Tuberkulozi në rënie

Shëndetësia

Tuberkulozi në rënie

Më: 19 shtator 2012 Në ora: 17:52

Zyrtarë shëndetësor thonë se tuberkulozi në Kosovë është në rënie e sipër. Ata deklarojnë se nëse krahasohet me vitet paraprake, ku prevalenca e të infektuarve me tuberkuloz në vitin 2000 ka qenë 86 të sëmurë në 100 mijë banorë, tashmë është në rënie.

“Në vitin 2011 janë 43 raste në 100 mijë banorë të prekur me tuberkuloz në Kosovë. Mund të them se për trajtimin e kësaj sëmundjeje kemi barna të cilat janë falas dhe mund të bëhet trajtimi dhe diagnostikimi i tuberkulozit”, thotë Rukije Mehmeti, pulmologe, njëherësh zyrtare për tuberkuloz në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq, projekti i Fondit Global në Kosovë, paraqet mbështetjen kryesore në luftën kundër tuberkulozit.

Shuma e Fondit Global është 5 milionë dollarë për 5 vjet, dhe në të janë të përfshira shumë aktivitete, gjë që ka ndikuar në rënien e kësaj sëmundjeje, duke u nisur nga sigurimi i barnave, e deri tek aparatura e duhur.

Sipas zonjës Mehmeti, për të infektuarit me tuberkuloz së shpejti do të hapet edhe një spital i veçantë.

“Së shpejti do të bëhet hapja e spitalit të tuberkulozit në Pejë, ku do të bëhet trajtimi i sëmundjes së tuberkulozit dhe të sëmurëve nga mushkëritë në përgjithësi”, shprehet ajo.

Ndërsa Ilir Begolli, zyrtar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitetet ekzistuese që ta monitorojë tuberkulozin, pasi që, sipas tij, tashmë kjo sëmundje është e njohur dhe ekzistojnë të dhëna.

“Programi i tuberkulozit është duke shkuar shumë mirë dhe duke u realizuar sipas kritereve të programuara sepse ne e bëjmë evalvimin dhe monitorimin e përhershëm të informatës të shndërruar në analizë. Andaj mendoj se do të ketë informata edhe në të ardhmen, kredibile dhe të bollshme, të sigurta për secilin person që dëshiron t’i ketë ato informata”, thekson Begolli.

Por sa kanë informata qytetarët për sëmundjen e tuberkulozit? Bekim Mema, nxënës i shkollës së mesme tregon”

“Tuberkulozi është sëmundje ngjitëse, dhe e di që ka disa lloje të tuberkulozit dhe më aktual është ai i mushkërive. Përhapet përmes ajrit, kollitjes, teshtitjes. Unë nuk kam pasur rast të takohem me ndonjë të prekur me tuberkuloz por vetëm kam dëgjuar”.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë theksuar faktin se tuberkulozi edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet kërcënim serioz për shëndetin publik global.

Nga tuberkulozi çdo vit në botë vdesin 1.5 milion njerëz, apo rreth 3 mijë e 800 persona në ditë.

Sidoqoftë, tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse që përhapet përmes ajrit, nga i sëmuri te personi i shëndoshë përmes, pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Shenjat e paraqitjes së tuberkulozit janë, plogështia dhe zbehja, humbja e oreksit si dhe temperatura e lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat