Toleranca ndërfetare në Kosovë është konsoliduar

Religjion

Toleranca ndërfetare në Kosovë është konsoliduar

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 19:03
Pamje nga takimi

Raportet mes komuniteteve fetare, çfarë duhet të bëjë shoqëria kosovare për një bashkëpunim më të mirë mes këtyre komuniteteve, si dhe cilat probleme mund të zgjidhen përmes një komunikimi më të mirë mes liderëve fetarë në Kosovë, ishin kryesisht çështjet të cilat u diskutuan në Konferencën me temën "Raportet ndërfetare në Kosovë" që u mbajt të martën në Mitrovicë.

Në këtë konferencë të organizuar nga RTV Mitrovica dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë,  kanë marrë pjesë  përfaqësues të  komuniteteve fetare në vend, shefi i OSBE-së  në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, si dhe ambasadorë  të vendeve të ndryshme të akredituar në Kosovë. 

 Shefi i OSBE së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger, ka thënë se Kosova ka pasur një përmirësim sa i përket raporteve të komuniteteve ndërfetare,  Ai ka shtuar se misioni që ai udhëheqë,  ka ndihmuar dhe mbështetur dialogun ndërfetar.

Jean-Vlaude Schlumberger:  Kemi parë përmirësime të qëndrueshme

 “Ne kemi parë përmirësime të qëndrueshme në të gjitha aspektet dhe mund të thuhet se dialogu është zhvilluar në vitet e fundit, liderët janë më stabil dhe kanë treguar një mirëkuptim të madh ndaj njëri tjetrit ndaj disa çështjeve të përbashkëta, dhe kjo jep një mesazh të fuqishëm tolerance në të gjitha aspektet.. siç e dini ne kemi mbështetur dialogun ndër fetar” , tha ai.

 Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur asnjëherë konflikt religjioz, por etnik.

 Resul Rexhepi nga BIK-u, ka potencuar se feja në çdo kohë dhe vend ka qenë tepër domethënëse për realizimin e një jete të qetë në të cilën duhet të dominojë vetëm e mira.

 Ai shtoi se raportet ndërfetare me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër janë konsoliduar.

 “Raportet në mes të komuniteteve fetare në Kosovë të cilat gjatë luftës u luhatën sado pak, gjithnjë e më tepër kanë ardhur duke u konsoliduar…Natyrisht, a ka mundësi të ketë një bashkëpunim më të mirë ose më të pakët, është çështje që mund të diskutohet. Por, mund të them me dëshirë se BIK-u po flas vetëm për periudhën e pasluftës, me bashkësinë fetare katolike nuk kemi pasur asnjë problem, madje kemi pasur raporte të shkëlqyera mund të them. Do të dëshironim që të njëjta raporte të kemi edhe me kishën ortodokse serbe, të cilat lufta sado pak i ka luhatur. Megjithatë, ne kemi bërë të pamundurën që këto raporte ti relaksojmë”, ka thënë Rexhepi.

 Artur Krasniqi, përfaqësues i kishës protestante në Kosovë, ka përmendur kontributin e OSBE-së që ka dhënë në përafrimin e komuniteteve.

 Sipas tij, toleranca fetare në Kosovë shpesh përdoret vetëm atëherë kur duhet të keqpërdoret për nevojat e politikës ditore, ndërsa ka potencuar shqetësimin e tij për mungesën e varrezave për protestantët.

Ai tha se shërben në një kishë e cila është në zemër të Prishtinës dhe e rrethuar nga pjesëtarë të komunitetit islam, të cilët siç u shpreh ai, janë mbështetja më e madhe e punës së kësaj kishe, e shpeshherë edhe roje e saj.

 Sërgjan Stankoviq, përfaqësues i kishës ortodokse serbe në Kosovë, ka apeluar tek të gjithë për një angazhim më të madh në përafrimin e komuniteteve, sepse siç tha ai, ky proces kërkon një punë të jashtëzakonshme dhe të vështirë.

 “Si përfaqësues i kishës ortodokse kemi bashkëpunuar  në lidhje me shumë çështje si në nivelin qendror, regjional, ashtu edhe në atë lokal. Shumë herë pas luftës kemi tentuar që bashkëpunimi të niset nga një pikë e vdekur ku ka pasur rezultate të mira herë më shumë e herë më pak, por edhe me ndërprerje të përkohshme të tyre. Faleminderit Zotit që katër vitet e fundit po punojmë intensivisht dhe më seriozisht”, ka thënë Stankoviq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat