Zafir Berisha i bindur për fitoren e Nismës në Prizren

Prizreni

Zafir Berisha i bindur për fitoren e Nismës në Prizren

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 18:35
NISMA

(E plotesuar) - Kandidati i Nisma për kryetar të komunës së Prizrenit, Zafir Berisha, në hapje të fushatës elektorale për këtë komunë, ka thënë se ekipi i tij është garanci e fitores së sigurt për të qeverisur në mandatin e ardhshëm.

Ai në hapje të fushatës ka prezantuar ekipin e tij, për të cilin tha se është i gatshëm për të bërë një fushatë të qetë dhe demokratike, si dhe për të prezantuar programin dhe vizionin e kësaj partie gjatë qeverisjes së ardhshme komunale.

Berisha: Ky ekip është garanci e fitores së sigurt

“Ky ekip është garanci e fitores së sigurt, se fitorja jo vetëm që i duhet vetëm Nismës, por fitorja e ndryshimit i duhet edhe qytetarit të Prizrenit, sepse ne jemi të vendosur të bëjmë ndryshime të nevojshme në Prizren, një administratë, e cila është kapluar nga militantët primitivë të  partisë në pushtet, të cilët qytetarin më shumë e shikojnë si i nënshtruar  dhe jo si shërbyes i qytetarit. Ne jemi të vendosur për depolitizimin e administratës për ta vënë në shërbim të qytetarit, gjë e cila për fat të keq e përfshin edhe arsimin, edhe shëndetësinë”, ka thënë Berisha.

Kandidati i Nisma për Kosovën ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen në shëndetësi, ku tha se në këtë sektor pushteti aktual po punëson njerëz pa konkurse, me qëllim të zgjatjes së jetës së këtij pushteti.

Berisha është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të punojë në rregullimin e problemit të ujërave të zeza, ndërsa paralajmëroi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

Berisha: Pjesë e vizionit tonë është edhe ambienti

“Pjesë e vizionit tonë është edhe ambienti, i cili është dëmtuar rëndë nga kjo qeverisje duke krijuar deponi të cilat kanë ndotur ambientin dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ne jemi shumë të vendosur që ujërat e zeza dhe njerëzit që ndotin ambientin duhet të shkojnë para përgjegjësisë”, ka thënë Berisha.

Ai po ashtu se prioritet i Nisma është krijimi i sigurisë për qytetarët dhe bizneset në Prizren, pasi tash me fillimin e stinës së dimrit rruga “Adem Jashari” mbyllet në ora 16.00, pasi nuk ka siguri sidomos për argjendarët.

Berisha tha se në këtë drejtim do të bashkëpunojnë me policinë e shtetit, në mënyrë që qytetarët të ndihen rehat edhe në shtëpitë dhe bizneset e tyre.

Berisha: Do të funksionalizohet qendra për biznes

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i prioriteteve dhe ne për këtë nuk do të flasim, por do të punojmë dhe më vjen keq që jam personi që para nëntë viteve kam dhënë idenë për qendrën e biznesit  midis Korishtës dhe Lubishtes, por që për fat të keq ka mbetur projekt në letër. Ne garantojmë se në gjashtë mujorin e parë ai do të funksionalizohet dhe do të vihet në shërbim të bizneseve”, ka thënë Berisha.

Ai tha se infrastruktura është në gjendje të keqe, për shkak të vendosjes së haraçit mbi operatorët ekonomikë nga pushteti aktual.

Berisha: Operatorët ekonomikë po paguajnë haraçin

“Kemi investime në infrastrukturë, të cilat ende pa përfunduar 30 ditë ato shkatërrohen dhe kjo vjen si rezultat i investimeve jo cilësore, sepse operatorët ekonomikë janë detyruar që të paguajnë haraçin e bandave kriminale në qeverisje”, ka thënë Berisha.

Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj, ka thënë se zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë një mundësi për ndryshime në Prizren dhe në Kosovë përmes ardhjes në qeverisje të Nismës për Kosovën, dhe se projekti politik i Nismës është projekt ekipor.

Limaj: Koha e Nismës ka ardhur në Kosovë

“Kjo ekip e fuqishme do të ketë mbështetjen nga qendra për t’ia kthyer mundësinë të riut të Prizrenit dhe të Kosovës që këtu në këtë vend ta gjejë jetën e vet, punën e vet, ta krijojë familjen e vet dhe le të mbetet e harruar ajo plagë e madhe, e cila s’po na ndahet që qindra vjet gjeneratë pas gjenerate”, ka thënë Limaj.

Ai ka premtuar se me Nismën për Kosovën në Prizren do të harrohet plaga e vjetër e mërgimit dhe djem e vajza të reja nuk do të largohen nga Kosova.

***

Nisma për Kosovën hap fushatën për zgjedhje lokale në Prizren.

Nisma ka kandiduar për kryetar në këtë komunë Zafir Berishën, i cili ishte decertifikuar nga KQZ-ja për shkak se ishte dënuar më herët për kyçje ilegale të rrymës, ndërsa i njëjti është ri certifikuar pas një vendimi të Gjykatës Supreme.

 Në hapje të fushatës merr pjesë edhe kryetari i Nismës Fatmir Limaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat