Shtatë ditë e net spanjolle (III) - Bota Sot
Shtatë ditë e net spanjolle (III)

Reportazhe

E hënë, 20 gusht 2018

Shtatë ditë e net spanjolle (III)

Nga: Dibran Demaku Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 12:04
Spanja

Qyteti Kadiz ndodhet në pikën më perendimore të Spanjës aty ku toka takohet me detin. Apo më mirë të themi aty ku toka takohet me oqeanin,sepse ky qytet është i ngritur në brigjet e oqeanit atlantik.Kemi zbritur në këtë qytet pas një rrugëtimi afro tre orësh nga Sevilla deri këtu. Koha është ideale për të shëtitur,parë e shijuar bukuritë mahnitëse të ketij qyteti.është pothuajse qytet krejt i ri dhe modern i ngritur mbi gërmadhat e qytetit të vjetër, që siç na tregon Xhusi, ishte zhdukur nga faqja e dheut pas një tërmeti katastrofal në vitin 1704.

Edhe këtu, pothuajse si në të gjithë Spanjën të gjitha pallatet dhe ndërtesat e tjera janë të suvatuara me ngjyrë të bardhë. Dhe siç e dimë nga ajo që kemi mësuar ë shkollë ngjyra e bardhë i reflekton rrezet e diellit dhe kështu për ta larguar një pjesë të vapës zhuritëse sidomos gjatë muajve më të nxehtë të vitit e që janë muaji korrik dhe gusht. Gjithnjë sipas Xhusit, këtë në Kadiz dhe pothuajse në të gjitha vendbanimet e Spanjës jugore gjatë muajve korrik e gusht arrinë deri në 56 gradë. Qyteti i Kadizit është i njohur si qytet industrial. Në këtë qytet është e njohur sidomos industria e anijeve-ndërtimit. Përveç kësaj. Kadizi e ka të zhvilluar edhe përpunimin e industrisë ushqimore të peshkut. Gjithandej qytetit do të shohësh fabrika të ndryshme për përpunimin e peshkut. Përveç kësaj në këtë qytet do të shohësh edhe tregun e madh dhe kryesor të shitjes së peshkut. Kur e viziton këtë treg dhe sheh gjithë ato lloje dhe qindra në mos mijëra emra të ndryshëm peshku dhe gjallesash të tjera të detit,atëherë të kujtohet domosdo ajo thënia e njohur popullore:"Çka s`ka në det?". Grupi ynë i turistëve të ardhur nga Gjermania do të mbesnim të mahnitur dhe të habitur me gjithë atë numër të panumërt të llojit të peshkut dhe të gjallesave të tjera detare,në tregun e Kadizit. Andaj kushdo që zbret në këtë qytet do të duhej që ta vizitonte tregun e peshkut, sepse ai treg është një atraksion i vërtetë për të gjithë ata që duan të mësojnë për gjallesat e panumërta qe jetojnë në dete dhe oqeane.

Qielli mbi Kadiz është krejt i kaltër dhe pa asnjë re edhepse data në kalendar shënon 16 nëntor. Është mesi i ditës dhe temperatura në kalendar ka arritur në 25 gradë, temperaturë ideale për të bërë plazh, por ne nuk kemi kohë për një gjë të tillë, sepse pas drekës do të duhet të vazhdojmë rrugën sipas programit të paraparë. Pas një shëtitje mbi dyoreshe në grup, Xhusi na ka dhënë dy orë të tjera që të shëtisim secili  dhe t`i shijojmë bukuritë e Kadizit në mënyrë individuale dhe gjatë kësaj kohe edhe të drekojmë në ndonjërin nga restorantet e shumta të këtij qyteti bregdetar-turistik.Do të shijojmë secili, jam i bindur mishin e peshkut,që këtu është specialiteti numër një i kuzhinës spanjolle...

Kemi lënë prapa qytetin e bukur të Kadizit dhe jemi nisur për në destinacionin e radhës, që është në programin e ditës së sotme. Gjithandej nga kalojmë ne nëpër autostradën mjaftë moderne në jugun e Spanjës, në të dy anët e saj do tëshohësh qytete dhe fshatra turistike. Shtëpi dhe pallate me një arkitekturë që të lë me gojë hapur. Përveç këtyre gjithandej do të shohësh edhe shumë shtëpi e pallate të papërfunduara. Edhe për këtë fenomen Xhusi e ka këtë shpjegim: "Na ishte një kompani e njohur ndërtimesh në Spanjë që kishte ndërtuar pallate të panumërta në Spanjë. Por do t'i, që kjo kompani një ditë për shkaqe të panjohura do të falimentonte dhe do ta dridhte sistemin financiar të Spanjës.

Pas falimentimit të asaj kompanie askush më nuk e merr guximin që të vazhdojë me këtë biznes, andaj kanë mbetur të papërfunduara të gjithë këto shtëpi dhe pallate gjithandej Spanjës. Kur dëgjon një shpjegim të tillë, ti që vjen nga një vend, që emrin e ka Kosovë, dhe e di se sa pallate dhe ndërtesa të tilla ndërtohen sot atje,domosdo që të kap një shqetësim i ligjshëm.Kur në Spanjë aq të madhe dhe shumëfish më të fuqishme ekonomikisht, falimentimi i një kompanie ndertimi e dridh financiarisht atë, çfarë do të ndodhë me vendin tënd kur të falimentojnë gjithë kompani ndërtimesh që në Kosovë kanë mbirë si këpurdha pas shiut?!...

Kemi lënë prapa bregdetin e bukur spanjoll dhe u ngjitemi ca kodrave të larta.Tashme nuk jemi në autostradë, por në një rrugë nacionale të Spanjës që me kthesat e saj ma përkujton rrugën nga Peja drejt Kullës dhe Malit të zi.Se ku e ka ndërmend të na dërgojë sot Xhusi një zot e di.
Për qytetin Ronda, që ndodhet në një rrafshlartë në majë malesh nuk kisha dëgjuar asnjëherë. Në një prospekt turistik e kisha parë foton e këtij qyteti, por se do të ecja nëpër rrugët e rrugicat e tij nuk më kishte shkuar mendja asnjëherë. I ndërtuar në një rrafshlartë, majë malesh, është qytet që të lë pa frymë. Më shumë se fjalët për këtë qytet flasin vetë pallatet dhe ndërtesat e ngritur mbi shkëmbij. Xhusi na tregon dhe na thotë se ky qytet është ndërtuar në kohën e perandorisë romake, që do të thotë e kanë ngritur romakët.

Pjesa e vjetër e qytetit është një atraksion i vërtetë, që edhe kur e sheh të duket siku je duke ëndërruar. Qyteti siç e thamë është ngritur mbi shkëmbij e gur saqë të krijohet përshtypja se është qytet i mbirë nga gurët, ashtu siç një përshtypje të tillë ta krijon edhe qyteti ynë i Gjirokastrës...Shëtisim nëpër qytetin Ronda të mbirë nga gurët dhe mbi gurët dhe natyrisht bëjmë edhe shumë foto që t`i kemi si kujtim nga ky qytet përrallor...

Qëllimin e vizitës së këtij qytetiti e mësojmë vetëm pak çaste më vonë, kur Xhusi na rrëfen për Arenën e Teoradorëve apo Arenën e sportit luftarak në mes të njeriut dhe kafshës, që në këtë rast është Gjedhi, që në Spanjë është i vjetër sa vetë Spanja dhe Arena që kemi përballë është ndër të parat në mos e para e këtij lloji. Xhusi na i tregon ambientet ku zhvillohen "luftërat" në mes të njeriut dhe Gjedhit.

Sporti luftarak i Teoradorëve, përveç zgjuarsisë duhet të ketë edhe trimëri. Ai sportist luftarak që del në dyluftim me Gjedhin duhet të jetë edhe i zgjuar edhe trim,përndryshe nëse njëra nga këto dy veti i mungojnë,e pëson!-thotë Xhusi.Meqë për të parë drejtpërdrejtë një ndeshje të tillë do të duhej të qëndronim javë apo muaj të tërë në Ronda,ne mjaftohemi që të shohim xhirime nga luftërat që kanë ndodhur gjatë viteve nëpër shekuj,që nga atëherë kur është zbuluar kamera e xhirimeve...Në Spanjë sporti i Teoradorëve është pothuajse sporti më popullor dhe një ndër më të vjetër i lindur dhe i rritur në tokën Spanjolle.

Si i tillë ai vazhdon të gjallojë edhe më tutje deri atëherë sa të ketë trima në tokën e Spanjës, dhe të tillët nuk i mungojnë Spanjës!-përfundon Xhusi shpjegimet e saj me një buzëqeshje të lehtë, me të cilën tashmë ne jemi mësuar. Njëri nga turistët nuk harron ta pyes se përse Teraodori apo luftëtari kur i delnë dyluftim me Gjedhin e mban në duar një mbulesë me ngjyrë të kuqe? -ndërkaq Xhusi pa u hamenduar ia kthen: -Është ajo ngjyra e flamurit kombëtar të Spanjës! Në anën e përparme ajo mbulesë ka ngjyrën e kuqe ndërkaq në anën e pasme ngjyrën e verdhë,që përkon me flamurin kombëtar spanjoll...

Kemi lënë qytetin e bukur dhe përrallor Ronda të Spanjës dhe kemi vazhduar rrugën për në hotelin që ndodhet diku në mes të qyteteve bregdetare Marbella dhe Malaga, ku do të bëjmë natën...

vijon 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test