Liqeni i Vaut të Dejës, destinacioni i preferuar i adhuruesve të natyrës (Video)

Reportazhe

Liqeni i Vaut të Dejës, destinacioni i preferuar i adhuruesve të natyrës (Video)

Më: 6 shtator 2015 Në ora: 23:45

Liqeni i Vaut të Dejës në Shkodër është një resurs turistik shumë pak i njohur. I gjendur vetëm pak km larg kryeqendrës së veriut, kohët e fundit është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar për ata që adhurojnë natyrën dhe duan të eksplorojnë bukuritë e saj të pafundme.
Bukuritë që të ofron vendi ynë janë të shumta. Mjafton një shpirt eksplorues dhe destinacionet turistike gjenden lehtë, shpesh ato janë edhe më afër seç e kishe menduar.
Edhe kur sinjalistika mbetet e varfër, janë njerëzit ata që shumë mirë mund të orientojnë.
Liqeni i Vau-Dejësit në Shkodër, shumë pak i njohur për veçantitë e tij dhe bukurinë që fsheh destinacioni pak kilometra larg kryeqendrës së veriut.
Një panoramë magjepëse të rremben teksa udhëton në kilometrin e parë për Koman.
Sipërfaqja e liqenit e rrethuar nga kurora e gjelbërt e pishave është befasuese dhe menjëherë të krijohet përshtypja se një ditë e vetme është e pamjaftueshme për ta eksploruar këtë bukuri që të ofrohet.
Bukuritë e liqenit të shijojnë edhe më shumë kur je në shoqërinë e miqve. I tillë është grupi që kemi vendosur të ndjekim, të cilët pushimet i shfrytëzojnë për të zbuluar vende të paeksploruara më parë, apo pak të dëgjuara për ta.
Këta të rinj kanë ardhur me biçikleta që nga qyteti i Shkodrës. Jane nisur herët në menyrë të organizuar në një trajektore që kaloi permes komunës Gur i Zi, e më pas në bashkinë Vau – Dejës, për tu kthyer majtas në kilometrin e parë, që të çon në Koman, aty ku dhe bukuritë natyrore te liqenit janë më të theksuara.
Të bëhesh pjesë e një grupi nuk mjafton vetëm rezistenca në pedalim, por mbi të gjitha duhet ta duash natyrën.
Bregu i liqenit këtu pothuajse është i zbrazur nga pushuesit. Rallë gjen ndonjë familjar, kryesisht ata të zonës, ndonëse distanca nga Shkodra është vetëm 23 km.
Liqeni dhe gjelbërimi i pishave qëndrojnë në përqafim të njëri-tjetrit. Freskia ka dominuar ajrin dhe tingujt karakteristike të shpendëve apo drurëve të dhurojnë një kënaqesi me vete.
Liqeni i Vaut të Dejës ka një sipërfaqe prej 24.7 km, me thellësi maksimale 52 m, formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin më 1971, ku është ngritur hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Liqeni është magjepsës teksa kalon nëpër gryka të ngushta malesh, apo brigje pyjesh.
Liqeni shërben edhe për transport, peshkim e turizëm. Në liqenin e Vau Dejësit mund të bësh një alternim të mirë, mes banjove në ujërat e embla dhe eksplorimit të natyrës.
Por udhëtimit kemi vendosur t’i japim të tjera dimensione, duke prekur edhe magjinë e ujrave të liqenit të Shkodrës, në brigjet e panjohura të tij për shumë pushues.
Zona e livadheve, siç njihet nga banorët e Shkodrës, është pushtuar nga gjelbërimi, por monopatet që të çojnë drejt liqenit qëndrojnë të hapura. Duket sikur kuajt mund t’i gjejnë monopatet edhe pa ndihmën e kalorësve.
Por si është realiteti për nostalgjikët që në vite e kanë frekuentuar këtë zonë?. Astrit Bilali është një prej të apasionuarve të zonës, që jetën e tij e ka të lidhur me liqenin, kalërimin dhe prezantimin e bukurive të këtyre brigjeve.
Jo vetëm natyra, por edhe pasioni i banorëve është impresionues. Racat e zgjedhura të kuajve është befasia e parë. Kuaj të lartë, elegante, me çdo detaj që dëshmon një kujdesje profesionale ndaj tyre për të mbërritur në imazhin dhe fuqinë që ata kanë sot.
Herë pas here biseda lidhet me të kaluarën e tyre, që në kohën e funksionimit të zooteknikës, kohë në të cilën u lind edhe dashuria për kuajt.
Në një moment shfaqja bëhet edhe më emocionuese, teksa kuajt futen në ujrat e liqenit bashkë me kalorësit.
Edhe pse kemi të bejmë me raca cilësore dhe kuaj të jashtëzakonshem, ata nuk marrin asnjë lloj mbështetje nga strukturat e bashkisë Shkodër, qoftë edhe në kuadrin e shtimit të vlerave turistike te vendit tonë.
Nuk u jepet asnje mundësi të tregojnë punën e tyre në organizime të aktiviteteve në ditë të shënuara apo dhe gjatë sezonit veror.
Kjo është pasqyra e bukurive të Shkodrës, përtej zonave të njohura dhe të promovuara në vite.
Mjafton që pushteti vendor dhe ai qëndror të koordinohen mes tyre, të mbështesin fuqishëm turizmin dhe nga kjo ndërthurje me bukuritë e pakursyera të natyrës, do të ishte edhe një burim i mirë të ardhurash për shumë familje shkodrane.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat