AFP: Shqipëria dhe Kosova – një ‘front i ri’ i militantëve

Religjion

AFP: Shqipëria dhe Kosova – një ‘front i ri’ i militantëve

Më: 5 maj 2016 Në ora: 12:06

Tre vjet më parë, Alberti dhe Jasini lanë shtëpitë e tyre në Kosovë dhe Shqipëri dhe iu përkushtuan Xhihadit në Siri. Tani ata janë kthyer, duke e rritur numrin e militantëve në një rajon që ISIS-i e ka quajtur “një front” i ri në Evropë.

30-vjeçari Yassin, i cili tani punon si kasap në një paralagje të Tiranës në Shqipëri, ka refuzuar që të tregojë emrin e tij të vërtetë nga frika se mund të përndiqet.

Ai ishte plagosur në qytetin sirian të Aleppos në vitin 2014. Tani baba i tre fëmijëve, Yassin i ka thënë AFP-së se ai kishte ikur nga Shqipëria për të ndihmuar popullin sirian, duke shpresuar se Allahu do t’ia pranojë sakrificën, edhe pse nuk ka rënë si martir.

Ndërsa, Albert Berisha nga Kosova, 29 vjeç, i diplomuar në shkencat politike, ka thënë se kishte marrë një vendim “nën emocione” për të shkuar në Lindjen e Mesme, pasi që kishte parë në televizion dhe në rrjetet sociale se ç’po ngjet në Siri.

Berisha nuk ka mundur t’i ikë vëmendjes së autoriteteve të Kosovës. Muajin e kaluar, ai u dënua me tre vjet e gjysmë burg.

AFP raporton se rreth 300 kosovarë dhe rreth 120 shqiptarë kanë shkuar për Xhihad në Siri, duke i vendosur vendet në mesin e shteteve më të prekura për kokë banorë nga fenomeni i xhihadizmit.

Sipas statistikave qeveritare, deri tani, 30 luftëtarë janë kthyer në Shqipëri dhe rreth 120 në Kosovë nga rajonet në Siri ku zhvillohen luftimet.

Analisti i çështjeve fetare Ermir Gjinishi ka paralajmëruar se “nëse ne nuk i integrojmë të kthyerit në shoqëri, nëse i margjinalizojmë, ish luftëtarët që kthehen në vendin e tyre mund të provokohen për të kryer akte ekstreme”.

AFP ka përmendur edhe një video propaganduese të ISIS-it të publikuar një vjet më parë, e cila titullohej “Nderi është në Xhihad: Një mesazh për popullin e Ballkanit”, ku rajoni ishte përshkruar si një “front i ri” për Xhihadin në Evropë.

Myslimanët në Kosovë dhe Shqipëri historikisht kanë qenë liberalë, por në rrugët e Prishtinës, gratë e mbuluara me hixhab, burrat me mjekra dhe me pantallona të shkurtuar te këmbët shpërfaqin tërthorazi një lloj radikalizmi të fshehur.

Sipas statistikave të Bankës Botërore, paga mesatare në Kosovë është rreth 330 dollarë, dhe ndjeshëm më e lartë në Shqipëri prej 370 dollarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat