Totaj ironizon Vetëvendosjen, e quan “Vetëfundosje”

Prizreni

Totaj ironizon Vetëvendosjen, e quan “Vetëfundosje”

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 18:41
Shaqir Totaj

Mbështetja për Shaqir Totajn do të jetë e fuqishme edhe më 19 nëntor për të shënuar fitore, pasi programi i tij synim parësor ka punësimin dhe zhvillimin ekonomik.

Kështu u tha sonte në përmbyllje të fushatës së PDK-së në Has, për garën e balotazhit më 19 nëntor në Prizren.

Lulzim Kabashi nga AAK-ja në Prizren ka thënë, se kjo parti ka vendosur të mbështesë Totajn për kryetar të komunës pasi gjatë qeverisjes së tij do të ketë siguri më të madhe për qytetarët dhe se qeverisja në Prizren nuk guxon të qeveriset nga, siç u shpreh, axhaminjtë.  

Kabashi: Nuk guxojmë të eksperimentojmë me qeverisjen në Prizren

“Nuk guxojmë të eksperimentojmë me qeverisjen në Prizren dhe nuk guxojmë që qeverisjen në Prizren ta lëmë në duart të axhaminjve dhe njerëzve të cilët nuk i njohin institucionet, njerëzit të cilët nuk i kemi parë dhe nuk i kemi provuar asnjëherë se çka mund të bëjnë”, ka thënë Kabashi.

Ai tha se kandidati i PDK-së për kryetar komune, Shaqir Totaj është njeri i përgatitur profesionalisht për të udhëhequr Prizrenin, ndërsa i bëri thirrje elektoratit që të dalin masovikisht dhe të votojnë më 19 nëntor për një fitore të madhe.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili në garën e balotazhit më 19 nëntor ka për kundërkandidat Mytaher Haskukaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është më i fortë kur e di se ka përkrahjen e Hasit, prej nga e ka edhe prejardhjen.

Totaj: Kosova është çliruar më 1999

“Para dy ditëve kundërkandidati i Vetëvendosjes kishte përmendur në një fshat se do ta çlirojë Kosovën. Kjo është një paradoks i jashtëzakonshëm, pasi që unë e di se Kosova është çliruar më 1999 dhe këtu kemi shumë pjesëtarë të UÇK-së që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës. Kosova është çliruar një herë e përgjithmonë, prandaj iluzionet duhet hequr”, ka thënë ai.

Totaj ndërkaq ka ironizuar me partinë Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtur “Vetëfundosje”.

Totaj: Hajsanët janë ndër ambasadorët më të mirë të Kosovës

“Pika tjetër që e lexova një ditë, disa përkrahës të partisë që e kemi ne në balotazh, e cila quhet Vetëfundosje, e kishin përmend në kontest negativ se hasjanët kanë punuar në Serbi dhe nuk bën për t’i votuar ata. Ne jemi njerëz që kemi punuar jo vetëm në Serbi, por edhe në Kroaci, Slloveni, Austri dhe Gjermani, Hungari, Rumani, jemi njerëz që me djersë kemi fituar bukën, kemi dhënë kontribut për shtetin tonë dhe krejt hajsanët janë ndër ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe unë jam krenar për këtë arsye”, ka thënë Totaj.

Ndryshe, PDK në Prizren në garën për balotazh është në koalicion edhe me AAK-në, KDTP-në, koalicionin Vakat.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat