Lasgushi, Kosova dhe Azem Galica

Reportazhe

Lasgushi, Kosova dhe Azem Galica

Bedri Tahiri Nga Bedri Tahiri Më 21 prill 2017 Në ora: 09:09
Lasgush Poradeci

Lasgush Poradecit, pa të cilin poezia jonë nuk do të kishte frymën e modernizmit, e i cili për të gjallë gati qe harruar fare, sa po vete koha aq më shumë po i dihet vlera. Ditën që ishim në Pogradec, më 16 Prill 2017, dhe u çmallem me të, aty buzë liqenit e paskëtaj edhe para shtëpisë së tij, që, mjerisht e gjetëm mbyllur, më shtyri kërshëria që t’i referohem librit të Nasho Jorgaqit  “Udhëtime letrare”, botuar në Tiranë më 2001, ku përshkruhet  takimi i përzemërt i poetëve nga Kosova me prijetarin e modernizmit shqiptar në kafen “Tirana” në Tiranë... 

Gjysma e Shqipërisë përtej Drinit plak... 

Image
Para shtëpisë së Lasgushit

Me emocione të veçanta është dhënë takimi i Lasgush Poradecit me poetët nga Kosova: 

“-Domethënë qenkish poetë!? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që mbeti jashtë kufijve të 13- ës... 

Sytë plot dritë të Lasgushit lëviznin sa të njëri te tjetri. Ishte vërtet i gëzuar, por brenda natyrës së tij të përmbajtur.

 …Sepse ta dini ju- vazhdoi poeti duke e ngritur zërin,- një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjua veshët. Sepse në vjershën “Poradeci” kam shkruar vargjet:

“Duke nisur udhëtimin mes përmes për Shqipëri,

Image
Shtëpia e Lasush Poradecit

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndnaumi…”.

More, i paditur, t’í thuash. Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?

Të gjithë miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart. Lasgushi që kësi rastesh fliste pak, i prekur nga takimi jo i zakontë mori të flasë prapë, i gjallëruar e i gëzuar:

-Domethënë- pyeti rishtazi Lasgushi- qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poetë paska Kosova? Ah, Kosovë, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashi nxjerr poetë! 

Dhe me kokën lart, zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si pej fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në mesin e tyre ishte edhe poeti Latif Berisha... 

Jeni poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?

Dhe, biseda vazhdonte... 

-Më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kishte vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi…Kur suleshin ata mbi armiqtë ndizej qielli dhe toka.

Image
Azem Galica

Po Azem Galica?

Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufeja, kur serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, por edhe luftonte në tokën e tij dhe për tokën e tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’ia merrnin Arbaninë e vogël!”. Hajde, hajde Azem Galica. Kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behar í 1921, kur shkoja për herë të parë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastaj me tren mes përmes Kosovës. Atij treni kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i madh ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisabardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë.

Image
Me Lasgush Poradecin

 Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjithë kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era ë? Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju kosovarët, trima përmbi trima…Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema jeni ndopak? 

Miqtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq u vunë edhe në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri- tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë edhe në një bisedë. 
Poeti u ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të saponjohur.

Por në këtë rast ishte në mes Kosova... 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat