"Ec Ma Ndryshe" kërkon trashëgimi kulturore, jo vendparkingje

Prizreni

"Ec Ma Ndryshe" kërkon trashëgimi kulturore, jo vendparkingje

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 10:59
Ilustrim

Sot është finalizuar iniciativa ‘’Trashëgimi kulturore, jo vendparkingje!’’ e konceptuar nga pjesëmarrësit e Shkollës së Aktivizmit Urban në kuadër të projektit “Rikthimi i Qytetit’’.

Kjo iniciativë ka për qëllim të potencojë problemin e parkimit të automjeteve në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore (ndër të tjera në afërsi të Xhamisë Sinan Pasha, në afërsi të Urës së Gani Tadës, në afërsi të Muzeut Arkeologjik etj).

Sipas Ec Ma Ndryshe, kjo praktikë përveç se kufizon qytetarët në lëvizje, dëmton rëndë imazhin e qytetit në përgjithësi dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në veçanti. Parkimi në afërsi të perimetrit të objekteve të trashëgimisë kulturore pengon vizurat ndaj vlerave të trashëgimisë, qasjen në objektet kultrore si dhe ndikon në dëmtimin e peisazhit kulturor. Rrjedhimisht, kjo problematikë ndikon jo vetëm te qytetarët e Prizrenit por edhe te turistët dhe vizitorët e shumtë të qytetit tonë.

 Lidhur me këtë problematikë, EC sot ka intervenuar në rrugën ‘’Vatra Shqiptare‘’, e cila lidh Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe Kompleksin e Marashit, duke vendosur pengesa në formë të ulëseve, të cilat do të zëvendësojnë automjetet e parkuara në këtë zonë edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar. ‘’Ulëset pengesë’’ shprehin revoltën për pengesën në lëvizje dhe në vizuara ndaj dy komplekseve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Prizren si rezultat i mosveprimit të institucioneve ndaj qytetarëve të cilët parkohen në vend të ndaluar.

“Ideja për protestën artistike ndaj vendparkingjeve në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore është dhënë gjatë Modulit 1 të Shkollës së Aktivizmit Urban, të mbajtur në muajt prill – maj të këtij viti, gjatë së cilës të rinjtë pjesëmarrës të shkollës kanë patur rastin të aftësohen lidhur me principet e aktivizmit urban. Lidhur me porosinë që kjo iniciativë tenton të përçojë te institucionet përgjegjëse, përfshirë këtu Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Inspektoriatit dhe Policinë e Kosovës –Rajoni Jug, të Premten, datë 03.08.2018, nxënësit pjesëmarrës të Shkollës së Aktivizmit Kulturor kanë dorëzuar peticionin e nënshkruar nga 243 qytetarë”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Kjo iniciativë do të përcillet me iniciativat e radhës të dizajnuara në kuadër të Shkollës së Aktivizmit Urban. Veprimet e propozuara trajtojnë çështje të caktuara të komunitetit në qytet, dhe u takojnë fushëveprimeve të ndryshme me fokus në hapësirat publike.

Shkolla e Aktivizmit Urban është pjesë e projektit ‘’Rikthimi i Qytetit’’ që në mënyrë specifike synon të avokojë për gëzimin e plotë të së drejtës mbi qytetin përmes një sërë platformash të aktivizimit. Nëpërmjet Shkollës së Aktivizimit Urban, projekti ofron një platformë edukimi dhe aktivizmi qytetar për të rinjtë, duke transformuar nxënësit e shkollave të mesme në qytetarë politikisht aktiv dhe social.

Projekti "Rikthimi i qytetit - E Drejta mbi Qytetin për grupet e nën përfaqësuara të komunitetit në Prizren" përkrahet financiarisht nga National Endowment for Democracy.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat