Dy policë pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti

Prizreni

Dy policë pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 14:00
Policia e Kosovës

18 policë u deklaruan të pafajshëm, ndërsa dy pranuan fajësinë në gjykimin për marrje ryshfeti në autostradë.

Dy nga njëzet zyrtarët policorë të akuzuar për marrje ryshfeti u deklaruan fajtorë në Gjykatën e Prizrenit.

Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani thanë se pranojnë fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Buzhala akuzohet për tri vepra penale të marrjes së ryshfetit dhe Elshani për dy vepra penale të marrjes së ryshfetit.

Prokurori Genc Nixha tha se nga ky pranim fajësie po vërtetohen provat dhe faktet në aktakuzë.

“…Përkundrazi, shumë pozitive, nuk e kundërshtoj pranimin e fajësisë”, tha prokurori Nixha.

Kastriot Memaj, avokati i Muhamet Buzhalës tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar vullnetarisht fajësinë

“…pranimi i fajësisë është bërë vullnetarisht nga ana e të mbrojturit tim në konsultim me mbrojtjen dhe i njëjti është I vetëdijshëm për pasojat e fajësisë” , tha avokati Memaj.

Alush Elshani, i akuzuari tjetër që pranoi fajësinë është deklaruar se do të mbrohet vetë.

Pastaj Artan Sejrani, kryetari i trupit gjykues ua kujtoi 18 zyrtarëve tjerë policorë që u deklaruan të pafajshëm që duhet të paraqesin kundërshtimin e aktakuzës.

“…të pandehurit të cilët janë deklaruar të pafajshëm dhe mbrojtësit e tyre që në shqyrtim ata duhet të paraqesin kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe të paraqesin kundërshtimet lidhur me papranueshmërinë e provave”, tha Sejrani.

Përveç Muhamet Buzhalës e Alush Elshanit, të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë edhe Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gërguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Prokuroria e Prizrenit në aktakuzë , përcjell kallxo, pretendon se policët gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova” kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave, deri në qindra euro, të cilat më pas i kanë ndarë mes vete në mënyrë proporcionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat