Kujdes! Diabeti në shtatzëni, rreziqet dhe trajtimi

Shëndetësia

Kujdes! Diabeti në shtatzëni, rreziqet dhe trajtimi

Më: 23 janar 2017 Në ora: 07:16
Ilustrim

Shtatzania është periudha më delikate e femrës pasi dy jetë varen nga kujdesi që nëna merr gjatë periudhës para, gjatë dhe pas shtatzanisë. 

Por gjatë shtazanisë nëna mund të kërcënohen nga disa sëmundje mes të cilave më e rrezikshme është diabeti.

Mjekja Migena Prifti, obstetër-gjinekologe pranë Spitalit Rajonal të Durrësit, shpjegon për “Shëndet+” se diabeti , si sëmundje më vete, njihet gjerësisht, por të pakta janë gratë e mirëinformuara për këtë problem gjatë shtatzënisë së tyre. Kjo, për arsye se diabeti është njohur si sëmundje e moshave të treta. Por me ndryshimin e faktorëve të jetesës, mundësia e kësaj sëmundjeje është rritur.

Doktoreshë, çfarë është diabeti në shtatzëni?

Gjetja e niveleve të larta në gjak të glicemisë apo e njohur ndryshe “sheqerit në gjak” gjatë shtatzënisë, dhe jo në jetën e mëparshme të gruas, përcakton diabetin në shtatzëni ose diabetin gestacional.

Shumë njerëz e dinë se vlerat normale të glicemisë variojnë nga 70-110 mg/dl në një analizë gjaku që merret në mëngjes pa marrë ushqim, esëll. Nëse kemi një vlerë më të lartë se 110 mg/dl, atëherë dyshojmë për diabet.

Por për shtatzënat kjo vlerë ulet edhe më poshtë, tek 95 mg/dl, për arsye të ndryshimeve që ndodhin në metabolizmin e tyre. Ky term i ri për vlerat e glicemisë esëll midis 95- 105 mg/dl është quajtur prediabet dhe në këto raste gruas i kërkohet ripërsëritje e analizës dhe ndjekje më e rregullt e protokollit.

Cilat janë pasojat e diabetit në shtatzëni?

Numërohen mjaft probleme të shtatzënisë, të cilat janë vërtetuar apo dhe dyshohen se mund të vijnë nga diabeti në shtatzëni. 

Ato janë të ndara sipas 3-mujoreve të shtatzënisë.
Problemet njihen dhe në jetën e mëparshme të çiftit, pasi është vërtetuar që prania e vlerave të larta të glicemisë apo mundësia e një diabeti të padiagnostikuar më parë, jep probleme të sterilitetit tek femra. 

Gjithashtu, është vërtetuar se përdorimi i kontraceptiveve oralë me përmbajtje të 17-caproate alfa-hydroxyprogesterone, për ovare mikrokistike, ka probabilitet të lartë për të dhënë diabet në shtatzëni.

Për tremujorin e parë njihet si pasojë e një diabeti gestacional abortet e përsëritura. Pra, nëse një grua ka disa aborte apo shtatzëni të pazhvilluar në historinë e saj, një nga analizat që duhet të bëjë, është edhe ajo e matjes së glicemisë. 

Gjithashtu është gjetur vlerë e lartë e glicemisë dhe në disa anomali apo keqformime fetale (të bebit), siç është mungesa e zhvillimit të kokës, probleme të shtyllës kurrizore, probleme të zemrës.

Në tremujorin e dytë problemet më të shpeshta janë ndryshimet në ujërat e fëmijës, luhatjet e para të tensionit të gjakut drejt vlerave të larta apo prapambetja në peshën e fëmijës. Këto si ndryshime kapen pas javës së 26-të shtazënisë, prandaj edhe analizat kryesore për këtë problem janë javën e 24-t deri të 26-të të barrës.

Në tremujorin e fundit problemet e diabetit janë më të dukshme. Kështu, në këtë periudhë rritet rreziku për një tension të lartë të gjakut tek gruaja, probleme të infeksioneve urinare të saj ,kurse tek fëmija shihen ndryshimet në peshë, në shtratin placentar, i cili plaket më shpejt në këto raste apo në ujërat e fëmijës, të cilat mund të shtohen dhe të vështirësojnë barrën.
Rrezik për këto shtatzëni është dhe përfundimi para kohe i tyre, kalimi i ditës së parashikuar të lindjes apo dhe vdekjen e fëmijës në bark.

Karakteristikë për fëmijët e këtyre shtatzënive është pesha e madhe në lindje, mbi 4000 gramë. Jo gjithmonë një fëmijë me peshë të rritur do të nënkuptojë një fëmijë të shëndetshëm. Fëmijët me peshë të madhe, por sidomos të lindura nga gra me probleme të diabetit në shtatzëni, janë të rrezikuar nga një sërë problemesh shëndetësore prej momentit të lindjes, ku më të shpeshtët janë: vështirësi në frymëmarrje, rënie e sheqerit në gjak, verdhëz e zgjatur etj.

Cilat janë gratë që rrezikojnë të kalojnë një diabet në shtatzëni ?
Vendin kryesor e zënë ato që e kanë këtë sëmundje në familjen e tyre, pra ato që të afërmit e tyre vuajnë nga diabeti. Por gjithashtu mundësi kanë edhe gratë me shumë fëmijë, me peshë trupore të madhe, pra obeze, ato që kanë barrën e parë mbi 35 vjeç apo e kanë shtatzëninë binjake. Duhet të jenë të kujdesshme edhe gratë të cilat kanë disa aborte të njëpasnjëshme. Këto të fundit duhet të këshillohen me mjekun specialist për analizat që duhet të kryejnë para fillimit të shtatzënisë së re.

Cili është mjekimi?

Mënyra e mjekimit vendoset nga disa faktorë të cilët merren në shqyrtim në konsultën obstetër-endokrinolog-pediatër. Në varësi të tyre vendoset nëse shtatzëna i nënshtrohet një diete, fillimit të insulinës apo dhe hospitalizimit deri në fund të shtatzënisë, për të pasur një përfundim sa më të suksesshëm për nënën dhe fëmijën e porsalindur.

Analizat që duhet të kryhen

Analiza bazë është matja e glicemisë esëll. Kjo duhet bërë që në fillim të shtatzënisë dhe duhet mbajtur nën kontroll gjatë çdo periudhe të saj. Prova e marrjes së sheqerit, e cila diagnostikon një diabet të dyshuar më parë, bëhet në javën e 24-t të shtatzënisë dhe për këtë duhet të drejtohet nga mjeku përkatës obstetër, i cili jep udhëzimet se si duhet bërë, doza e ngarkesës së glukozës orale që duhet marrë, si dhe kryen leximin e vlerave.
Është e mira që kjo të shoqërohet dhe me një analizë tjetër, që quhet hemoglobinë e glukozuar , e cila tregon më tepër sa kohë ka ky problem dhe në njëfarë mënyrë është orientues për mjekun për mënyrën e mjekimit.

Kontrolli tjetër mbi gliceminë është ai që bëhet në javën e 32-33-të të shtazanisë, por kjo më tepër për të ndjekur nga afër personat e dyshuar nga analiza e mëparshme për një prediabet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat