Studim: Kafeja mund t’iu ndihmojë të jetoni më gjatë

Shëndetësia

Studim: Kafeja mund t’iu ndihmojë të jetoni më gjatë

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 15:59
Ilustrim

Një studim i ri sjellë lajme të mira për ata që e duan kafenë.

Konsumimi i kafesë lidhet me një rrezik më të ulët të vdekjes së hershme – pavarësisht se sa kafe i pini gjatë ditës dhe nëse kanë ose jo kafeinë.

Kështu të paktën thotë ky studim i publikuar në revistën JAMA Internal Medicine.

“Ne kemi studiuar lidhshmërinë e konsumimit të kafesë me vdekshmërinë duke përfshirë edhe pjesëmarrësit që raportuan se pinë të paktën një filxhan kafe në ditë deri tek ata që konsumojnë tetë ose më shumë filxhanë kafe në ditë. Studimi përfshiu edhe ata që e pëlqejnë ta konsumojnë kafenë e filtruar apo atë pa kafeinë”, ka thënë udhëheqësja e këtij studimi dhe hulumtuesja e Institutit Kombëtar të Kancerit, Dr. Erikka Loftfield për revistën TIME.

Studiuesit përdorën të dhënat nga një studim i Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, përmes të cilit një grup i madh i të rriturve të Mbretërisë së Bashkuar u përgjigjën në pyetësorët shëndetësorë, iu nënshtruan ekzaminimeve fizike dhe ofruan mostra biologjike.

Për studimin e fundit, studiuesit analizuan informacionin e ofruar nga rreth 500,000 njerëz, të cilët iu përgjigjën pyetjeve rreth konsumimit të kafesë, pirjes së duhanit, zakoneve të pijes, historisë shëndetësore dhe të tjera, transmeton Klan Kosova.

Gjatë periudhës pasuese 10 vjeçare të studimit, rreth 14.200 prej këtyre njerëzve vdiqën.

Studiuesit gjetën përfitime të jetëgjatësisë që lidhen me pothuajse çdo nivel dhe lloj të konsumimit të kafesë.

Në përgjithësi, në krahasim me ata që nuk konsumojnë fare kafe, ata që pinin një filxhan kafe në ditë kishin një rrezik prej 8% më të ulët të vdekjes së parakohshme – një normë që rritet me rritjen e konsumit të kafesë duke arritur kulmin në 16% për ata që pinin gjashtë deri në shtatë kafe në ditë dhe 14% për ata që konsumojnë tetë ose më shumë kafe çdo ditë.

Shpejtësia me të cilën metabolizmi përpunon kafeinën nuk duket të ndikojë në jetëgjatësi pavarësisht që kishte hulumtime paraprake që sugjeruan se konsumimi i kafesë mund të lidhet me rritjen e rrezikut për presion të lartë të gjakut dhe sulmit në zemër mes njerëzve, metabolizimi i të cilëve tret më ngadalë kafeinën.

Por këto studime analizuan konsumimin e kafesë vetëm pas shfaqjes së sëmundjes dhe nuk analizuan rezikun e përgjithshëm të vdekshmërisë, siç bëri ky studim, tha Loftfield.

Përdorimi i studimit të Biobank gjithashtu i lejoi hulumtuesit të shqyrtonin një sasi të madhe të të dhënave gjenetike, duke përfshirë atë që lidhej me përpunimin e kafeinës nga metabolizmi, gjë që lejoi analiza më të detajuara.

Studimi i Loftfield i bashkohet një grupi të madh të studimeve që flasin për përfitimet shëndetësore që ndërlidhen me konsumimin e kafesë.

Pavarësisht që disa studime në të kalurën kanë ndërlidhur kafenë dhe pijet e tjera të nxehta me kancerin, Organizata Botërore e Shëndetësisë muajin e kaluar ka ardhë në përfundim se ka prova të papërshtatshme për të bërë një ndërlidhje të tillë.

“Studimi ynë siguron prova të mëtejshme se konsumimi i kafesë mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme”, ka thënë Loftfield.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat