Lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Prizren

Prizreni

Lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Prizren

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 13:20
Lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Prizren

Sot zyrtarisht u lansua programi i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Prizrenit, i cili mundësohet si rrjedhojë e suksesit të programit në Prishtinë.

Ngjarja është pjesë e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit në Kosovë, i cili është njëkohësisht hapi i radhës drejt zgjerimit të programit të skriningut në nivel kombëtar.  

Programi mundëson ofrimin e Pap testit për rreth 400 gra nga Komuna e Prizrenit, gjatë fazës së parë të implementimit, gjegjësisht në vitin 2018. 

Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda kujdesit parësor shëndetësor në Prizren, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor- Laboratorit të Patologjisë.  

Ky program, përmes Pap testeve për gratë dhe vajzat nga Komuna e Prizrenit do të mundësojë zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës. 

Visare Mujko Nimani tregoi mbi punën e suksesshme të këtij programi në Prishtinë dhe se tani mundësia e Pap-testeve pa pagësë do t’iu mundësohet edhe grave dhe vajzave të Komunës së Prizrenit.

Ndërsa, Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Prizrenit u shpreh i kënaqur me lansimin e këtij projekt në Prizren, për të cilin tha se do të ketë mbështetjen e plotë të Komunës.  

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtorisë Komunal për Shëndetësi të Komunës së Prizrenit, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit- Ministria e Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Spitalit të Përgjithshëm në Prizren dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA, zyra në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat