Veseli: Do të shumëfishohen subvencionet për fermerët dhe vreshtarët

Prizreni

Veseli: Do të shumëfishohen subvencionet për fermerët dhe vreshtarët

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 20:55
PDK tubim elektoral me vreshtarë dhe verëtarë në Rahovec

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral me vreshtarë dhe verëtarë në Rahovec, ka thënë se kjo komunë dhe e gjitha Kosova po bëhen gati për të festuar më 22 tetor.

Ai ka thënë se vizioni i PDK-së për qeverisjen komunale garanton ndryshim dhe zhvillim, sepse në Kosovë ka veç një forcë të ndryshimit dhe ajo është Partia Demokratike e Kosovës. 

“Nga të katër anët e Kosovës kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar komunash po bëjnë dallimin e madh me të tjerët. Vetë Rahoveci është shembull i fuqishëm i këtij dallimi. Idriz Vehapi është kryetari që secila komunë e Kosovës do të kishte dëshirë ta kishte për kryetar. Ne ndihemi krenarë me Idrizin, me punën e tij, me lidershipin e tij zhvillimor në krye të Komunës së Rahovecit”, ka thënë Veseli. 

Komuna e Rahovecit, sipas Veselit, është shembull se si u shërbehet qytetarëve me transparencë dhe barazi. 

“Me Idriz Vehapin kryetar, Komuna e Rahovecit është bërë një mekanizëm i fuqishëm në përkrahje të prodhuesve, duke hequr taksat komunale për prodhuesit, për bizneset e vogla. Ne do të vazhdojmë me Idriz Vehapin kryetar t’i mbështesim prodhuesit e Rahovecit edhe më fuqishëm. Grantet dhe subvencionet për fermerët e Rahovecit, për vreshtarët e Rahovecit, do të shumëfishohen”, ka thënë Veseli. 

Ai ka thënë se asnjë prodhues i Rahovecit nuk do të mbetet jashtë sistemit të ujitjes, të cilin do ta zgjerojnë për të përfshirë gjithë tokën e punueshme të Rahovecit. 

“Përkrahja për fermerët e Rahovecit është përkrahje për zhvillimin e gjithë Kosovës”, ka thënë Veseli. 

Ndërsa, kandidati për Kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi, njëherësh kryetar aktual i kësaj komune, ka thënë se deri më tash kanë jetësuar projekte të shumta në infrastrukturën rrugore dhe shkollore, në vreshtari dhe në nënsektorët e tjerë të bujqësisë dhe blegtorisë. 

Ai ka premtuar se përkrahja për çdo prodhues në Rahovec vetëm sa do të shkojë duke u rritur. 

Në bazë të raporteve të instituteve të pavarura, Idriz Vehabi, kryetar aktual i Rahovecit, rezulton se i ka përmbushur 100 për qind premtimet për bujqësinë e Rahovecit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat