Prizreni po shndërrohet në një galeri të hapur

Prizreni

Prizreni po shndërrohet në një galeri të hapur

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 19:11
Ekspozita ndërkombëtare, e cila do të jetë si galeri e hapur deri më 23 shtator.

?Me temën “E ardhmja e kufijve”, sot në vende që mund të quhen monumente të Prizrenit është hapur ekspozita ndërkombëtare, e cila do të jetë si galeri e hapur deri më 23 shtator.

Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor.

Përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë.

Leotrim Fishekqiu, bashkëorganizator i Autostrada Biennale, tha se tema për këtë edicion i cili është edhe i pari është “ E ardhmja e kufijve” dhe çdo gjë që do të mbahet gjatë kësaj periudhe ka të bëjë me temën.

Fishekqiu: Aktivitetet do të mbahen në monumentet e Prizrenit

“Tema të cilën e kemi zgjedh është “E ardhmja e kufijve”, dhe të gjitha aktivitetet, përzgjedhje e artistëve, dhe çka do që është bërë deri tash dhe që do të mbahen edhe aktivitete të tjera në të ardhmen e afërt kanë të bëjnë me temën e edicionit. Sot jemi në një hapësirë shumë të veçantë që është Hamami i Prizrenit, një hapësire e trashëgimisë kulturore, dhe ashtu i kemi edhe tre hapësira tjera, të cilat janë Kalaja e Prizrenit, hidorelektrana dhe muzeu i Arkeologjisë. Ato katër hapësira të cilat janë në një far mënyre edhe monumente, janë autostrada e bienales, po ashtu kemi 4 shtëpia, të vjetra të cilat janë shndërruar në galeri gjatë periudhës Austrada Biennale”, tha ai.

Si kuratori dhe kritiku i artit nga Tajlanda, Manray Hsa, tha se vetë qyteti i Prizrenit është mjaft inspirues duke pas parasysh se është qytet shumë i vjetër, por që është prekur sado pak nga modernja.

Hsu: Qyteti i Prizrenit është inspirues

“Ekspozita është ndërhyrje në periudhat e ndryshme të qytetit. Është një ndërhyrje ne kufijtë e kohës gjithashtu, jo vetëm në kufijtë të cilët kemi trashëguar. Nëse ecni nga stacioni i autobusëve e deri te Kalaja, do të shihni historinë më të re të qytetit, e deri te pjesët arkeologjike të vjetra, ku shihet shumë punë e vjetër që ka lidhje me hartat, me komunikim e vjetër me zotërat etj. Mendoj se vetë qyteti i Prizrenit është inspirues dhe kështu unë mësova se nëse një ekspozitë do të ndodhë këtu, do të duhej të ishte për këtë qytet dhe gjithashtu për llojet e ndryshme të kufijve të kohës”, tha Hsu.

Sislej Xhafa, pjesëtar i bordit këshillues të Autostrada Biennales, tha se qyteti po shndërrohet në një galeri të hapur dhe se qytetarët po bëhen pjesë e ekspozitës.

Xhafa: Ky është një rast i jashtëzakonshëm për shtetin e ri

“Qyteti si qytet shndërrohet në një platformë të një galerie të hapur ku është inkluzive dhe jo ekskluzive, që do të thotë që qytetarët e rëndomtë janë pjesë të vetë ekspozitës, ku shtëpitë shndërrohen në një ekspozitë dhe konteksti i qytetit në përgjithësi merr një formë unifikuese dhe krijon një përvojë të jashtëzakonshme personale. Ky është një rast i jashtëzakonshëm për këtë shtet të ri, e me entuziazmin e të rinjve që kanë pas një vizion që ta krijojnë për të ardhmen e këtij vendi, një event si ky nuk ekziston në botë”, tha Xhafa.

Gjatë këtij rrugëtimi artistik që do zgjasë deri më 23 shtator, do të adresohen me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive.

Në ekspozitë do të marrin pjesë artistë nga e gjithë bota dhe nga Kosova.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat