PDK premton trefishim të buxhetit të Prizrenit me Totajn kryetar - Bota Sot
PDK premton trefishim të buxhetit të Prizrenit me Totajn kryetar

Prizreni

E enjte, 14 dhjetor 2017

PDK premton trefishim të buxhetit të Prizrenit me Totajn kryetar

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 19:10
Pamje nga tubimi i PDK-se PDK

Forca e ndryshimit po tregohet si alternativë dhe garanci e vetme për Prizrenin dhe qytetarët e saj, dhe kjo është parë qysh në raundin e parë kur PDK doli forcë e parë në këtë komunë, u tha në fushatën përmbyllëse të PDK-së në Prizren, për garën e balotazhit më 19 nëntor.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se si rezultat i angazhimit të të gjithëve PDK-ja ka dalë si parti e parë në këtë komunë, gjë e cila pritet të konfirmohet edhe në garën e balotazhit.

Totaj: Nuk është  lehtë që pas tri palë zgjedhjeve me dalë prapë i parë

“Nuk është lehtë që pas tri palë zgjedhjeve me dalë prapë i parë, pasi që pushteti e konsumon si pushtetin ashtu edhe partinë, por duke iu falënderuar përkushtimit tuaj kjo ka qenë e mundshme. Gjatë këtyre tre muajve kam takuar shumë njerëz dhe si shoqëri kosovare kemi arritur, por kemi edhe shumë për të bërë para nesh. Qyteti jonë ka nevojë për transparencë, shëndetësi, ekonomi dhe arsim më të mirë dhe të ruajmë identitetin e qytetit, për çka ne dallohemi jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Një kandidat i PDK-së me përvojë në menaxhment është garanci se të gjitha këto që donë qytetarët me një angazhim dhe qasje proaktive të gjithë së bashku jemi në rrugë të mirë të ecim drejt rrugëve të reja dhe nuk ka kush që na e merr fitoren tonë”, ka thënë Totaj.

Ai tha se Prizreni do të bëhet një qytet më i zhvilluar gjatë qeverisjes së ardhshme, pasi PDK ofron projekte, zhvillim, energji pozitive dhe të gjitha këto së bashku do të jenë të mjaftueshme për të ecur drejt fitores së radhës.

Totaj: Pushteti nuk është privilegj

“Pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi në llogaridhënie dhe me këtë llogaridhënie ne do të fitojmë”, ka thënë Totaj.

Lulzim Kabashi nga radhët e AAK-së, ka thënë se kjo parti ka vendosur ta mbështesë Shaqir Totajn, me qëllimin që Prizreni ka nevojë për një kryetar ndryshe dhe për zhvillim të ekonomisë.

Kabashi: Totaj i duhet qytetarëve të Prizrenit

“Nëse kishte që të zgjidhet apo vota jonë të shkojë për shefin e katedrës së filozofisë, do ta kishim votuar Haskukaj, por pasi që është qëllimi që të udhëheqim qytetin, Totaj është njeriu më i mirë që i duhet qytetarëve të Prizrenit, të cilët duhet të jenë të sigurt se qeverisja e ardhshme do të lë gjurmë në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Kabashi.

Një fjalë rasti në fushatën përmbyllëse të PDK-së në Prizren mbajti edhe kreu i KDTP-së, ministri Mahir Jagcilar, i cili shprehu bindjen për fitoren e kandidatit të PDK-së dhe ftoi qytetarët e Prizrenit të votojnë për një komunë më të zhvilluar.

Ndërsa, Rasim Demiri nga Vakat, ka arsyetuar mbështetjen për Shaqir Totajn, pasi ai është personi më i duhur për ecjen përpara të komunës në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Demiri: Komuniteti boshnjak mbështet Shaqir Totajn

“I nderuari kryetari Veseli, komuniteti boshnjak prej 100 për qind, 94 për qind ka vendosur për Shaqir Totaj”, ka thënë Demiri.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se PDK ka zgjedhur njeriun e duhur për t’i prirë komunës së Prizrenit në katër vjetët e ardhshme, për të bërë Prizrenin një qytet të zhvilluar ekonomikisht.

Veseli: Mirëmbrëma fitimtarë

“Ka vetëm një përshëndetje, mirëmbrëma fitimtarë, urime suksese, nuk ka askush që e ndal zhvillimin e hovshëm të Prizrenit dhe sukseseve, jo vetëm për shkak se vetëm një grup do, por kjo është e mira e qytetit të shenjtë në Kosovë, i cili kultivon vlerat më të mirëfillta që ka shtet dhe kombi jonë, i cili ka tolerancën e shumë religjioneve dhe shumë gjuhëve, dhe këto do të vazhdojnë edhe gjatë katër vjetët e ardhshme me njeriun, i cili është njeriu i Prizrenit, i cili nuk është politikan i dobët që shkatërron institucionet, por një njeri që e do artin, sportin, dhe sigurisht qytetarët do ta zgjedhin Shaqir Totajn për kryetar të komunës”, ka thënë Veseli.

Ai tha se Prizreni ka nevojë për një lider të urtë dhe të aftë dhe PDK për këtë ka ofruar një udhëheqës që ka identitet të vetin dhe njeri të sukseseve siç është Shaqir Totaj.

Veseli: Ne do të trefishojmë buxhetin e Prizrenit

“Ne do të trefishojmë buxhetin e Prizrenit dhe do të dyfishojmë investimet kapitale në ndërmarrësi dhe agrobiznes. Do të përkrahim projektet për punësim të rinjve dhe heqjen e taksave komunale që do të jenë zero dhe duke mundësuar që përmes komunës të krijohen edhe ambient investiv përmes ndihmesës së bizneseve me kredi investive me normat zero të interesit”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, PDK në garën e balotazhit për kryetar komune në Prizren është në koalicion me AAK, KDTP, Vakat. Përballë kandidatit të PDK-së më 19 nëntor do të jetë kandidati i Lëvjzes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test