Shaqir Totaj: PDK do t’i mbajë premtimet e dhëna për Prizrenin

Prizreni

Shaqir Totaj: PDK do t’i mbajë premtimet e dhëna për Prizrenin

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 21:41
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në një takim me grupe të ndryshme të interesit, tha se ka një plan me 17 pika dhe 55 zotime, por më kryesori është krijimi i fondit prej 2 milionë eurove, i cili do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që kanë ide për zhvillimin e biznesit.

Pretendenti për të parin e Prizrenit theksoi se ka në plan edhe për të rinjtë, e po ashtu edhe për kulturën, pasi që Prizreni ka traditë të lartë kulturore.

Totaj tha se PDK ka treguar se di t’i mbajë premtimet që ai ka në program.

Totaj: Planifikojmë fond prej 2 milionë euro për bizneset

“Për zhvillimin e biznesit dhe punësimit kemi plane konkrete. Planifikojmë të krijojmë një fond prej dy milionë euro për zhvillim të biznesit dhe përkrahje të zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme, sidomos me ide që vijnë nga të rinjtë dhe gra, pasi që idetë më të mira vijnë nga rinia. Kemi në plan të funksionalizojmë Parkun e biznesit dhe kemi planet për zhvillim të agrobizneseve në periferi, pasi Kosova ka përparësi për zhvillim dhe do të kemi rritje të subvencioneve për 30 për qind”, ka thënë ai.    

Ai tha se do të ketë edhe investime për sport dhe rini, ku do të rregullohet edhe stadiumi i Lirisë.

Ndërsa kryetari i PDK-së Kadri Veseli tha se do të vazhdojnë të jenë afër bizneseve, sportistëve, artistëve me kryetarin e ardhshëm Shaqir Totaj, ndërsa do të fokusohen në zhvillim ekonomik që të mos i lënë rininë të dalin jashtë vendit.

Veseli: Të bëjmë diçka më të mirë për gjithë vendin

“Shumë më lehtë është kur flet me njerëz të biznesit, pasi që ka më shumë optimizëm, pasi njerëzit e artit, kulturës, biznesit kanë ide dhe mundohen për të mirën e vendit. Sot është koha për të gjithë ne që të bëjmë diçka më të mirë për gjithë vendin. Patriotizmi sot nuk është më siç ka qenë në kohën e Serbisë, vetëm me u munduar me treguar se jem shqiptar, të jem më konkret. Sot patriotizëm është me u munduar me u treguar më qytetar, me u munduar me u treguar më punëtor, me u munduar me u treguar më respektues i ligjit, me u treguar me kontribuuar më tepër  për vendin tënd, duke zhvilluar veçanërisht vendin, duke krijuar perspektivë, duke prodhuar dhe në të njëjtën kohë duke arritur për të punësuar sa më shumë njerëz, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat”, ka thënë Veseli.

Veseli tha se duke qenë se PDK do t’iu japë përparësi grave dhe të rinjve, në qeverisjen e Shaqir Totajt, 50 për qind e udhëheqjes do të jenë gra dhe të rinj.

Kreu i PDK-së shtoi se nuk do të mungojë përkrahja ndaj fermerëve duke rritur subvencionet dhe se Prizreni do të jetë lokomotiva e transformimit ekonomik, kulturor e shpirtëror. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat