Mustafa: Baxhaku, njeriu meritor për Prizrenin

Prizreni

Mustafa: Baxhaku, njeriu meritor për Prizrenin

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 17:11
Prezantimi i kandidatit të LDK-së Hatim Baxhaku për kryetar të Prizrenit për zgjedhjet lokale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se Hatim Baxhaku do të ketë mbështetjen e qytetarëve, por edhe të subjekteve tjera politike në vend për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Ai këto komente i bëri me rastin e prezantimit të kandidatit të LDK-së për kryetar të Prizrenit për zgjedhjet lokale.

Mustafa vlerësoi lart kontributin e Baxhakut për Kosovën, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte, ndërsa është shprehur se është kandidati më i qëlluar për Komunën e Prizrenit.

Mustafa: Baxhaku, kandidati i qëlluar për qytetin e Prizrenit

“Ne kemi dashur ta shfrytëzojmë këtë rast ta promovojmë kandidatin tonë për kryetar të Prizrenit, apo të them më qartë kryetarin e ardhshëm të Komunës së Prizrenit, Hatim Baxhakun. Është fjala për një njeri që është meritor për këtë përgjegjësi që do ta marrë nga qytetarët e Prizrenit dhe nga ata që jetojnë në qytetin e Prizrenit dhe fshatrat përreth. Ne ndajmë bindjen e plotë se është kandidati më i qëlluar për qytetin e Prizrenit. Është njeri, i cili e ka përkrahjen e qytetarëve. Është njeri që ka dhënë kontributin e tij gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si kirurg në teren, qoftë në Bajram Curr, qoftë në vendet e tjera ku ka lëvizur Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit është shprehur se do të përkushtohet maksimalisht për të mirën e qytetarëve, si dhe ka shtuar se përkrah do të ketë bashkëpunëtorët të pa korruptuar e profesionistë, të cilët nuk do ta lënë të gabojë.

Baxhaku: Ndjej përgjegjësi të madhe para qytetarëve të Prizrenit

“Kandidimi im për kandidat për kryetar është një nder për mua, por para së gjithash është një përgjegjësi e madhe para qytetarëve të Prizrenit. Qeverisja e deritanishme, një qeverisje që njihet për konceptin e tij klientelist dhe pastaj që përcillet me korrupsion dhe afera të tjera korruptuese, sigurisht se ka degraduar qytetin në shumë sfera. Koncepti ynë praktik i qeverisjes, është qeverisja në bashkëpunim me qytetarin dhe për të mirën e qytetarit”, ka thënë ai. 

Ndryshe, sot gjatë ditës LDK ka prezantuar edhe kandidatin e saj për Prishtinë, Arban Abrashin për Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat