Jep mbrojtjen inspektori i ndërtimeve në Prizren

Prizreni

Jep mbrojtjen inspektori i ndërtimeve në Prizren

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 22:33
Gjykimi i inspektorit të ndërtimit të Komunës së Prizrenit

I akuzuar se nga viti 2015 e deri tash nuk ndërmori inspektime për të iniciuar largimin e konstruksionit metalik të vendosur nga shefi i tij, Enver Bytyqi ka dhënë sot mbrojtjen para trupit gjykues në Gjykatën e Prizrenit.

I pandehuri deklaroi se nuk ka pasur të drejtë të ndërmarrë veprime rreth heqjes së rrethojave të ndryshme, tendave, konstruksioneve të drurit dhe metalike në Zonën Historike si inspektor.

“Unë si inspektor i ndërtimit nuk kam të drejtë të inicioj procedurën pasi që Ligji mbi ndërtimin nuk parasheh të inicioj procedurë lidhur me objektet në fjalë”, tha Enver Bytyqi.

Sipas të akuzuarit, ai së bashku me tre inspektorë të tjerë me vendim të kryetarit të Komunës ishin caktuar që të bëjnë mbikëqyrjen e ndërtimeve në Zonën Historike të Prizrenit, por kompetencat i kishin të ndara.

“Me vendim të kryetarit jemi caktuar katër inspektorë, dy inspektorë të ndërtimit dhe dy inspektorë komunalë. Inspektorët e ndërtimit merren me çështjen e ndërtimeve ndërsa inspektorët komunalë merren me çështjen e hapësirave publike”, tha i akuzuari Bytyqi.

Sipas aktakuzës, Bujar Hasani ngarkohet se si drejtor i Inspektorateve për të përfituar për vete nuk ka larguar konstruksionin metalik në Zonën Historike të Prizrenit.

Konstruksioni metalik, sipas Prokurorisë, ishte vazhdim i lokalit “Fellas”, pronë e Bujar Hasanit.

Aktakuza tregon se prej janarit 2015 e deri tash Hasani ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit në Zonën e Mbrojtur të qytetit.

Enver Bytyqi akuzohet se nga viti 2015 e deri tash nuk ndërmori inspektime për të iniciuar largimin e konstruksionit metalik të vendosur nga shefi i tij.

Seanca e radhës do të vazhdojë më 23 shkurt, ku pritet të dëgjohet fjala përfundimtare e palëve në procedurë./Kallxo.com/

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat