Loti i Çamërisë - Bota Sot
Loti i Çamërisë

Reportazhe

E diel, 18 shkurt 2018

Loti i Çamërisë

Nga: Mustafa Ismaili, shkrimtar, Kanada Më: 13 tetor 2016 Në ora: 23:54
Çameria

. Një ndryshim i papritur

. Udhëtim në Jug të Gadishullit Ballkanik

. Perveza e magjishme

. Shovinisti i çartur

. Në përkujtim të martirëve

1.

Sa herë ma djeg shpirtin  kureshtja për gjërat që më pëlqejnë e më fiksohen në kokë, marr  guximin   e  bëj të gjitha përpjekjet për t’i shkuar  qëllimit apo të vërtetës gjer në fund. Nuk ke çfarë bën, i tillë jam gatuar. Nuk heq dorë lehtë nga synimet, qoftë edhe duke bërë ndonjë "mëkat" të vogël  në rrugën e qëllimit.... Ka një proverb; vetëm i dekuni nuk bën gabime. Lëvizja për mua është jetë. Për të ardhmen nuk nxitoj shumë pasi jam i vetëdijshëm  se ajo do të vijë dhe do të më presë mua në se arrij atje! Pra, mundohem të shfrytëzoj të tashmen. Normal edhe të punoj për të, këtë ma ka mësuar eksperienca ime që është çelësi i diturisë. Kam ca hobe që më pëlqejnë. Njeri prej tyre është udhëtimi.

Erdhi pranvera, filluan pushimet dhe në  trurin tim u zgjua emri i Skandinavisë. Nuk kam qenë ndonjëherë. Mora hartën përpara dhe po lexoja me vëmendje shtetet me radhë;  Danimarkë, Norvegji, Suedi dhe Finladë. Forma, gjelbërimi, bluja e detit dhe e liqejve, pozita e tyre gjografike më tërhoqi si magnet dhe me çoi në  vendimin  përfundimtar, të bëja një trip aty. Për koincidencë, rastësisht, të  nesërmen më telefonoi kushëriri im i parë nga Zvicra, Muharremi. Kam shumë të afërt në fisin tim, por me Muharremin bash jemi sikundër vëllezër. Pas përshëndetjes ia tregova  idenë time për udhëtimin që kisha ndërmend në Gadishullin e Skandinavisë.

-  Hajde, hajde, befasi e radhës... - u dëgjua zëri i njohur nga larg, matanë receptorit të telefonit. - Sa do të qëndrosh? -  më pyeti ai pa e përfunduar unë fjalinë e parë.

- Ndoshta dy   javë. -  iu përgjigja. Pasi e mori vesh se ende  nuk e kisha prerë biletën, më tha: 

- Dëgjo,  unë i  kam dy javë pushim, nëse dëshiron, eja në Zvicër dhe nisemi fill për në Çamëri e Kalabri,  e kemi obligim ta njohim më mirë kombin tonë. Një javë e bëjmë në Çamëri dhe tjetrën e kalojmë në Kalabri. Mendoj se do të ndahesh i kënaqur nga ky udhëtim midis shqiptarësh. Unë jam kureshtar t’i njoh nga afër, pastaj  vazhdoi ai, dhjetë ditë të tjera, po deshe shko në Skandinavi.

Ula receptorin e telefonit dhe u zhyta në mendime. Çamëria, ish tokë shqiptare, suliotët, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Xhavella, dëbimi i popullsisë shqiptare më 1913, 1923, 1938, dhe më 1944-45 genocid, sikundër historikisht ka ndodhur edhe në Kosovë. Vrasje masive, djegje, dëbime...Ndjeva se në shpirtin tim u zgjua gjaku i të parëve të mi. Si nuk më shkoi më parë ndërmënd !? Ide e qëlluar. Gati sa nuk fluturoja nga gëzimi. Pa humbur kohë  iu përgjegja kushëriut se pajtohesha me propozimin e tij. Muharremin jo vetëm e kam të afërt, por ai është një patriot i vërtetë, intelektual i mirëfilltë dhe mëndjemprehtë. Ka mbaruar Fakultetin e Biologjisë me rezultate të shkëlqyera e më vonë ka mbrojtur doktoraturën. Tani punon në Kantonin e St Gallenit në Zvicër, i angazhuar në laboratorin mikrobiologjik, një nga kompanitë më prestigjoze dhe të specializuara në botë për prodhimin e preparateve të pasura me hekur për trajtimin e rasteve me deficit të hekurit në gjak tek kafshët si dhe anemive akute .

Udhëtimi së bashku me të do të ishte vërtetë një kënaqësi e madhe.  E kam djalë axhe dhe jam shumë i lidhur me të, ai është tre vjet më i ri se sa unë. Në rininë tonë të hershme kemi ndërmarrë një tjetër aventurë; atëhere kishim në disponim nga një motoçikletë gjermane të tipit MZ. Udhëtuam nëpër Bullgari, ndërsa në Greqi na ndalën në kufi dhe nuk na dhanë liri të vazhdonim për aty.

Qysh atëhere e patëm peng që nuk shkuam në Çamëri, por ja ku erdhi rasti. Sa herë  kemi udhëtuar së bashku, jemi ndarë me mbresa të pashlyeshme.

- Më lajmëro  kur je gati, të  pres biletën! - i thashë.

- Llogarit, që nga fiillimi i javës që vjen, jam  nën hyqmin tënd,  gjashtëmbëdhjetë ditë të plota.- më tha ai.

- Dakort. - iu pergjegja dhe i premtova se menjëherë do të interesohesha  të nxirrja biletën. Pa humbur kohë, të nesërmen   e mora biletën me destinacion Toronto -  Amsterdam - Zurich dhe ansjelltas, për   26 ditë. Llogarita se koha duhet të ishte e mjaftueshme për të vizituar edhe Skandinavinë. E lajmërova Muharremin se  do të nisem pas tre ditëve. I tregova orarin  e mbrritjes në  Zurich. Ai u gëzua pa masë dhe mori përsipër se do të intersohej menjëherë për  akomodimin.

Gjatë fluturimit,  në brendinë e barkut gjigand të flturakes, isha tretur me mendje  diku larg,  atje në Kalabri  e Sicili ku mërguan të detyruar të parët tanë, arbëreshët. Përsëri më  erdhën në mendje  nga mësimet në Fakultetin e Letërsisë në Prishtinë, shkrimtarët  romantikë dhe historianët arbëreshë, rilindasit Jeronim De Rada,  Gavrill dara  Plaku dhe i Riu, Zef Serembe , Lekë Matrënga,  Nikolla Keta, etj. Ata lanë gjurmë të arta duke u flijuar për gjuhën shqipe, traditën, historinë dhe kulturën shqiptare, edhe pse të shkëputur nga trungu amë.

Vëmendja ime do të ishte e mangët vetëm duke u fokusuar këndej Adriatikut, në mënyrë të natyrshme ajo  më  rrëshqiti  në anën tjetër të Jonit, të asaj toke të shenjtë  shqiptaro-çame, pjesë e kombit tonë. Në breza do të kujtohen vuajtjet, përdhunimet, vrasjet, djegjet, shpërnguljet dhe tërë ai genocid ndaj kësaj pjese të pafajshme të popullit shqiptar. Kisha lexuar shumë për këtë  komunitet të torturuar sistematikisht  nga qeveritë shoviniste  greke. Më  silleshin vërdallë në mendje  dhe më çfaqeshin përpara syve ato tortuara aq shumë çnjerëzore; i krahasoja me torturat  dhe genocidin serbosllav që  i ishte bërë popullit të pafajshëm shqiptar në Kosovë , Iliridë, Mal të Zi dhe Luginë. Viktimë e këtij genocidi isha edhe unë me familje time. Dy djem të axhës, Ismaili e Nuhiu u rrëmbyen në Fushë-Kosovë prej bandave serbe në luftën e vitit 1999. Dhe nuk u kthyen kurrë pranë vatrave të tyre. Eshtë kjo arësyeja që personalisht unë jam kaq i ndjeshëm ndaj çdo padrejtësie që i bëhet çdo lloj etnie. Sa herë mendoj për këtë popullatë shqiptare në jug të vendit tim, të torturuar kaq mizorisht, më hipën një tërbim i paparë dhe atëhere nuk i kontrolloj dot emocionet. Pyesja veten: ku janë ata heronj shqiptarë e heroina që dikur mbuloheshin me lavdi  për mbrojtjen e territorit, nderit e moralit të familjes!? Një gjë  mjerisht do ta pranoja, ndoshta edhe e kam gabim, ne shqiptarët jemi të përçarë dhe të paorientuar, të mos them më të prapambeturit në Europë. Akoma nuk kemi zënë mend nga pësimet  dhe dështimet në historinë  e largët dhe të afërt. Me sa duke paguajmë haraçin që ia bëmë vetes duke i ndihmuar armiqtë  shekullorë, nga osmanët që na sunduan e masakruan plot 500 vjet, shkau mbi 150 vjet dhe greku po aq.  Sa shumë e trishtë. Akoma rrënqethem kur lexoj se grekët ua nxirrnin sytë çamëve  me  lugë të ndryshkura  dhe ia dërgonin Gjin Bua Shpatës në shportë sikur të ishin fiq. Misioni i tyre ishte që gjuha dhe kombi shqiptar  të zhdukej njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Më erdhën në mendje fjalët e gjeneralit famëkeq shovinist grek, katilit Napoleon  Zerva, i cili para vdekjes tha.

- Po vdes i lumtur dhe i qetë, e bëra atë që doja. Lashë mbrapa tym e rrëke gjaku, gërmadha, blozë, ulërima fëmijësh, nuse e gra të xhveshura që i kallëm në furrat e ndezura për të mos lindur kurrë më  shqiptarë të rinj! Pastaj lashë mbrapa burra të shpuar me bajoneta, trashëgova shumë gjëra të mira për grekët, bëra që gjuha shqipe  të  mos flitet  më në tokën helene! Pra, kjo më kënaq mua ashtu siç kënaq çdo shpirt greku!

Dhe unë pyes i revoltuar deri në kupë të qiellit: Ku janë  ato qeveri të kaluara dhe të tashme që nuk i shpallin shovinistët grekër armiqtë tanë shekullorë  dhe t'ua kujtojnë gjeneratave  të reja  në lëndën e historisë  shkollore si pushtues dhe armiq të përbetuar të kombit shqiptar!? Kisha humbur në mendime...

Zhurma e vazhdueshme e aeroplanit  mbi Oqeanin Atlantik më gjëmonte në kokë duke u përzier me  idetë e turbullta posi ato shëllungat e reve që notonin poshtë  krahëve të fluturakes dhe  krijonin figura misterioze duke ndryshuar formën nga era që i shtynte kuturu. Nuk më hiqej nga kryet shprehja "...bëra që gjuha shqipe të mos flitej më në tokën helene." dhe mendoja me  dhimbje shpirtërore:  Si është e mundur që një popull kaq i lashtë të jetë kaq shumë i robëruar, i përbuzur e të mos arrijë të çlirohet nga vargojtë e së keqes?! A thua vallë  nuk jemi të bindur në mes veti dhe nuk e përkrahim sa duhet njeri tjetrin duke i hapur kështu rrugë përçamjes, duke i lënë vend dhe hapësirë të huajit të na shkoqë e të na shpartallojë edhe më shumë? Fatkeqësisht kjo dukuri e mosbashkimit është një sëmundje gjithëkombëtare; sa më të veçuar, aq më të humbur jemi. Ne shqiptarët kemi një të metë tepër të madhe, më shumë i besojmë të huajit se sa njeri tjetrit. Dhe ata na përdorin neve si mashë të mbrritjes së qëllimit të tyre e pastaj na hedhin prapa krahëve duke fshirë bëmat dhe historitë tona, duke na futur kështu në arkivat e harresës. Jemi një komb, një gjak, besojmë në një Zot, por....

 Fillin e mendimeve ma preu zëri i stjuardesës nga mikrofoni që kish qëlluar mbi kryet e mi. Zëri  lajmëroi se pas 15 minutash do të preknim tokën e aeroportit të Amsterdamit.

Kisha plot pesë orë në dispozicion deri sa të merrja fluturimin tjetër. Çamëria dhe çamët nuk më shlyheshin nga mendja. U solla krejt pa lidhje në mjedisin tranzit deri sa mora fluturimin për  Zurich.

2.

Zvicrën e njoh në pëllëmbë të dorës nga që aty kam emigruar për herë të parë. Në qytetin më të madh të helvetëve  binte shi dhe temperaturat ishin më të ulta se sa në Kanadanë e largët. E dijsha se  im kushëri, Muharremi, ishte duke më pritur jashtë daljes nga kompleksi i  bordit, matanë  doganës. Që nga aeroporti i Torontos, me një kompleks më gjigand servirjes nga ai i Amsterdamit e Zurihut, e njëta gjë ishte magjepse me shërbimet cilësore ndaj pasagjerëve të shumtë që shkonin turma-turma, pa u ndalur fare dhe dilnin jashtë bordit doganor duke u shpërndarë seicili në drejtim të vet.

Sapo mbarova formalitetet me nëpunësit e kontrollimeve doganore, dola jashtë zonës dhe hapa celularin duke i bërë një telefonatë, por befasia më ndodhi kur vura re se ai kishte qenë duke më percjellë  nga një kthinë mbrapa rrethimit. Dikush më mbylli sytë si në fëmijëri, e mora me mend se nuk ishte askush tjetër veç Muharremit. I tërhoqa duart dhe ai ma ktheu i gëzuar përshëndetjen  duke u përqafuar vëllazërisht.

- Nuk mund të më ikësh, më tha, isha këtu duke pritur të më zbrisje nga qielli.

  Pasi  u përshëndetëm duke pyetur për familjet e njeri tjetrit, u futëm në  kthinën e parë të një restoranti,  ndërruam ca llafe dhe pimë kafen e mirëseardhjes. Folëm për udhëtimin drejt Çamërisë dhe vendosëm të niseshim menjëhërë. I hodha një sy makinës së tij akull të re të markës gjermane BMW. Transferova bagazhet e mia tek kjo bashkëshoqëruese e dashur drejt Jugut të gadishullit ballkanik. E nisëm rrugën me besimin e madh tek Zoti duke mos ditur se me çfarë të papritura do të ndesheshim gjatë këtij udhëtimi misterioz, aspak të zakonshëm. Ishte një errësisirë e frikshme dhe shiu si për inat e shtonte edhe më shumë dendësinë e zezë të natës. Megjithatë ne ishim të gëzuar që u takuam pas kaq shumë kohësh dhe bisedat tona herë pas here i ndërprisnin pllaquritjet e gomave të gjera të BMW-së duke çarë rrëkëtë e ujit që dilnin befas nga barku i natës dhe përhapishin ngado duke u shkarkuar me zhurmë në asfaltin e zi edhe më të errët se vetë nata.  Si pakuptuar mbrritëm në kufirin austriak dhe askush nuk na ndaloi apo kontrolloi në doganë, megjithëse nuk kishim asgjë për të deklaruar. Vazhduam rrugën.

Pas mesnatës, sapo kaluam Vienën,  ndaluam në një pikë karburanti ku përfshiheshin një kompleks restorantesh dhe një motel. Deshëm të merrnim një sy gjumë, por nuk na eci, nuk kishte  dhoma të lira dhe kështu vazhduam drejt Hungarisë.

- Ku jemi kështu? - pyeta Muharremin i përgjumur duke fërkuar sytë. I lodhur nga rrugëtimi i gjatë, gjumi më kishte kapitur dhe nuk po kuptoja sa kisha fjetur e se ku ndodheshim.

- Pushove mirë, më tha kushëriu, ishe tepër i lodhur, jemi afër Budapestit.

Ndaluam përsëri për t'u furnizuar me karburant e për të ngrënë mëngjesin. Mbasi ndjehesha i shplodhur, këmbyem vendet me Muharremin dhe makinën e mora unë për vozitje. Kisha kohë që nuk kisha vozitur nëpër këto rrugë dhe po i përpija me kënaqësi, ishin ato hapësira që i kisha bërë në emingrimin tim të parë. Muharremi ishte shtrirë në sediljen e parë duke e lëshuar 45 gradë dhe as donte t'ia dijë për lëkundjet, bënte gjumin e një fëmije në djep, kështu për katër orë deri sa mbrritëm në kufirin serb.  Kaluam pa asnjë incident. Pasdite arritëm në Prishtinë. Ishim të lodhur e të këputur në një udhëtim maratonë prej 15 orësh. Prishtina jonë, e pastër, e bukur, e lirë. Na dukej si ëndër. Na dukej sikur edhe rrugët, edhe banesat, edhe njerëzit na thoshnin: "Gëzohuni me ne, jemi të lirë". Kështu e kishim ëndërruar Kosovën, vetëm shqip.

Fjetëm  në apartmentin e Muharremit  nga pasditje e vonëshme deri në mëngjesin e hershëm. Pa u çmallur mirë me Kosovën, u ngritëm dhe vazhduam rrugën për në Shkup, i ramë nga Gjevgjelia.

Kishim hyrë në kufirin grek dhe për një farë kohe na pushtoi heshtja.  Të dy me Muharremin mendonim për Çamërinë. Edhe gjumin në një motel tranzit, më tej Selanikut, e bëmë me ndërprerje.

Të nesërmen, përmes rrugës kombëtare greke vazhduam për në qytetin e parë çam, Pervezë. Mbaj mend se dikur kjo rrugë ishte shumë e mirëmbajtur, por tani dukej  vende-vende e kafshuar. Kuptohej pasojat e krizës greke dukeshin ngado. Lavdia e dikurshme që na trumbetonin me aq bujë, ishte vyshkur. Edhe automjetet në qarkullim ndryshonin prej atyre të Europës, ishin më të lodhura dhe pa shkëlqim. Gjer në horizont, përpara nesh shtrihej një hapësirë pa fund, fusha të gjera dhe pemë mesdhetare, sidomos selvi dhe pisha të mbjella gjer në të dy anët e autoostradës sikur ishin të vizatuara në një pëlhurë gjigande. Ne bisedonim e komentonim duke krahasuar Greqinë që e kishim vizituar vite më parë.

Emrin e Pervezës e kishim futur në sistemin GSP dhe ndiqnim udhëzimet satelitore për të mbrritur sa më parë aty. E vizitonim për herë të parë. Nga guidat turistike kishim grumbulluar sa kishim mundur informacion gjeografik dhe kulturor. Dinim se në lindje e perëndim shtrihej buzë detit Jon dhe pas krahëve mbështillej nga Fusha Zonjë, siç e quanin çamët.  Qarku i Pervezës është i përshkruar prej tre autostradave kombëtare përgjatë bregdetit Jon. Duket që është qendër e rëndësishme turistike. Shiu thuajse si për inat nuk ndalej, sikur donte të na pengonte, por ne ishim të vendosur të mbrrinim sa më parë aty.

3.

Pas dy ditë udhëtimi më në fund arritëm. Mbrritëm në Pervezën e artë. Muharremi ishte kujdesur për të na rezervuar hotel. Më parë se të shkonim aty i erdhëm rrotull qytetit duke kaluar herë në rrugë të asfaltuara e herë në rrugica të vjetra të shtruara me kalldrëm. Binin në sy një numur i madh restorantesh  dhe shtëpish të tipit të vjetër me një arkitekturë të modelit bregdetar, shtëpi me kulme të rrafshta mbi të cilat dominonin çisterna horizontale, uji i të cilave ngrohej nëpërmjet paneleve diellore. Njerëzit nxitonin rrugëve duke ecur më këmbë, hipur mbi bicikleta apo motorë të vegjël që u thoshnin "papaqi" të cilët manovronin lehtësisht në rrugët e ngushta me kalldrëm. Të krijohej përshtypje se këta banorë janë punëtorë të palodhur ku secili shfrytëzon me nikoqirllëk hapësirën e vet. Para syve kudo na  dilnin pllakata  të mëdha me oferta e mbishkrime  për dhoma të lira gjumi.  Më në fund e gjetëm hotelin tonë të rezervuar qysh më parë. Së jashtmi dukej një objekt shumë tërheqës, dritare të mëdha dhe me fasadë ngjyrë rozë që bënte kontrast me blunë e detit. Dhjetë metra më tej shtrihej bregu i pafund. Parkuam mbrapa godinës ku mund të hynin vetëm mysafirët e rezervuar dhe u bindëm që makina atje ishte e sigurtë.  Në recepsion na pritën dy djem të rinj të buzëqeshur duke na uruar mirëseardhjen me një anglishte të pastër e të rrjedhëshme. Bëmë pagesën për një natë dhe njeri prej djemve na ndihmoi të mbartnim bagazhet prej makinës. Ashensori ishte aq i ngushtë sa valixhet për të mos zënë vend, i mbanim lart si trofe. Njeri nga ne të tre ishte i tepërt, por bëmë si bëmë dhe u ngjitëm lart. Freskia e detit kishte mbështjellë gjithë dhomën dhe shiu që nuk pushonte na pengonte të shijonim horizontin. Na u duk e akullt, ndoshta edhe nga ngjyra e kaltër me të cilën ishin lyer faqet e mureve.

Gjatë natës patëm ftohët, por të nesërmen mbetëm të mrekulluar kur nga ballkoni vumë re shtëpitë e rrethuara me avlli dhe  kopshtet rrotull të qindisura me agrume për bukuri. Potokalle, mandarina, ullinj shekullorë ngarkuar me kokrra rrëzëllitëse dhe aty këtu shikoje pemë fiku. Era shtynte gjethet e pemëve, thuajse u bënte thirrje të zgjoheshin nga gjumi e të shkundnin vesën e mëngjesit që perthyente rrezet e diellit. Këto argume ia shtonin edhe më bukurinë peisazhit. Andej, në anën tjetër, dukej një liman ku ishin ankoruar anije luksoze dhe jahte që lëkundeshin si lëvozhga arrësh mbi dallgët e detit. Dukej sikur na përshëndesnin me dorë e na uronin mirëseardhjen në Pervezën çame.

- Shiko çfarë bukurie, - më tha Muharremi, duke parë me syrin e biologut, - dimër verë gjelbërim. Tokë e begatë. Çfarë nuk rritet këtu! Bima kërkon jo vetëm tokë të shëndetëshme, por edhe lagështi e freski. Dielli mesdhetar dhe jodi i detit ushqen vetëm prodhime të shijshme, mbaje mend prej meje. Vendet ku rritet ulliri janë të bekuara nga Zoti. Territoret më pjellore, më të bukurat, Shqipërisë ia kanë rrëmbyer fqinjët me forcë dhe dredhi. Padrejtësi. Ishim të fundit që morëm pavarësinë dhe morëm jo atë që na takonte, por atë që kishte tepruar. Edhe ti e di se mbi kurrizin tonë është bërë tregëti e madhe. Me statistika, në vitin 1908, Çamëria, ashtu si Shkupi, banohej gati qind për qind me shqiptarë. - Të vërteta historike të hidhura. Psherëtitëm të brengosur dhe një lëmsh i madh na u ngjit në fyt.

Dolëm buzë detit ku binin në sy restorantet e ngjeshura njeri pas tjetrit. Dukej që konkurenca ishte e madhe sepse kudo reklamoheshin çmimet.  Ecnim shumë ngadal dhe lexonim një për një menutë. Kamarierët apo pronarët, duke na parë të ardhur rishtas, na bënin thirrje të hynim në lokalin e tyre. Ecëm disa qindra metra dhe më në fund u ndalëm në një lokal që tregëtonte fruta deti. Rrugën na e preu  një zonjë e re, shumë simpatike. Me buzëqeshjen e saj tërheqëse, dhëmbët  si inxhi e flokët të lëshuara ujëvarë mbi supe, na uroi mirëseardhjen. E bindur se do të ndalonim aty, filloi të na përgatiste tavolinën me fushëpamje kah deti. E pranuam mirësjelljen e saj  duke u ulur në tavolinën që tashmë e stolisi për ne.

E pranuam mirësjelljen e saj dhe zgjodhëm një nga tavolinatme fushëpamje. Ajo na solli një menu të ilustruar me foto se si dukej çdo lloj pjate gjatë servirjes. Edhe pse restoranti ishte i madh, veç nesh, nuk kishte asnjë klient tjetër. Zonja ishte kureshtare të dinte se kush jemi dhe nga vijmë. I treguam se jemi shqiptarë dhe vijmë nga Lugina e Preshevës. Pa humbur kohë, si e zënë në faj dhe pak e hutur, duke rregulluar tavolinën, tha:

- Si nuk paskam dëgjuar  për këtë vend dhe nuk di ku gjendet?!

- Në Kosovë, thashë unë,  është motra e vogël çame. -  Buzëqeshi, na zgjati dorën për herë të dytë dhe në gjuhën e bukur shqipe na udhëroi përsëri mirëseardhjen. Gjaku thërret gjakun. E habitëshme se si këmbët vetvetiu na çuan tek një shqiptare. Faqet i morën një ngjyrë të lehtë trëndafili.

  - Unë di pak shqip, tha ajo, jam arvanitase. Gjyshi fliste fare qartë, e mbaj mënd kur isha e vogël, fëmijë.  Asnjëherë nuk kemi pasur shkolla shqip, na ndaluan të flisnim gjuhën tonë. Dhe ja ku jemi tani... - pastaj hapi duart mbi tavolinë dhe shikoi mbrapa duke hetuar se mos e dëgjoi kush çfarë pohoi. Pastaj ngriti kryet, hodhi flokët mbrapa e gjithë krenari, tha:

- Nga Shqipëria kam dy goca kamariere. - Për të përshkruar bukurinë e tyre përdori një shprehje çame: "Janë për t'i pirë në kupë" - Pas tri ditësh vijnë, kanë marrë ca pushime. Të ishin këtu do flisnit shqip rehat- rehat. Njera prej tyre është martuar në Sarandë. Më ftuan edhe mua. Nuk e merrni me mend se sa jam kënaqur. Nuk e keni idenë se sa më pëlqeu mikpritja dhe zakonet e dasmës shqiptare. Kam kujtimet e mia më të bukura. - Pastaj nxorri celularin, e hapi tek fotot. Po shihnim kostume fantastike popullore, njerëz të gëzuar, nusja një zanë. Dëgjuam një video, ishte kënga "Tumankuqe vajza çame".  Kjo këngë më shtoi edhe më shumë nostalgjinë dhe dhimbjen  që kisha për këtë komunitet të heshtur në vendin e tyre të ndaluar. Pastaj Zonja u largua për të na sjellë pijet e radhës. Prodhimet e freskëta të detit, të gatura plot gusto, na shijuan së tepërmi. Dhe prej shtëpisë, në fund, Zonja na solli në një pjatë kos deleje dhe mjaltë. Na ngjau se ishim në vatrat tona e sikur ajo Zonjë na njihte prej vitesh. Bëmë pagesën, ajo nuk pranoi të marrë bakshish. Ishte gjesti për të vërtetuar se ne ishim vëllezërit e saj. Kur po bëheshim gati të dilnim, ajo na tha:

- Prisni, kam diçka speciale për ju.

- Paskemi tjetër surprizë, tha Muharremi. Ajo u zhduk për pak dhe pastaj u kthye me dy gota të mbushura buzë më buzë. I uli mbi tavolinë dhe tha:

- Gjyshi im e kishte shumë qejf këtë pije. Thoshte shqiptari këtu dallohet, tek rakia. Ama vetëm një dopio, jo më shumë se pastaj lë mendët në gotë. - dhe qeshi duke vënë në pah dhëmbët e bardhë si zaje lumi.

Realisht unë e cyta të fliste më shumë për arvanitët, por kur pa këmbënguljen time, dha një përgjigje të prerë, diplomatike, e cila kishte brenda një maraz të madh:

- Lexoni historinë reale të këtij vendi dhe aty do t'i merrni vesh të gjitha përgjigjet. - Unë kujtova policinë sekrete të Sllobodanit se si përgjonte tinëz dhe  mblidhte ngado informata për "irredentistët" në Kosovë. Dhe shqiptarët asnjëherë nuk flisnin hapur... Edhe këtu, po kështu. Dolëm të bindur se kjo Zonjë ishte me përvojë në profesionin e saj dhe shumë e matur për t'i mbetur besnik ligjeve të pashkruara greke që ndalonin këdo të fliste me turistët për çështjen çame.

4.

Ishte pasdite vonë. Dita  shkurtohej e muzgu sa vinte e shtohej  së bashku me  shiun qe nuk njihte të ndalur. Anëmbanë sundonte errësirë dhe përtej prozhektorëve të automjetit nuk dukej asgjë tjetër.

- Na qëlloi keq, tha Muharremi. - Dhe unë ia ktheva:

- Nuk janë pika shiu vëlla, janë lotët e vuajtjeve të popullit çam të torturuar e masakruar. Sipas dosjes që është dërguar në Gjyqin e Hagës, këtu janë torturuar, vrarë e masakruar pesëmijë jetë të pafajshme. Eshtrat e tyre nga nëntoka e Çamërisë kërkojnë drejtësi. Ndoshta po vjen dita e bardhë për Çamërinë. - Ecëm në heshtje, secili duke menduar në hesap të vet.

Rruga ishte e ngushtë dhe plot kthesa. U detyruam të ecnim ngadal dhe me shumë kujdes për të shmangur ndonjë të papritur. Diku  aty nga mesnata na doli përpara bujtina e një fshati afër Igumenicës. Përjashta shkruhej njoftimi në anglisht se kanë dhoma gjumi të lira. Vendosëm të pushonim aty. Trokitëm tek dera, por nuk na u përgjigj kush. E përsëritëm trokitjen dhe pastaj pamë se në korridor u ndez një dritë. Vumë re se nga të dy anët e korridorit dukeshin dyer dhomash. Tek pragu u duk një plak i përgjumur, i thinjur, veshur me nje palë pizhama lara-lara si lëkurë zebre. Plaku nisi të flasë, por nuk merrej vesh ngaqë e pengonte kolla. Ngriti perden e sportelit, një perde e vjetër ku dukeshin të vizatuara stampa të lulemimozave. Me nje anglishte të çalë, ai donte të thosh se kemi dhoma të lira, po sa doni, një dy, apo një të madhe me dy krevatë. Vetë fliste e vetë përgjigjej deri sa e mori vesh se ne donim një dhomë të madhe me dy shtretër. Hapi derën e korridorit dhe na tregoi dhomën, banjën, na dorëzoi çelësin dhe tha:

- Çmimi është 30 euro, për deri nesër në drekë, mëngjesi i përfshirë, ama të hollat i dua të gjitha tani. - Ia dorëzuam, i mori, fshiu me to mjekrën si për të thënë "Paçi dorën e mbarë" dhe pastaj u zhduk në kthinën e tij duke u lëkundur si pinguin sa andej këndej. Vazhdonte të kollitej.

 

Cicërima e harabelave pranë dritares na nxorri gjumin. Kishte lindur dielli. Ngado mbizotëronte qetësi dhe qielli ishte i pastër sikur gjatë natës nuk kishte ndodhur asgjë. Dolëm në oborrin e madh para bujtinës dhe u ulëm nën hijen e një portokalli. Moti ishte i kthjellët, me diell. Kishim parandjenjën se kështu do të vazhdonte. Aty më tej ishte një tavolinë e madhe ku rrinin e bisedonin ca pleq. Luanin bixhos-domino dhe herë pas here e ngrinin zërin në kupë të qiellit. Disa hapa më tej qëndronte një zonjë hijerëndë, por e veshur me shije, binin në sy bizhuteritë e saj dhe flokët e rregulluar me frizurë. Sytë i kishte fshehur pas ca syzeve të mëdha e të errëta. Ajo na vështronte plot kureshtje, ndoshta nga që nuk kishte ndonjë argëtim tjetër. Një burrë i moshuar me kostum të gjelbër na u afrua gjithë mirësjellje. Gati nuk e njohëm, ishte plaku që na hapi derën në mesnatë. Përpara na vuri një menu me pak asortimente. Porositëm vezë të fërguara, djathë, qumësht dhe  marmelatë fiku. Pasi mbaruam mëngjesin, plaku na solli dy kafe, lëshoi trupin e tij të rëndë mbi karrigen prej bungu dhe tha:

- Këto i keni nga shtëpia, po juve nga ju kemi?

- Nga Kosova Lindore, i tha Muharremi.

- Kosovarë qënkeni? Ju paskeni tabelën e makinës me targa zvicerane, me siguri flisni gjermanisht. Kur kam qënë i ri kam punuar në Gjermani. Punova atje deri sa dola në pension. - Plaku nuk ndjehej rehat në karrige, deshi të thoshte diçka tjetër, por e mbyti kolla, pastaj, pasi u qetësua, vazhdoi: - Ju kosovarët jeni ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, jeni më të kulturuar, më tolerantë se e keni sërbin fqinj, e dini që ne jemi miq të mirë me serbin? - Fjala e tij më preu deri në asht si shpata me dy teha ! - Por ai vazhdoi pa e prishur terezinë. - Këtu afër është një djalosh nga Kosova, ka hapur autolavazh, shumë djalë i mirë është. Mirë ai, por vijnë të rinj nga Shqipëria e marrin bisneset tona.

- Për t'ia ndërprerë vrullin e bisedës e pyeta se si quhej ai vetë. Më tha se e kishte emrin Dhimitër.

- Si po e kaloni ketu? - vazhdova unë.

-  Mirë, njeriu në vendlindjen e vet ndihet mirë.

-  Ju jeni çam? - i bëra pyetjen tjetër. Atij i shkoi buza vesh më vesh dhe si me shpoti, u përgjigj:

- Gjyshi im ishte   çam suliot, çam orthodoks, kurse ne jemi grekër, jemi helenë. - tek kjo fjala e fundit, si për ta vulosur, i ra tavolinës me grusht. Me sa dukej pyetja e kishte pickuar në një vend delikat.

- Po çamët ku i kanë trojet e tyre? - vazhdova unë ta bombardoj me pyetje. Ai, si me përbuzje zgjati dorën drejt malit nga ana jugore dhe tha:

- I sheh ato kodrat aty? Ishin nja tre-katër fshatra çame dhe ata ikën së bashku me italianët sepse ishin armiq të grekërve, ishin nja dy-treqind veta. Ikën në drejtim të kufirit, ikën në Shqipëri.

Mashtronte, gënjente, dukej açik se propaganda shovinste greke i kishte shplarë trurin. Dhe habia ishte sepse deklaroi që ishte çam dhe pikërisht nga vendi i heroit të Revolucionit grek, Marko Boçari. Dhe si për ironi, ai vetë ishte nga Suli, krahina malore çame që dikur fliste vetëm shqip dhe për ikonë mbi oxhak mbanin fotografinë e Skënderbeut. Desha t'ia përplas në fytyrë se e vërteta historike është që çamët nuk ikën pas italianëve më 1942, por shumë më vonë, me t'u tërhequr ushtria gjermane, çamët i dëbuan ata vetë me forcë. Dhe kjo ndodhi nga 22 qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945. Për nëntë muaj ndaj popullsisë çame u ushtrua genocid i paparë, djegje shtëpish, grabitje bagëtish, përdhunime, vrasje kolektive me gra, fëmijë, pleq deri edhe macet e shtëpive u flakën në zjarr. Më erdhi ndërmënd një rast kur grekët e rrahën aq shumë një burrë çam sa atij kur po e xhvishnin, së bashku me fanellën iu xhvoksh edhe lëkura e trupit.

Pikërisht këtu, në rrethinat e Igumenicës u masakruan 192 shqiptarë. Sigurisht disa prej tyre u përkasin atyre tre fshatrave përballë ku tash janë kthyer në gërmadha dhe pronarë të truallit paraqiten vlleh apo romë të ardhur aty qëllimisht prej shtetit grek.

Të dhënat e OKB-së bëjnë fjalë për rreth 50 mijë familje çame të shpërngulura me dhunë drejt kufirit shqiptar, por janë më shumë edhe për faktin se sot në Shqipëri deklarohen të regjistruar gjysëm milion çamë, ndërsa po kaq çamë orthodoksë janë sot në Greqi të cilët frigohen të deklarohen shqiptarë...

Ishte e kotë të debatoje me një njeri të drunjtë si ky plak i çartur.

Ia hudha një vështrim mallëngjenjës atij horizonti malor. Atje lart dukeshin ca tufa delesh dhe  stanet e bagtive,  shtëpi të shpërndara nëpër atë  shpat mali me plot kullota të ëmbëla  e drunj shekullorë. Më parafytyroheshin ata njerëz që ulërinin në kupë të qiellit të kositur nga breshëritë e plumbave të bandave të Zervës. Nga thellësia e viteve më vinin në vesh  zërat e tyre duke u kapur pas ullinjve, dyerve dhe gurëve të shtëpisë. Ata kishin lindur aty denbabaden, ishin në trojet e tyre gjysh stërgjyshi. Pse kishin një gjuhë tjetër, një fe tjetër, duhet të dëboheshin e asgjësoheshin. Gjithëçka bëhej nën bekimin e e kishës orthodokse dhe qeverisë greke. Preteksti ishte gjetur; Ishin bashkëpunëtorë të okupatorit. Si mund të ishte bashkëpunëtor një fëmijë, një nuse shtatzanë, një plak që nuk dilte nga dera e shtëpisë!? Si mund të ishin ata bashkëpunëtorë të pushtuesit kur burrat nga 17 deri në 70 vjeç u mobilizuan nën armë nga qeveria greke dhe pjesa më e madhe u internuan nëpër ishuj!? Ja dëshima atje në kodër, mure të rrënuar, pemë ulliri të djegura, toka djerr. Ka 70 e ca vjet që aty nuk dëgjohet gjuha shqip dhe zërat e fëmijëve. Midis gurëve fërshëllin gjarpëri që u rrit mbi kufoma të pafajshme.

Plaku vazhdonte të fliste, por mua më ziente gjaku në kokë, me siguri sytë më ishin skuqur dhe toka çame më përvëlonte nën këmbë. Desha t'i them si do ta gëzoni ju këtë tokë të uzurpuar, të marrë me dhunë duke i vrarë e masakruar apo shpërngulur  pronarët e tyre të vërtetë? Kushëriri im e nuhati që mund të bëja ndonjë skandal dhe më shkeli këmbën nën tavolinë. Ishte shenja të mos vazhdoja më tej sepse me sa dukej ky tip ishte nga pasardhësit e bandave të Zervës.

Plaku e kuptoi që ne u revoltuam nga fjalët e tij, u zverdh në fytyrë  dhe për t'i dhënë më shumë kurajo vetes, edhe pse ishim në oborrin e tij, u ngrit nga tavolina dhe me një zë të çjerrë thirri:

- Nuk ka më çamër këtu ! - Theu bërrylin, e ngriti lart dhe vazhdoi: - Kot e ka Shqipëria të kërkojë tokat tona ! - Pastaj drejtoi gishtin në drejtim të kufirit shqiptar dhe shtoi: - Ajo na mori Sarandën, Korçën e Gjirokastrën. - I nervozuar u nis në drejtim të restorantit, u kthye mbrapsh sikur të kishte harruar diçka. - Bile  rina greke as që e çan kokën për këtë tokë helene. Ata janë vardisur pas vajzave shqiptare, martohen edhe me to. Kam frikë se një ditë do ta pushtojë Shqipëria këtë tokë të shenjtë helene, pasi rinia greke e ka shuar me ujë deti ndjenjën patriotike. - Ai nuk ndihej mirë, iku, thuajse e kishte zënë gjaku i pafajshëm çam. U fut në një kthinë brenda lokalit.

- Hej bela, thamë me vete, mos bëhemi shkak të pësojë ndonjë infarkt ky shovinist i tërbuar.

Ishim ngritur më këmbë e po drejtoheshim për nga makina jonë, kur përballë, gruaja me syze dielli, na përshëndeti në shqip. Na ftoi të uleshim një copë herë në tavolinën e saj edhe pse ishte e shoqëruar me dikë tjetër. Tjetra qënikish gruaja e pronarit.

- Mos u merakosni, tha ajo, kjo nuk di shqip. - Pasi mësoi se kush ishim e nga po vinim, na këshilloi të kishim kujdes sepse kishim qëlluar pikërisht mbi njeriun që urrente më së shumti çamët dhe shqiptarët.

- Në këtë zonë 98 përqind e popullsisë janë me origjinë shqiptare, tha ajo, por nuk guxojnë të flasin shqip. Janë asimiluar me dhunë, me forcë. Ju kuptoj që jeni kureshtarë të dini për historinë e Çamërisë. Unë kam punuar mesuese e historisë dhe kam biseduar me shumë të moshuar. Ky vend ka një histori tragjike. Thuajse të gjithë dijnë dhe flasin shqip, por kanë frikë nga përndjekjet. Shtëpinë e kam njëqind e pesëdhjetë metra më tutje, në se ju premton koha, jeni të mirëseardhur.  - Ne mbetëm të befasur nga fjalët e saj. Pohuam duke tundur kryet, por na duhej të vazhdonim rrugën.

Para se të ndaheshim, e pyetëm në se ajo ishte me origjinë çame? Ajo buzëqeshi lehtë:

- Jo, tha, unë kam 22 vjet këtu, jam me origjinë nga Tirana,  dhe jam martuar me një grek, jam shqiptare. Kam dy djem që jetojnë këtu. - E falënderuam dhe u ndamë me të miqësisht. Na dha dorën duke na uruar rrugë të mbarë.

5.

Vazhduam rrugën në drejtim të kufirit shqiptar, për në Qafë Botë, afër Konispolit. I kishim rënë mes përmes Çamërisë. Ishim në 50 kilometrat e fundit. I thashë Muharremit të voziste sa të ishte e mundur më ngadal, si në një varrim.

- Çfarë të zien në krye? - më pyeti duke u bërë kureshtar. Dhe unë iu përgjigja:

- Kjo është rruga që kanë bërë refugjatët çamër përpara 72 vjetësh. E kupton, ishin më këmbë, të vrarë në shpirt, sapo kishin varrosur të afërmit e tyre. Të detyruar nën forcën e zjarrit të plumbave dhe bajonetave po linin për gjithënjë shtëpitë dhe arat, vreshtat dhe agrumet me ullinj e portokalle. Më ngjan sikur dëgjoj rënkimet dhe kujet e tyre, vajet dhe ngashërimet. Dëshmitare është kjo rrugë, këta gurë dhe këta ullinj shekullorë. Nuk është gjë plaga e trupit përpara plagës së shpirtit, por ata i mbartnin të dyja plagët. Nga të dy anët e rreshtit të refugjatëve ishin korofillakët grekër që u binin pa mëshirë me kamzhik duke u ckërmitur dhëmbët dhe thikat: "Donit Shqipëri? Aty po ju dërgojmë, donit të flisnit shqip, aty shkoni të flisni ditë e natë. Ku i kishit vëllezërit shqiptarë, ku ishin ata kur ju përdhunuam motrat, nënat dhe gratë tuaja?! Ku ishin kur ju premë të afërtit tuaj sikur të ishin lakra?! Na plasët shpirtin, kemi një jetë që ju durojmë ju allbanezëve. Kjo është tokë helene. Dhe mos bëni gabim të ktheheni përsëri...."

Kush kundërshtonte, kush fliste, hante pa një pa dy plumbin ballit, apo thikën në zemër. Grekët e kanë zanat thikën. Lëpijnë gjakun pasi të vrasin.

- Kam lexuar diçka makabre, tha Muharremi, i pushkatuan dy djemtë një babai, 22 dhe 25 vjeç, pastaj e detyruan të hapte varret e tyre dhe kur i mbaroi, e hodhën edhe atë të gjallë brenda në gropë. Ndërsa tek "Përroi i Selamit" në Paramithi, kapiten Deli Janaqi pushkatoi pa gjyq dhe tinëzisht, 72 krerë të Çamërisë.

- Këta kanë ndërruar edhe emrat e fshatrave. - vazhdova unë. - Ku është Spatari, Galibaqi, Picari, Varfanj, Gardhia, Arpika.... sa emër i bukur Ar-Pika, dmth pika ari. Vërtetë ky është vend i artë. Llogarit të tjerë çamër të shpërngulur me forcë në Turqi. Morën grekër nga Turqia dhe dhanë në këmbim të tyre shqiptarë. Çfarë pune kanë shqiptarët me turqit? Kjo është vazhdimësi e tokës shqiptare gjer në Gjirin e Artës. Llogarit, është shkëputur më 1913, në Kongresin e Berlinit. I dërguan në rrafshinat e Anadollit duke i çkulur me forcë nga ky vend i artë, jo pak, por 85 mijë shqiptarë.

- Nuk di po këtu afër duhet të jetë një qytet i vogël që në një ditë vranë 800 çamër. Aty është bërë kërdia, shtoi Muharremi, kanë vënë në majë të bajonetës edhe fëmijë nën tre vjeç, grave shtatzana u kanë çarë barkun, u kanë prerë gishtat dhe veshët për t'ju rrëmbyer bizhutë prej ari.

- Ah, po, kam lexuar, është Paramithia, mbaj mend nga harta, duhet të jetë në të majtë, diku afër detit. Aty ka nisur masakra e Zervës. Ka qenë 27 qershor 1944. Në Dosjen e Hagës përmenden  veç 5000 të pushkatuarve pa asnjë lloj gjyqi edhe rrënimi i 68 fshatrave çame me 5800 shtëpi, ullinj, agrume, bagëti të imta e të trasha... Janë shfarosur pa asnjë lloj faji e shkaku 214 gra e 96 fëmijë veç 745 gra të përdhunuara. Disa prej tyre, pas përdhunimit në grup, u hodhën në flakët e zjarrit.

E rëndë, e dhimbshme. Heshtëm të dy. Dëgjohej vetëm zhurma e motorit të makinës, dëshmitare e këtij udhëtimi të vështirë. Dukej sikur motori i saj rënkonte së bashku me ne. Dhe vendi rrotull na ngjante si i mpirë. Kishim marrë me vehte dhimbjen e tokës çame, dhimbje që tashmë eshtë hedhur në peshoren e drejtësisë europiane. Drejtësi, drejtësi, drejtësi...Më mirë vonë se kurrë.

Duhet të njohësh Çamërinë dhe historinëe saj tragjike të kuptosh pse Greqia, kur realisht u sulmua nga Italia fashiste, ende mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ky është ligji më absurd në botë.

Deshëm të kujtojmë këngët e bukura të popullit të talentuar çam, por kur të qan shpirti, nuk të bëhet për këngë.

Matanë kufirit, në Konispol, na priste Memoriali kushtuar Martirëve të Çamërisë, ngritur nga populli shqiptar në vitet e demokracisë. Nuk harrohet gjaku i pafajshëm që njomi çdo pëllëmbë të tokës çame, nuk harrohen lebetitë dhe tmerri që shtriu kthetrat anë mbanë këtij vendi të bekuar nga dora e Zotit, por të përdhunuar nga kthetrat gjakatare të shovinistëve fqinj. Gjaku nuk bjerret. Çamëria, pikë loti në qerpikun e Shqipërisë, lule që nuk vyshket kurrë në zemrat e bashkëkombësve të mi. Pikërisht këtu në Konispol, në  çdo 27 qershor bëhet nderimi e përkujtimi i gjithë atyre që u vranë, masakruan e shkrumbuan pse ishin shqiptarë, pse kishin një gjuhë tjetër dhe ushtronin një fe të ndryshme nga grekërit.   Çamërinë e artë, Çamërinë që nuk i dolëm dot për zot në kohën që ajo kishte nevojë për gjithë shqiptarët anë mbanë globit, e kemi aty. Ndjesë ju mijëra të pafajshëm gra, burra, fëmijë që dergjeni prej 72 vjetësh gërmadhave, brigjeve, shpateve, pyjeve e përrenjve të Çamërisë. Sot, shqiptarisht, zemrabashkuar ia kërkojmë drejtësisë ndërkombëtare ndëshkimin për krimet dhe genocidin tuaj të pashembullt nga bandat shoviniste greke.

Ishte një udhëtim homazh, një peng që na mundonte prej kohësh.

Kishim përshkuar 230 kilometra përmes kësaj toke të bekuar, njomur me gjak martirësh. Përkulemi me nderim tek Memoriali i Martirëve të saj. Sa e ngjashme kjo trevë me troje të tjera shqiptare të zaptuara nga serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test