Fillon Java e Imunizimit

Shëndetësia

Fillon Java e Imunizimit

Më: 24 prill 2017 Në ora: 07:01
Pamje arkiv

Për ta shënuar Javën e Imunizimit do të mbahet një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Imet Rrahmanin, Zëvendës Shefin e Zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, përfaqësuesit e IKSHP-së dhe OBSH-së dhe punonjësit e shëndetësisë për t\'i nxjerrë në pah përfitimet nga imunizimi. 

Java Botërore e Imunizimit e cila është festuar gjatë javës së 24-30 prill, synon t’a promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur njerëzit e të gjitha moshave kundër sëmundjeve. 

Java përqendrohet në nevojën për ta rritur ndërgjegjësimin e hartuesve të politikave, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe kujdestarëve, si dhe popullatës më të gjerë, për rëndësinë e imunizimit në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese. Gjithashtu thekson rolin vendimtar që profesionistët shëndetësor e luajnë në krijimin e praktikave të mira të imunizimit. 

Gjatë kësaj jave, synohet të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë vendimtare të imunizimit të plotë gjatë gjithë jetës dhe rolin e saj në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në 2030.

Imunizimi është një nga nismat më të suksesshme të shëndetit publik dhe programet shëndetësore me kosto më efektive. Vaksinat kanë efekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. 

Çdo vit, imunizimi shmang rreth 2-3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse që i prekin fëmijët në mënyrë joproporcionale (të dhënat e Imunizimit Global 2012, të OBSH & UNICEF).

Në Kosovë, 79% e fëmijëve të moshës 24-35 muajsh janë të imunizuar plotësisht (ASK, MICS 2014). 

Megjithatë, mbulimi i imunizimit mbetet shumë më i ulët në mesin e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptiane, ku më pak se një e treta e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë 24-35 muajsh janë plotësisht të imunizuar (30%) (MICS 2014). 

Konsiderohet se një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit është si pasojë e mungesës së njohurive dhe ndërgjegjësimit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen. 

Zgjerimi i qasjes ndaj imunizimit është vendimtar për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Vaksinimi rutinor është ndërtim i një shtylle të kujdesit primar shëndetësor dhe mbulimit universal shëndetësor. Imunizimi siguron një pikë kontakti për kujdesin shëndetësor në fillim të jetës dhe i ofron çdo fëmije mundësinë për një jetë të shëndetshme që nga fillimi.

MeSH, UNICEF, IKSHP dhe OBSH do të vazhdojnë t’i mbështesin fuqishëm përpjekjet e vaksinimit me qëllim që ta parandalojnë ri-shfaqjen e sëmundjeve tepër ngjitëse, që shkaktojnë sëmundje, paaftësi dhe vdekje dhe e vendosin një barrë të konsiderueshme mbi sistemet e kujdesit shëndetësor. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat