ISHKP: Gripi po shënon rënie

Shëndetësia

ISHKP: Gripi po shënon rënie

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 18:05
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situates epidemiologjike në raportin e sotëm ka konstatuar intensitet konstant të rasteve të gripit sezonal.

Nga 1 tetori deri më 20 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 44.705 raste të dyshimta në grip, 4177 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 84 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

Gjatë javës së shtatë të këtij viti janë raportuar 6199 raste të dyshimta në grip, 245 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 10 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripit, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit të gripit, 218 persona kanë rezultuar pozitive në Influencë. Sipas tipit, 92 raste janë pozitive në Influencën A dhe 126 në Influencën B.

26 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 66 raste tjera janë A të pa subtipizuara.

126 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, 48 prej tyre janë subtipi Yamagata (“Gripi Japonez”).

Epidemia e gripit sezonal ka shënuar rënie në intensitet

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar kanë rezultuar të suksesshme dhe mbeten akoma në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

MASHT tashmë ka dhënë rekomandimet për të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkëqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut. Këto rekomandime janë treguar tejet efikase në ndërprerjen e përhapjes së gripit në shkolla.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidmos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familiar për të parandaluar komplikimet.

Inspektorati shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë po mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për raportimin e sëmundjeve ngjitëse dhe raportimi është i kënaqshëm.

SHSKUK ka ndërmarrë masa në redukimin e numrit të vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar, ka siguruar mjete mbrojtëse për profesionistët shëndetësore dhe ka dezinfektuar të gjitha hapësirat e institucioneve shëndetësore.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Evropë dhe botë.

Në Shqipëri gripi po vazhdon intensitet të lehtë dhe janë identifikuar disa raste të gripit Aussie (A/H3N2). Situatë e njejtë epidemiologjike është shënuar edhe në shtetet fqinje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rritur vigjilencën dhe nuk ka vend për panik në popullatë sepse të gjitha rastet e rënda trajtohen me kujdes në SHSKUK. Instituti Kombëtar dhe Institucionet shëndetësore janë të përgaditur për t’u përballur me raste të shtuara të gripit si sëmundje e paparashikueshme dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike qytetarët do të informohen me kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat