BIK nuk ka qenë organizator i “Lutjes së fitores"

Prizreni

BIK nuk ka qenë organizator i “Lutjes së fitores"

Më: 30 janar 2018 Në ora: 11:10
Ahmet Sadriu

Bashkësia Islame e Kosovës, (BIK), përmes drejtorit për shtyp dhe veprimtari botuese, Ahmet Sadriu, ka thënë se “Lutja e fitores", e mbajtur në xhamin e Prizrenit në përkrahje të ushtarëve turq në Siri kundër kurdëve, është bërë nën organizimin e Ambasadës së Turqisë, komunitetit turk dhe me përkrahje të kontingjentit turk të KFOR-të, i cili është në Kosovë dhe të cilës i ka prirë atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë.

Sadriu: Lutjet janë organizuar nga komuniteti turk dhe Ambasada e Turqisë në Kosovë      

“Lutja, e cila është organizuar në xhaminë “Sinan Pasha” nga komuniteti turk, e që ka qenë e organizuar nga Ambasada e Turqisë me komunitetin turk dhe mbështetje, përkrahje të kontingjentit turk të KFOR-it turk, i cili është në Kosovë dhe të cilës i ka prirë atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë, e që e kanë bërë një lutje pas namazit të jacisë dhe siç e gjithë xhamia është vend lutje janë të ndërtuara edhe xhamitë edhe kishat dhe sinagogat, vende ku shkojnë njerëzit dhe luten, i drejtohen krijuesit të gjithësisë për çështje të ndryshme të tyre. Në këtë rast, ne e shohim si një organizim të tillë që e ka organizuar komuniteti turk në përkrahje të vëllezërve të tyre turq në Turqi, asgjë më shumë se kjo”, tha Sadriu.

Ndërsa i pyetur se a do të duhej të organizohen këso lutje edhe nga kurdët e Sirisë që janë myslimanë, ai tha se nuk sheh asgjë të keqe pasi organizimi është bërë nga komunitetit turk dhe se xhamitë janë vendet ku mund të luten myslimanët.

Sadriu: Nuk shoh asgjë të keqe këtu, xhamia është vendi i lutjeve

“Unë e shoh që këta janë organizuar si komunitet mysliman, si turq që e kanë parë të arsyeshme që këta ta bëjnë një lutje të tillë dhe absolutisht nuk shohë asgjë më shumë nga kjo. Unë e thashë xhamia është vend lutje dhe aty myslimanet luten”, tha Sadriu.

Ai po ashtu tha se kjo nuk është organizim i BIK-ut dhe ka hedhur poshtë se në Kosovë ka Diyanet.

Sadriu: BIK nuk ka qenë organizator

“Mu më vjen keq që kështu ka dalë edhe në media, ka dalë dhe e kam dëgjuar edhe vetë se kinse Bashkësia Islame e Kosovës e ka organizuar këtë. Nuk është organizim i BIK siç e thashë edhe më herët është organizim i komunitetit turk në bashkëpunim në koordinim me ambasadën dhe kontingjentin e KFOR-it turk këtu në Kosovë. Shikoni Diyaneti turk që njihet si ajo që e thatë ju është njëjtë si BIK që është këtu që është përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e jetës fetare islame në Kosovë. Unë e thashë, Ambasada e Turqisë nga stafi i tyre e kanë edhe atasheun për çështje fetare që e përfaqëson shtetin e Turqisë për çështje. Kjo është ajo, nuk ka Diyanet këtu”, tha Sadriu.

Sadriu shtoi se në BIK nuk ka asnjë nëpunës të huaj, por të gjithë të punësuarit janë me shtetësi të Kosovës.

Sadriu: Në BIK nuk ka asnjë nënshtetas të huaj

“Kjo është ajo e veçanta me të cilën ne dallohemi dhe specifikohemi si BIK, ku brenda institucionit të BIK-ut nuk ka asnjë nëpunës jashtë qytetarëve apo nënshtetaseve të Kosovës. Edhe pse nëpër bashkësi fetare kemi që shërbejnë, në BIK gjithherë e kemi thënë nuk ka asnjë punëtor, asnjë nëpunës, asnjë imam që është jashtë nënshtetasit të Kosovës”, tha Sadriu.

Ndërsa i pyetur se a po përzihet BIK në politikën e jashtme, ai tha se nuk përzihen, pasi ata janë vetëm për çështje religjioze.

Sadriu: Ne nuk përzihemi në politikë

“Nuk e di mua ato nuk më interesojnë, ato çështje. Për çështje politike neve mos na ngatërroni me na pyet. Ne jemi për çështje religjioze për të cilat jemi të ngarkuar dhe i përgjigjemi asaj. Edhe këto pyetje nuk na takon neve, janë për të tjera institucione. Unë thashë më herët që BIK-u s’ka organizim këtu, edhe absolutisht kjo nuk ka të bëjë me neve, prandaj nuk e shoh të arsyeshme që diçka rreth kësaj të përgjigjem”, tha Sadriu.

Ai në fund ka thënë se në BIK si pjesë integrale përveç komuniteteve të tjera si rom, boshnjak janë edhe turqit.

Sadriu: Në BIK si pjesë integrale janë edhe turqit

“Mos të harrojmë se pjesë integrale e Bashkësisë Islame të Kosovës janë edhe komuniteti turk, të cilët veprojnë nën ombrellën e BIK-ut, njëjtë qysh janë edhe boshnjakët, goranët, romët, ashkëtinjtë, janë pjesë integrale e BIK-ut, janë xhamitë që e vijon, i kryejnë ritualet nëpër xhami. Nuk mundemi absolutisht atyre të ia mohojmë, të ia ndalojmë që ata të shkojnë ta bëjnë namazin edhe të luten siç kanë bërë lutje pas namazit, ka qenë organizimi, kanë këndur Kuran kanë bërë lutje për vëllezërit e tyre siç mendoj që njëjtë do ta kishim bërë edhe ne si shqiptarë për vëllezërit tanë shqiptarë, qa do të thotë unë e shoh në këtë kontest gjithë këtë zhvillim, asgjë tjetër më shumë”, tha Sadriu.

Në xhaminë “Sinan Pasha”, në Prizren, të mërkurën e kaluar është kryer e ashtuquajtura “Lutja e fitores”, në mbështetje të Forcave të Armatosura të Turqisë, të cilët kanë nisur operacionin “Dega e Ullirit” kundër pozicioneve kurde në rajonin Afrin të Sirisë.

Kështu thuhet në një raport nga Agjencia turke e lajmeve Anadollu, sipas së cilës “Lutja e fitores” është kryer pas namazit të jacisë me leximin e sures El-Feth'.

Programi është udhëhequr nga Mustafa Tombas, i cili thuhet se është përfaqësues i Diyanetit dhe imam në xhaminë ‘Sinan Pasha’ të Prizrenit. Në këtë program, ka qenë prezente edhe ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilc?m Kiliç dhe konsullja e përgjithshme e Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, thuhet në  njoftimin e Anadollu.

Po sipas kësaj agjencie, ky organizim është bërë në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kryesisë së Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë (Diyanet). Bashkësia Islame, zyrtarisht deri më sot nuk e ka mohuar këtë lajm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat