Gjurmët arkeologjike të kultit religjioz - Bota Sot
Gjurmët arkeologjike të kultit religjioz

Religjion

E mërkurë, 21 shkurt 2018

Gjurmët arkeologjike të kultit religjioz

Nga: Dedë Palokaj, arkeolog Më: 23 qershor 2017 Në ora: 08:04
Dedë Palokaj, arkeolog

Njëra ndër çështjet më të lashta e cila e preokupoi shpirtin e njeriut, padyshim është ndjenja fetare. Qyshë me paraqitjen e njerëzve të parë, ekzistojnë edhe gjurmët e para të religjiozitetit. Të gjitha kulturat dhe qytetërimet botërore janë të përshkuara me religjiozitetin. Religjioni dhe religjioziteti e prekin thellë shpirtin e qenies njerëzore, dashtë e padashtë, diçka që njeriu nuk mund t’a mohoj. Po e mbylli njeriu derën e transcendencës, ‘Ens primum’ dhe çështjen e përjetshmërisë apo të “Matanshmën”, atëherë i magjepsur nga bukuria e krijesave me entuziazëm të madh mund t’i kthejë krijesat në idhuj e t’i adhurojë ato si hyjni deri në përulje.

Shikuar nga ky aspekt, etnologjia, antropologjia dhe historia e religjioneve nuk njohin ndonjë epokë të njerëzimit pa religjion dhe as një popull areligjioz që së paku nuk e ka një formë të religjiozitetit të vet.

Që nga zanafilla e njerëzimit e deri më sot e kësaj dite, religjioni ishte dhe mbeti i pranishëm në të gjitha periudhat dhe në të gjitha kulturat e qytetërimit njerëzor. Çdo shoqëri dhe çdo epokë e zhvillimit të saj, ka patur dhe ka qenë e “ngjyrosur” dhe e vulosur me religjionin e vet.

Në Greqinë e lashtë qyshë në shek.VII para Krishtit kur zuri fill materializmi filozofik, përkrahësit e materializmit (Talesi, Anaksimandri, Anaksimeni, Herakliti, Anaksagora, Demokriti, Epikuri etj.) u përpoqën ta shpjegonin ekzistencën (jetën) me ndihmën e materies, duke pohuar se materia është realitet parësor e pakrijuar dhe e pazhdukshme. Sipas materialistëve, materia rastësisht e paska krijuar jetën, kurse njeriu na qenka produkt i materies dhe gabim i natyrës. Ky botëkuptim fillestar naiv pësoi trajta të ndryshme gjatë historisë, por në thelb mbeti i njëjti dhe nuk pushoj deri me sot e kësaj dite.

Religjionet të cilat nuk iu drejtuan zbulimit Hyjnor që e bën të dallueshëm nga religjionet tjera (Budizmi, Hinduizmi, Konfuçianizmi, Taoizmi etj.), mbetën thjeshtë përpjekje njerëzore, religjione natyrore me plot devijime dhe mite - diçka e pabesueshme. Në Indi p.sh. lopa konsiderohet si e shenjtë dhe miliona njerëz vuajnë nga uria duke refuzuar ngrënien e mishit të kafshëve.

Mjedisi oriental dhe kulturat e lashta (Egjipti, Babilonia, Greqia, Roma etj.) për të ndërhyrë në fshehtësitë qiellore dhe njerëzore përdornin: fallin, ëndërrat, astrologjinë, magjinë, teozofinë, ezoterizmin, spiritizmin dhe praktikat e shumta okultiste. Këto praktika krejtësishtë të gabuara zbatohen edhe sot e kësaj dite kudo në botë. Madje në popullin tonë shqiptare ky mashtrim ka marrë hov të madh.

Këndvështrimi i filozofisë greke njeriun e shqyrton si mikrokozmos që lidh dy botëra: shpirtëroren dhe materialen.

Në të kaluarën e largët parahistorike na çon arkeologjia e cila na bën të mundur ta hedhim shikimin mbi kohën para lindjes së shkrimit. Edhe para shfaqjes së ideve fetare të njëmendta, qysh në epokën parahistorike ka ekzistuar kulti për të panjohurën në lidhje me objekte, gjallesa apo dukuri natyrore. Gjatë gërmimeve arkeologjike, pranë vegëlave të punës dhe armëve luftarake, hasim edhe altar kulti apo flijimi kushtuar perëndive që dëshmon vetinë religjioze të njeriut të kohës. Ky kult kishte si shkak frikën, habinë e admirimin në drejtim të së panjohurës në natyrë e në jetën e njerëzve. Janë këto përfytyrime të mjegullta të foshnjërisë së njerëzimit për të cilët Zoti dhe bota ku jetonin ishin të panjohura.

Në bazë të studimit të shtresave gjeologjike, gurëve gelqeror dhe fosileve të ndryshme, llogaritet se toka si planet të jetë formuar rreth 4, 6 miliard vjet më parë, aq sa është i vjetër Dielli dhe planetët tjera. Gjurmët e jetës primitive janë zbuluar në shtresat e lashta shkëmbore rreth 3,5 miliard vjet. Në fillim jeta përbëhej nga bakteret e algëve të thjeshta shumë të vogla njëqelizore. Edhe pse kemi një pamje të zbehtë për zanafillën e krijimit dhe të njerëzimit, arkeologjia dhe paleoantropologjia kanë arritur të depërtojnë shumë larg në të kaluarën.

Sipas rezultateve hulumtuese arkeologjike në lokalitetin Purgatorë Hili në Shetet e Bashkuara të Amerikës, janë zbuluar gjurmet e hominoidëve të hershëm të cilët kanë jetuar para 65 milion vjet. [5] Nga Hominoidët (Hominoidae) evolucionistët i kërkojnë rrënjët e të parëve tanë. Në rëndin e hominoidëve evolucionistët e futën edhe njeriun bashkë me të gjitha llojet e majmunëve të cilët jetuan në epokën e miocenit (epoka gjeologjike e zhvillimit të Tokës). Duke jetuar në një shkallë shumë të ulët të zhvillimit dhe transformimit në zona të ndryshme gjeografike të botës si psh. në Afrikë, Europë, në Lindjen e Mesme, Azi etj., rreth hominoidëve janë krijuar hipoteza të shumta, por dy shkolla të mendimit janë më të theksuara: Njëra e cila thekson transformimin e hominoidëve dhe vazhdimësinë multiregjionale, kurse shkolla e dytë sugjeron se hominoidët kanë një origjinë të vetme për njerëzit modernë të cilët evoluan relativisht herët në Afrikë (në Keni, Tanzani etj.) e pastaj migruan në Euro - Azi dhe vende tjera të botës. Në bazë të studimit të eshtrave të gjetura dhe dëshmive të veglave të punës të punuara nga hominoidët, kjo shkollë e fundit sugjeron se gjenet e të gjithë njerëzve modernë erdhën nga Afrika.

Studiuesi i njohur Lee Berger, paleoantropolog gjatë kërkimeve të shpellave në afërsi të Johanesburgut, në Republikën Jugafrikane, ka zbuluar eshtra shumë të ruajtura të një fëmije që mendohet të jenë të vjetra rreth 2 milionë vjet. Ndërsa Universiteti Amerikan i Tiranës, në qershor të vitit 2009 në Spanjë zbuloi eshtrat e një hominoidi mashkull (Supërfamilja Hominoidea) i cili ka jetuar para 12 milion vite (Epoka e Miocenit të Mesëm) të panjohur më parë të cilin e “pagëzuan” me emrin “Lluc”. Mirëpo këto shkolla mbi hominoidët me shumë prova arkeologjike, anatomike, gjenetike dhe paleobiologjike kanë nevojë të rishqyrtohen dhe të rivlerësohen sipas kërkimeve dhe studime të reja shkencore dhe të lirohen nga supozimet e biologëve dhe nga skenari i evolucionit.

Edhe pse shumica e ngjarjeve gjatë kësaj periudhe e cila zgjati më së shumti janë zhvilluar në fshehtësi mbuluese për ne, hulumtimet arkeologjike dhe paleontologjike kanë dëshmuar se njerëzit e periudhave të hershme parahistorike të cilët jetonin nëpër shpella në një mënyrë kanë qenë religjioz. Në kët periudhë të hershme të njerëzimit vihet re si njerëzit më primitivë janë kujdesur për varrimin e të vdekurve. Këtë e vërtetojnë gjetjet e ndryshme arkeologjike si psh: objktet e kultit, vizatimet nëpër shpella, gdhendjet në gurë, pastaj ritualet dhe përfytyrimet e ndryshme magjike, nderimi i të vdekurëve, mënyra e varrimit etj.

Në fazat e hershme të zhvillimit të njerëzimit burimi i jetës (Ai që ka dhuruar jetën) konsiderohej dhe trajtohej si hyjneshë e cila nga errësira misterioze e barkut i lind të gjitha. Sipas besimeve të hershme edhe vet natyra trajtohej si hyjneshë e madhe. Njerëzit shpallnin dashurinë ndaj kultit të natyrës dhe krijesave natyrore në formë këngësh dhe vallëzimesh më të ndryshme. Duke u bërë imazh i shumë fiseve dhe popujve të botës, “Nënës Natyrë” i besohej sepse ajo ia dhuron dhe ia merrë jetën kuj do. Kështu religjioni i hyjneshave e përcolli njeriun që nga fillimi.

Fazat më të hershme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore ishin nën pushtetin dhe ndikimin e fuqishëm të materiarkatit.[6] Këtë e vërteton figura parahistorike e Venerës së Vilendorfit (sipas metodës C-14 është e lashtë rrethë 28 000 vjet para Krishtit)[7], hyjneshë e pllejshmërisë dhe amësisë e zbuluar afër Vilendorfit në Austri, një statujë 11, cm e gjatë si dhe qindra figura dhe simbole tjera religjioze të zbuluara në lokalitete të ndryshme arkeologjike përfshirë këtu edhe Dardaninë antike.

Me zhvillimin e mëvonshëm të shoqërisë njerëzore, forcat e lashta magjike marrin veti animiste, totemiste, panteiste etj. dhe bëhen pjesë përbërëse e religjioneve të ndryshme politeiste.

Në historinë e kulturës njerëzore, religjioni pati ndikim shumë të madh. Në përmasa të jashtëzakonshme religjioni ishte dhe mbeti i paevitueshëm nga skena botërore. Njerëzit ishin religjioz si në parahistori ashtu janë edhe sot, gjithashtu do të janë edhe nesër sepse njeriu është i tillë. Për kah natyra njeriu është i tillë dhe si i tillë do të jetë gjërsa të jetojë në këtë botë.

Të gjitha ndjenjat dhe vlerat estetike njeriu i vente në shërbim të Zotit dhe të hyjnive të imagjinaur duke i shprehur përjetimet religjioze në forma dhe mënyra më të ndryshme, qofshin ato përmes ndërtimit të objekteve të kultit, pikturës, skulpturës, muzikës, letërsisë, shkrimit, leximit, artit dhe jetës në përgjithësi.

Image
Rumani: Lokaliteti Tartaria. Pllakë gline me simbole piktografike – simbol i lashtë biblik i Pemës së jetës. Vinça - Tordosh (4 500 vjet para Krishtit).

Njeriu është religjioz jo pse këtë e kërkon dikush, por për arsye se në shpirtin e vet është i tillë. Të gjithë njerëzit e kanë të mbjell në zemrën e vet besimin në Zotin. Gënjejnë ata njerëz kur thonë se nuk besojnë, sepse kur vjen nata, kur janë në vetmi dyshojnë – thotë Seneka, filozof romak.

Njeriu me mendjelehtësi të cekët mund të thotë: unë nuk besoj. Por të jetosh sipas kësaj thënie dhe të heqësh dorë nga feja donë të thotë të jetosh në një gjendje të papërballueshme nihiliste. Sepse, nuk është fare lehtë t’i mohosh vlerat e fesë, të heqësh dorë nga burimi e ekzistencës nga i cili jetohet, kurse nga ana tjetër të kërkosh pikëmbështetje në ideologji, në besëtytni të gabuara dhe në gjërat e kalimtare që janë sot për nesër. Atë që Zoti kishte vendosur para “shekuj të shekujve” e kishte realizuar në çastin e krijimit të njerëzve të parë.

________________________________

[1] Mt  28, 20                                                                                       

[2] Katekizam Katolicke Crkve, Zagreb 1994, f. 44

[3] Shën Bernardi nga Clairvaux, Homilia super missus est. 4. II: Pl. 183, 86 B

[4] Heb  8, 10

[5] Dragoslav Srejovi?, Arheološki Leksikon, Beograd 1997, f. 378

[6] Materiarkat – lat. mater – nënë + gr. arhos – arhos – prijës, sundues. Formë e hershme e shoqërisë njerëzore, ku rolin drejtues në gjithë jetën ekonomike, shoqërore e familjare e luante gruaja dhe ku grupet gjinore krijoheshin sipas lidhjeve të afërsisë në vijën e grave.

[7] Srejovic, vep. e cit. f. 1098

[8] Radivoje Pesic.Vincansko pismo, Beograd 1995, f. 30. tab. XVII

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test