LDK synon ta kthejë Prizrenin me kandidatin Hatim Baxhaku

Prizreni

LDK synon ta kthejë Prizrenin me kandidatin Hatim Baxhaku

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 00:12
Hatim Baxhaku

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, tashmë deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se nuk do të jetë ai kandidat i kësaj partie për garën për Prizrenin.

Ai ka thënë se LDK-ja do të kandidojë Hatim Baxhakun për kryetar të Prizrenit, të cilin e cilëson jo vetëm si kandidat serioz por mbase fitues të padiskutueshëm në Prizren.

“Zoti Baxhaku është doajen i kirurgjisë në Prizren, doktor jashtëzakonisht i respektuar madje edhe nga oponentët politikë në Prizren. Është një kandidat serioz, për të mos thënë se do ta kemi të sigurt fitoren”, ka thënë Avdyli në Interaktiv.

Hatim Baxhaku ka qenë për dy mandate deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa partia e ka lënë jashtë garës edhe për një mandat deputeti. Baxhaku kishte refuzuar t’i bindet urdhrave të partisë për ta votuar Hashim Thaçin president, duke votuar kundër. Ai ishte shprehur edhe kundër mënyrës se si Kosova ka demarkuar kufirin me Malin e Zi, të cilin LDK-ja po e përkrahte.

Por sipas Avdylit, nuk janë këto kapital i cili i garanton fitoren në Prizren, por janë vlerat e tij individuale dhe respekti që ai gëzon në qytetin e vjetër, raporton Koha.net. Zgjedhjet lokale janë caktuar të mbahen më 22 tetor. Shumica e partive ende nuk ka zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë komunash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat