Mytaher Haskuka: Me 19 nëntor do t’i nakautojmë shantazhuesit e frikacakët

Prizreni

Mytaher Haskuka: Me 19 nëntor do t’i nakautojmë shantazhuesit e frikacakët

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 19:00
Mytaher Haskuka

Në tubimin zgjedhor përmbyllës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Prizren, kandidati për kryetar të kësaj komune, ka falënderuar mbështetësit e tij dhe ka thënë se Prizreni në njërën anë e ka opsionin e krimit dhe korrupsionit, kurse në anën tjetër mundësinë për jetë me dinjitet.

“Prizreni ka shumë burime të ujit. Sipas ekspertëve Prizreni ka 725 litra ujë në sekondë, kjo do të thotë që kemi ujë për gjysmë milion banorë. Por në shumë shtëpi 18 vite mbas lufte, pas tre mandate qeverisje të klanit Pronto ende ka mungesë uji. Unë iu premtoj që brenda afatit katër vjeçar të qeverisjes sonë do të ketë ujë në gjitha lagjet dhe fshatrat e Prizrenit”, ka thënë Haskuka duke shpalosur zotimet e tij.

Më tej ai ka folur për problemet me ujërat e zeza, të cilat ndotin edhe lumin “Lumbardhi”, me ç’rast ka thënë se me qeverisjen e tij nuk do të ngordhin peshqit në këtë lum nga ndotja e tij, por se do të zhduken peshqit e mëdhenj të korrupsionit.

“Në qendrën historike nga 362 monumente nën mbrojtjen e shtetit, 226 shtëpi tradicionale janëshkatërruar, 65 prej tyre janë para shkatërimit, 30% i hapësirave publike është e uzurpuar. Këtë do ta rregullojmë ato që na kanë mbetur do ti ruajmë, ato janë historia jonë, gjersa uzurpatorët do ti largojmë nga hapësirat publike dhe ato do ti kthejmë fëmijëve tanë si parqe tëgjelbëra dhe fusha futbolli e basketbolli”, ishte zotimi tjetër i Haskukës i shpalosur në këtë tubim zgjedhor.

Haskuka më tej ka shpalosur zotimin e tij për përkrahjen e bujqve dhe fermerëve, ruajtjen e artizanateve të shumta që janë karakteristikë e këtij qyteti dhe ka folur për bashkëpunim të ngushtë me mërgaten, gjeqësisht ofrimin e mundësisë për investime në Prizren.

“Këta qeverisjen e shohin si sundim, pushtet e privilegj, prandaj edhe thonë që Prizrenin e kanë Jerusalem, prandaj edhe duan ta mbajnë me zor.  Por një herë në 4 vite ne e kemi shansin dhe me datën 19 nëntor kemi këtë rast, e kemi rastin  që sundimin ta kthejmë në qeverisje, pushtetin në shërbim, e privilegjet në detyra. Pra me 19 nëntor ne do të ju heqim privilegjet dhe pushtetin e tyre dhe në vend të tyre ju do të keni qeverisjen e mirë me detyrat dhe shërbime ndaj qytetarëve të Komunës së Prizrenit”, tha veç tjerash, Mytaher Haskuka.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të bashkohen rreth ndryshimit, duke e parë këtë si të vetmen rrugë që e sjell ndryshimin. Ai po ashtu tha se përderisa në njërën anë janë të korruptuarit, të shantazhuarit e frikacakët, në anën tjetër duhet të bëhen bashkë qytetarët pavarësisht përkatësive kombëtare e fetare apo dallimeve tjera.

“Pas shumë betejave, sot jemi para finales, e ajo është me datën 19 nëntor. Shumë pare po derdhen në Prizren, e atë ditë do të derdhen edhe më shumë, por me datën 19 nëntor vullneti do ta nokautoj paren, liria do të nokautoj shantazhin, guximi do të nokautoj frikacakët. Prizreni do të iu japë një nokaut të madh hajnave të Klanit Pronto. Me 19 nëntor hajnia dhe paraja do të humbas, me 19 nëntor do të fitojë bashkimi dhe liria. Atë ditë do të fitojë Prizreni me zemër dhe me mendje”, ishte porosia e Mytaher Haskukës nga ky tubim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat