Për 1 Maj në Medvegjë

Reportazhe

Për 1 Maj në Medvegjë

Nga: Sevdail Hyseni Më: 2 maj 2018 Në ora: 09:52
Medvegjë

Fillimi i muajit maj, për shqiptarët e Medvegjës, njërës nga komunat më të vogla të Luginës së Preshevës, paraqet festën e dyfishtë: kremtimin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe manifestimin e takimeve të vendlindjes, që të dyja bashkë, tashmë janë bërë tradicionale.

Rrallë mund të gjendet, një komunë si kjo e Medvegjës, të shënoj me kaq dashuri dhe krenari këto dy festa, të cilat bien në një ditë, me një traditë 16 vjeçare, duke grumbulluar rreth vetes mijëra njerëz, gjithandej trojeve etnike shqiptare, pa përjashtuar as diasporën.

Është zgjedhur Tupalla, një nga vendet më të mrekullueshme shqiptare të Medvegjës, për organizimin dhe mbajtjen e këtyre fetave, jo pse është qind për qind shqiptare, por edhe pse është vendlindja e linguistit më të njohur shqiptar akademik Idriz Ajeti, si dhe personaliteteve të tjera si ajo e heroit të popullit Zenel Hajdini, që e mban me pietet të lartë emrin e tij shkolla fillore e fshatit dhe humanisti dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Xhim Xhema nga Amerika.

Image

Por, Tupalla e këtij maji, nuk u mbush me plot njerëz, si herëve tjera, ashtu siç ishim mësuar ta shihnim, për shkak se Këshillit Organizativ të fshatit, para pak ditësh, i lindën telashe rreth shpërndarjes së ftesave për pjesëmarrësit e takimeve të vendlindjes.

Ftesa për presidentët shqiptarë Ilir Meta dhe Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në festën e Tupallës, tërboi kryetarin e Komunës së Medvegjës, Nebojsh Arsiq, i cili ngriti kallëzim penal ndaj bashkëpunëtorëve të tij institucionalë: Leme Xhemës dhe zëvendëskryetarit të Kuvendin Komunal, Florim Sahiti. Me kaq nuk përfunduan telashet e organizatorëve, duke u ftuar në polici, në të të quajturat biseda informative.

Lidhur me këto presione të natyrës politike ndaj organizatorëve të manifestimit tradicional “Takimet e vendlindjes - Tupalla 2018”, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, i cili një veprim të tillë e quajti të ulët dhe jo qytetërues.

Image

Pavarësisht këtyre pengesave politike, Tupalla e 1 majit dhe takimeve të vendlindjes, mirëpriti pjesëmarrësit nga vise të ndryshme etnike, me ngrohtësinë  e mikpritjes vëllazërore, bujarisë dhe mirësisë shekullore e shoqëruar me përqafime e shtrëngim duarsh, fjalime inkurajuese, recitime, këngë e valle popullore, si dhe lojëra sportive.

Në  “Takimet e vendlindjes - Tupalla 2018”, përveç medvegjasëve të shpërngul nga viti 1999, në Kosovë, merrnin pjesë edhe struktura politike e institucionale shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva, në krye me Shukri Ymerin, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Fatmir Hasani, deputet popullor në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, ish kryetar komune në Preshevë, Leme Xhema, nënkryetare e Komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, zëvendëskryetar i Kuvendit Komunal të Medvegjës dhe veprimtarë të tjerë.

 Madhështinë e këtij manifestimi tradicional e shtoi prania e këngëtarit nga Dukagjini, Shkodran Tolaj, i cili këngët e tij të mrekullueshme popullore, mbushi emocione, nostalgji e frymëzim e Tupallën e përmalluar për banorët e vet, të cilat pa dashjen e tyre e braktisën pa e harruar kurrë.

“Takimet e vendlindjes - Tupalla 2018”, u përmbyllën edhe këtë vit me sukses dhe pa incidente, me shpresë se ato në vitet e ardhshme të mbahen në rrethana më të volitshme politike dhe institucionale.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat