Anemia si pasojë e mungesës së hekurit

Shëndetësia

Anemia si pasojë e mungesës së hekurit

Më: 24 janar 2017 Në ora: 15:21
Ilustrim

Mungesa e hekurit është mungesa ushqimore me e përhapur në botë. Kjo mangësi prek rreth 2 miliardë njerëz në botë. Edhe pse shkenca ka përparuar shumë dhe informacioni është mjaft kollaj i arritshëm, ¼ e popullsisë së botës mbetet anemike, gjysma prej të cilëve e pësojnë si pasojë e mungesës së hekurit në ushqim.

Në meshkujt adult dhe ne moshën e tretë, kjo anemi shkaktohet si pasoje e humbjes kronike të gjakut. Te fëmijët dhe gratë, anemia mund të rezultojë si pasojë e marrjes së pamjaftueshme te hekurit nga dieta, humbje të gjakut, prodhim i ulet i rruazave të kuqe ose shtatzëni të shpeshta afër e afër.
Përgjithësisht, 90% e hekurit qe hyn në organizëm ripërdorët dhe ushqimi zëvendëson humbjet e pakta te tij nëpërmjet djersës, feceve, flokëve, thonjve dhe urinës, ndërsa të gratë në periudhën e riprodhimit zëvendëson humbjen nëpërmjet ciklit menstrual.

Më të prekurit nga anemia

Anemia e mungesës së hekurit është më e shfaqur të fëmijët, vajzat adoleshente, sportistet dhe gratë në moshë riprodhuese. 
Bebet që ushqehen me qumësht lope përpara kohë, mund te shfaqin humbje te gjakut nëpërmjet aparatit tretës dhe të kalojnë në anemi.
Personat që vuajnë nga sëmundje inflamatore të aparatit tretës mund të jenë gjithashtu të rrezikuar nga anemia.
Një pjesë e mirë e personave anemik mund të shfaqin “Pica” – një çrregullim që karakterizohet nga dëshira për të konsumuar lëndë jo ushqyese si akull, shkumës etj.

Si konstatohet mungesa e hekurit dhe anemia?

Matja e ferritines në gjak është treguesi më i saktë i hekurit në organizëm. Nivelet e hemoglobinës dhe hematokritit janë gjithashtu tregues të mjaftueshmeris së hekurit për formimin e rruazave të kuqe. Por, këto dy të fundit nuk tregojnë fazat fillestare të mungesës së hekurit. Fillimisht trupi e rregullon nivelin e hekurit ne gjak duke e marre atë nga depozitat në formën e ferritinës dhe kështu mund t’ia dal për njëfarë kohë, deri sa depozitat të mbarojnë dhe të reflektoj në ulje të hemoglobinës dhe hematokritit, pra në anemi.

Përthithja e hekurit

Kur depozitat e hekurit zbrazen, organizmi rrit automatikisht përthithshmërin e tij. Burime te mira te hekurit janë mëlçit, fasulet e bardha, mishi i vicit, mishi i erret i shpendëve, toni i freskët, frutat e thara dhe molusqet. Hekuri i mishit ka përthithshmërin me te larte. Hekuri i ushqimeve bimore ndikohet tejmase nga ushqimet e tjera qe konsumohen me to. Prezenca e një sasie të vogël mishi e rrit shum biodisponibilitetin e hekurit te ushqimeve bimore, si dhe prezenca e aciditetit e bën atë me të përthithshëm, si portokalli, domatet, qitro, specat e kuq, kivi dhe brokoli.
Personat me aciditet të ulët të stomakut janë më të rrezikuar të shfaqin mungesë hekuri. 

Ushqimet që nuk duhen konsumuar bashkë me hekurin

Çaji jeshil

Kafja

Drithërat me krunde

Soja

Qumështi

Kakao, çokollata

Kujdes: fëmijët e moshës nën 2 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 500ml qumësht në ditë.

Kur merrni supplement hekuri

Të  gjithë personat qe shfaqin anemi si pasoje e mungesës se hekurit duhet te marrin hekur plotësues.

Mos i jepni kurrë fëmijëve hekur pa u këshilluar me mjekun pasi pasojat e mbingarkesës me hekur janë tepër të rrezikshme për ta.

Suplementi i hekurit duhet marre të paktën 2 or larg mjekimeve te tjera. Marrja e hekurit mund te pengoje veprimtarinë e ilaçit te tiroides (levotiroxinen), antibiotikeve dhe antidepresiveve.

Hekuri në formen “ferrous sulfate” është me i përthithshem nga format e tjera. Ky lloj hekuri mund te merret bashke me ushqimin ne ndryshim nga forma “ferric" e cila duhet te merret larg ushqimit.

Përmirësimet në nivelet e hemoglobinës mund të duan nga 4 deri ne 30 dite te bëhen te dukshme në testin e gjakut. Plotësimi me hekur duhet të vazhdoje të paktën 2 muaj pasi nivelet e hemoglobinës rikthehen në normë, në mënyrë që të mbushen depozitat të cilat nevojiten 1-3 muaj të plotësohen. Nivelet optimale të ferritines janë 40 -60microgram/L

Në shumë raste, fëmijë të shëndetshëm të ushqyer ekskluzivisht me qumësht gjiri, mund të kenë nevojë për plotësim me hekur të bio- disponueshem.

Nuk është vetëm hekuri i rëndësishëm për aneminë

Përthithja e hekurit varet nga konsumi i mjaftueshëm i bakrit, vitaminës C dhe aciditetit të stomakut. Suplemente si Kalciumi mund ta ulin përthithjen e hekurit. Hipotiroidizmi mundet të shkaktoj gjithashtu mungesë hekuri. Hemoglobina prodhohet nga proteina, hekur dhe bakër. Marrja e suplementeve me sasi të mëdha Zinku mund te ule nivelin e bakrit ne gjak. 
Rruazat e kuqe prodhohen në saje të vitaminës B12, acidit folik dhe aminoacideve, prandaj është shumë e rëndësishme që dieta të jetë e mjaftueshme në këto përbërës të cilët përmbahen kryesisht te:

Mishi i kuq, melcite, shpretka

Fasulet, thjerrzat

Panxahri i kuq

Lëngu i portokallit, qitros, limonit

Brokoli, lakra, asparagu

Bizelet, patatet

Rrushi i thate

Këshillë e fundit

Sa herë që shihni të udhës të merrni një suplement ushqimor, këshillohuni më parë me mjekun dhe sigurohuni për dozën e duhur dhe elementet e tjerë që mund të ndikojnë apo ndikohen nga hekuri.

Në mënyrë që të mos shkoni për të rregulluar një parametër dhe prishni dhjetëra të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat