Veseli: Totaj ka kundërkandidat një politikan që djeg Kuvendin e Kosovës - Bota Sot
Veseli: Totaj ka kundërkandidat një politikan që djeg Kuvendin e Kosovës

Prizreni

E hënë, 11 dhjetor 2017

Veseli: Totaj ka kundërkandidat një politikan që djeg Kuvendin e Kosovës

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 21:15
Pamje nga takimi

Forca e ndryshimit po dëshmohet si alternativë e vetme për qytetarët e Prizrenit, duke qenë garanci e bashkëqeverisjes me të gjitha etnitë në Prizren, u tha sonte në tubimin elektoral të PDK-së në Prizren për garën e balotazhit më 19 nëntor.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se PDK-ja ka energji dhe se do të vazhdojë përpara, duke fituar rundin e parë me përparësi me 5 mijë vota dhe se kjo nuk do të ishte e mundshme pa një angazhim të anëtarësisë dhe aktivistëve të saj.

Totaj: Fitoren tonë s’ka kush e ndal

“Ne kemi arritur që të krijojmë një frymë të fituesit, një mentalitet të fituesit dhe tanimë ekipi ynë shihet si ekip fitues i zgjedhjeve të ardhshme më 19 nëntor, faktikisht, balotazhit. Mirëpo, në rundin e dytë ne jemi akoma më të fortë, sepse tani jemi në koalicion me partnerët tanë tradicionalë, me AAK-në, jemi në koalicion me Koalicionin Vakat dhe me KDTP-në dhe ekipi fitues i PDK-së bashkë me partnerët e koalicionit do të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme dhe kjo tanimë publikisht dihet dhe nuk ka forcë që e ndal këtë fitore”, ka thënë Totaj.

Ai është zotuar për vazhdimin e qeverisjes së mirë me Prizrenin, pasi që qytetarët e saj meritojnë ndryshime tjera pozitive, të cilat do t’i arrijë PDK-ja përmes rritjes së kualitetit të qeverisjes dhe fillimin e një etape të re për një qeverisje pa burokraci.

Totaj ka kërkuar mobil dhe angazhim që më 19 nëntor në mënyrë masovike qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin më të mirë që do të drejtojë komunën në katër vjetët e ardhshme.

Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, pjesë e koalicionit zgjedhor për garën e balotazhit, Lulzim Kabashi, ka thënë se mbështetja e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit Shaqir Totaj ka qenë alternativa e vetme, të cilin do ta mbështesin pa rezervë në garën e 19 nëntorit.

Kabashi: Kemi arsye të mëdha të mbështesim kandidatin Shaqir Totaj

“Kemi arsye të mëdha që të mbështesim kandidatin Shaqir Totaj për shkak të përgatitjes profesionale, një ekonomist i njohur dhe i dalluar, i cili di si të veprohet në zhvillim ekonomik, atë për të cilin ne synojmë më së shumti”, ka thënë Kabashi.

Deputetja Duda Balje nga koalicioni Vakat, ka ftuar elektoratin që më 19 nëntor të mbështesë kandidaturën e Totajt për të parin e Komunës së Prizrenit, pasi që ai do të punojë për interesat dhe nevojat e qytetarëve.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka përshëndetur komunitetin boshnjak për garën e balotazhit, me fjalët: “Selam za pobedu” (Përshëndetje për fitore”.  

Veseli: Përshëndetje për fitore

“Pasi që Kosova është ambient i tillë dhe ka gjuhë tjera multientik unë dëshiroj vetëm t’i përshëndesë vetëm me pak fjalë: “selam za pobedu (Përshëndetje për fitore)”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se në raundin e parë të zgjedhjeve PDK doli fuqishëm fitues në komunën e Prizrenit, ndërsa rrugëtimi do të vazhdojë për hapjen e perspektivës për qytetarët e Prizrenit për katër vitet e ardhshme, së bashku me koalicionin zgjedhor, pa dallime etnike.

Veseli: Prizreni ka nevojë për një kryetar me vizion

“Ky është vizioni i kryetarit Totajt, një Prizren, i cili respekton të gjitha gjuhët, çdo qytetar të komunës së Prizrenit, pa dallime etnike, një Prizren i cili duhet të jetohet më mirë në të dhe ka nevojë për një kryetar me vizion zhvillimor dhe bën Prizrenin jo vetëm një ambient për të jetuar më mirë qytetarët e Prizrenit, por për një Prizren, i cili është i zhvilluar, i fuqishëm ekonomikisht me ndërmarrës që kanë mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre në Prizren dhe e transformojnë ekonomikisht republikën e tyre, Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai tha se Shaqir Totaj është adresa e zhvillimit ekonomik, të Prizrenit, adresa e transparencës publike dhe për këtë arsye qytetarët më 19 nëntor të dalin masovikisht dhe t’i dalin në përkrahje Totajt për të fituar garën për të parin e komunës.

Veseli: Totaj ka kundërkandidat një politikan që djeg Kuvendin e Kosovës

“Më 19 nëntor Shaqir Totaj ka një kundërkandidat, i cili është shumë politik. Shaqir Totaj nuk është politikan, ai është menaxher, ekspert, i cili e do Prizrenin, përballë një politikani i cili e djeg Kuvendin e Republikës së Kosovës. Cili është më i miri?”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, Shaqir Totaj i PDK-së në balotazh është kundrejt kandidatit të Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test