Partia Turke përkrah PDK-në, zëdhënësi i VV-së rikujton racizmin e Totajt karshi turqve të Prizrenit

Prizreni

Partia Turke përkrah PDK-në, zëdhënësi i VV-së rikujton racizmin e Totajt karshi turqve të Prizrenit

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 14:26
PDK - KDTP

Zyrtari për Media në Lëvizjen Vetëvendosje, Shkodran Hoti ka kritikuar mbështetjen që Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ia ka dhënë kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj në balotazhin e 19 nëntorit.

Hoti, duke thënë se Prizrenit i duhet një kryetar që promovon barazi, siç është Mytaher Haskuka, ka rikujtuar deklaratën e Totajt, i cili kishte pyetur kështu me një dozë racizmi karshi Haskukës : “A mendoni se dikush… turqelia që s’di me folë shqip ka me ardhë me ta rregullu çështjen e ujit dhe të rrymës?”

Sipas Hotit, kryetari i KDTP-së, Mahir Jagcillar është jo më shumë se një “dallaverexhi” që nuk e përfaqëson komunitetin turk në Prizren.

Reagimi i plotë i Hotit:

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) e paska përkrahur Shaqir Totajn e PDK’së në garën e balotazhit për kyetar të Prizrenit. Ndërsa, jo më larg se gjatë fushatës zgjedhore të fundit, është sjellur me zë dëshmia ku Shaqir Totaj thoshte “A mendoni se dikush…turqelia që s’di me fol shqip ka me ardhë me ta rregullu çështjen e ujit dhe të rrymës”, duke shpifur në drejtim të Mytaher Haskukës, por njëkohësisht duke përdorur gjuhë përçarëse e fashiste ndaj komunitetit turk.

Uroj që komuniteti turk të jetë i vetëdijshëm se kryetari i KDTP’së, Mahir Yagcilar, është vetëm një dallaveraxhi që nuk i përfaqëson ata, edhe pse është pjesë e komunitetit të tyre. Ndaj, uroj po ashtu që thirrja e Yagcilarit për turqit që në Prizren ta mbështesin Totajn për kryetar, të mos dëgjohet e respektohet.

Prizrenit i duhet një kryetar i cili promovon barazi dhe i cili punon për të gjithë qytetarët, pa dallim. E ai është Mytaher Haskuka.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat