekonomik që po ndodh mes Kosovës dhe Shqipërisë promovon dhe zgjon ndjenjën kombëtare për të zhvilluar bashkëpunimet ekonomike mes këtyre dy vendeve.

 Ai theksoi se ekonomia duhet të jetë faktori që bashkon më shumë Kosovën dhe Shqipërinë në mënyrë që të mos janë  konkurrentë, por të zhvillohen ekonomia  në mënyrë reciproke.

Gërxhaliu: Kosova dhe Shqipëria duhet të orientohen ne bashkëpunim ekonomik

“Po ndodh e tëra kjo në një moment mjaft të rëndësishëm edhe historik edhe hapësinor. Është 120 vjetori i themelimit të Dhomës  të Drejtësisë dhe Industrisë në Tiranë, është 55 vjetori i themelimit dhe funksionimit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe është 9 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kur kësaj i shtohet fakti që po mbahet në Prizrenin historik, është një kontribut i veçantë që e  promovon dhe zgjon ndjenjën kombëtare, është e vërtet që viteve të fundit bashkëpunimi ekonomik dhe raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë më tepër të mbuluar me agjendë politike. Jemi të vetëdijshëm për kontributin që ka dhënë Shqipëria në këtë drejtim, për t’i mbështetur sukseset e Kosovës, besoj që ka ardhur koha për t’u orientuar në bashkëpunim ekonomik. Ekonomia duhet të jetë ajo që na ofron edhe më tepër, është e vërtet që nuk d uhet të llogaritemi si konkurrentë në ofrimin e shërbimeve të produkteve. Por, jemi ekonomi komplementare dhe besoj që takime të tilla dhe avancimi i dialogut të tillë duhet ti përshpejtoj proceset dhe avancoj proceset e bashkëpunimit ekonomik”, tha Gërxhaliu.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka tha se investimet në sektorin ekonomik në Shqipëri dhe në Kosovë janë të standardit më të lartë se ai i Bashkimit Evropian, andaj edhe duhet të ndërpritet paragjykimi për cilësinë e produkteve tona.

Ai theksoi se, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen përmes hartimit të një plani strategjik i cili heq taksat mes dy vendeve në mënyrë që ekonomia të ketë një zhvillim enorm.

Jaka: Duhet hartuar një plan strategjik për heqjen e taksave mes Kosovës dhe Shqipërisë

“Unë iu siguroj për një gjë se si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, investimet e bëra në sektorë të ndryshëm të prodhimit, investimet e bëra edhe në sektor të shërbimeve jo vetëm që janë brenda çdo lloj standardi të Bashkimit Evropian, por janë në cilësi më të lartë se ai standard, jo për arsye se ne jemi më të mirë se ata po për vet arsyen  e mos zhvillimit në kohën e duhur dhe të zhvillimit tonë në kohën e një teknologjie dhe në kohën moderne. Kjo na ka bërë që ne ta kemi përparësi këtë lidhur me investimet tona në sektorin e shërbimeve dhe prodhimeve tona. Shqipëria dhe Kosova bashkohen vetëm nëpërmjet heqjes së kufirit ekonomik, a është e mundur që të hartojmë një plan strategjik për unifikimin e heqjes së taksave, për heqjen çdo lloj barriere, për krijimin e magazinave të përbashkëta, a është e mundur të sensibilizojmë  konsumatorin tonë qà « nuk është e paktë. Është 7 milionë e 200 mijë euro , është një peshë specifike që jo vetëm që na bën të rëndësishëm për produktin që ofrojmë, por na bën konkurrues rajonal”, tha Jaka.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se shuma që Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë mes vete arrin deri në 200 milionë euro, mirëpo kjo shumë duhet të dyfishohet, sepse siç tha ai Kosova dhe Shqipëria janë më të afërta edhe në aspektin gjeografik andaj edhe duhet të jenë edhe në atë ekonomik.

Minxhozi theksoi se, duhet zgjidhur problemi i certifikimit të produkteve shqiptare, andaj edhe duhet që patjetër të pranohen produktet vendore mes dy vendeve, si dhe të reduktohet burokracia sepse sipas tij, është e tepërt.

Minxhozi: Produktet e prodhuara në Shqipëri dhe anasjelltas duhet të pranohen në vendin tjetër

“ Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë mes vete rreth 180 milionë-200 milionë euro. Ky  nuk është kufiri ky është një minimum që ne duhet ta kapërcejmë të paktën me dyfishim, të vlerës së shkëmbimit të produkteve mes dy anëve të kufirit. Nuk ka asnjë vend më afër Kosova edhe nga pikëpamja gjeografike nga pikëpamja e kilometrave se sa  Shqipëria, dhe po të njëjtën gjë Shqipëria me Kosovën. Problematikë e madhe mbetet certifikimi i produkteve shqiptare si këtu si në anën tjetër të kufirit, autoritetet e cilësisë pavarësisht hapave që kanë bërë përpara prapë prodhojnë burokraci. Një produkt i prodhuar në Shqipëri doemos duhet të jetë i pranuar në Kosovë dhe anasjelltas, kërkohen shumë letra, nga njëherë kërkohen më tepër letra për produktet që prodhohen në Shqipëri e në Kosovë se sa ato që prodhohen në Bashkimin Evropian”, tha Minxhozi.

Ai ka theksuar se bizneset janë promotor i bashkimit kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat