Ja me çfarë lidhet depresioni në moshat e vjetra

Shëndetësia

Ja me çfarë lidhet depresioni në moshat e vjetra

Më: 25 mars 2017 Në ora: 20:21
Ilustrim

Depresioni përkufizohet ndryshe nga njerëzit, të cilët vuajnë prej tij dhe ndryshe nga profesionistët e sektorit shëndetësor, shkruan “WespeakscienceDepresion”.

Ja çfarë thotë Elizabeth Wurtzel për depresionin: “Ja ku qëndron problemi me depresionin. Njeriu mund t`i mbijetojë gjithçka je, për sa kohë e shikon fundin e saj në horizont. Ndërkohë, depresioni është kaq i fshehtë dhe zhvillohet dita ditës, derisa arrin në një pikë, kur është e pamundur të shohësh fundin,”.

Nga ana tjetër sipas Shoqërisë Amerikane të Psikiatrisë depresioni është një sëmundje e zakonshme dhe serioze, që ndikon negativisht në mënyrën si ju ndiheni, si mendoni dhe si veproni. Depresioni shkakton trishtim dhe/ose humbje të interesit për aktivitetet që dikur ju argëtonin. Mund të sjellë një shumëllojshmëri problemesh emocionale dhe fizike si dhe humbje të aftësisë për të zhvilluar një aktivitet normal në shtëpi dhe punë.

Sfondi mund të duket i errët, por fatmirësisht, depresioni kurohet. Medikamentet si antidepresantët mund të sjellin përmirësime brenda javës së parë ose të dytë të përdorimit. Psikoterapia, ose “terapia përmes komunikimit” përdoret ndonjëherë si terapi e vetme në rastet e rëndesës së mesme të depresionit; për rastet e moderuara ose të rënda psikoterapia shpesh përdoret bashkë me mjekimin me antidepresantë. Terapia elektrokonvulsive (ECT) është një trajtim mjekësor, zakonisht i përdorur tek pacientët me depresion të rëndë ose çrregullim bipolar, të cilët nuk kanë reaguar ndaj trajtimeve të tjera.

Megjithatë depresioni mbetet një nga sëmundjet mendore më të përhapura. Shkencëtarët kanë thënë se simptomat e depresionit, që rëndohen në mënyrë të vazhdueshme me kalimin e kohës në moshat e vjetra mund të sugjerojnë shenja të hershme të sëmundjeve mendore (dementia).

Sipas Mayo Clinic dementia është një grup i gjerë sëmundjesh mendore dhe shfaqet si një grup simptomash që prekin kujtesën, të menduarit dhe aftësitë e sociale në një masë të konsiderueshme sa të ndikojnë në aktivitetin e përditshëm.

Arsyeja se pse disa njerëz janë më të rrezikuar për të pasur sëmundje mendore u qartësua falë këtij studimi të ri që sugjeron një lidhje të mundshme mes depresionit dhe sëmundjeve mendore.

Studiuesit nga Qendra Mjekësore në Holandë zbuluan se të moshuarit me depresion, që kishin pasur përkeqësim ishin më të prirur për të zhvilluar sëmundje mendore, sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore Lancet.

Studiuesit ekzaminuan 3,325 njerëz të moshës mbi 55 vjeç, të cilët ishin ndjekur si pjesë e një popullatë të një studimi që nga viti 1990. Ato vlerësuan simptomat e depresionit dhe më pas kontrolluan për të parë nëse ato që kishin shenja depresioni zhvilluan sëmundje mendore. Ato zbuluan se 21% e njerëzve, simptomat e depresionit të të cilëve u përkeqësuan me kalimin e kohës përfunduan duke u diagnostikuar me sëmundje mendore. Ndërsa vetëm 10% e njerëzve me “simptoma të pakta të depresionit” zhvilluan sëmundje mendore.

Studiuesit shpjeguan se shenjat e depresionit mund të jenë një sinjal i hershëm, që sëmundja mendore po zhvillohet në tru, përpara së sinjali i dukshëm i humbjes së kujtesës të shfaqet më vonë. Ato treguan studime të mëparshme, që kanë sugjeruar se ndryshimet psikologjike mund të çojnë drejt depresionit, përfshirë një studim që zbuloi se atrofia e trurit mund të shkaktojë depresion.

Gjithashtu, inflamacioni në tru është vërejtur në episode të depresionit dhe ne rënien e aftësive njohëse dhe mundet gjithashtu të jetë një çelës në shpjegimin e kësaj lidhjeje.

Dr. M. Arfan Ikram, bashkautor i studimit dhe epidemiologjist në Qendrën Mjekësore Universitare të Erasmus në Holandë, u shpreh në një deklaratë se: “Simptomat e depresionit që rëndohen gradualisht me kalimin e kohës, duket të parashikojnë sëmundjet mendore të mëvonshme më mirë se aspektet e tjera të simptomave të depresionit. Ka disa shpjegime të mundshme, përfshirë faktin se depresioni dhe sëmundja mendore mund të jenë të dyja simptoma të një shkaku të zakonshëm themelor, ose se përkeqësimi i simptomave të depresionit është në fillesë të vazhdimit të dukshme të sëmundjes mendore ne të moshuarit.”

Në një koment të publikuar, që pason studimin nga Dr. Simone Reppermund tek Departamenti i Paaftësisë Progresive dhe Qendrës për Plakjen e Shëndetshme të Trurit në Universitetin New South Wales në Sidnei, Australi thotë se duhen bërë kërkime të mëtejshme për të kuptuar “mekanizmat themelorë” të depresionit dhe sëmundjeve mendore.

Dr. Philipp Dines tek Departamenti i Psikiatrisë Geriatrike (kujdes shëndetësor për të moshuarit) në Spitalin Universitar në Klivlend tha se studimi nxjerr në pah sa komplekse mund të jenë simptomat e sëmundjeve mendore dhe si mund të ndikojnë në shume më shumë aspekte se thjesht njohja.

Sigurisht që më shumë kërkime duhen bërë, por ky studim rrit mundësinë e zbulimit të një mbivendosjeje mes patologjisë së sëmundjeve mendore dhe depresionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat