Turqi, shkencëtari i NASA-s mbahet i burgosur prej 8 muajsh

Shkencë & Teknologji

Turqi, shkencëtari i NASA-s mbahet i burgosur prej 8 muajsh

Më: 23 mars 2017 Në ora: 15:41
Serkan Golge

Një prej shkencëtarëve të NASA-s, Serkan Golge, prej tetë muajsh mbahet në burg nga autoritetet turke. Mijëra persona u arrestuan menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit të vitit të kaluar dhe Seran është vetëm një nga viktimat e abuzimeve të autoriteteve të turke.

Rasti i Serkan është një dëshmi e qartë e abuzimeve të autoriteteve turke, të cilat nuk kanë kursyer dhe shkencëtarët, dhe akuza e vetme ndaj tij është gjetja e një kartmonedhe 1 dollarëshe. Së afërmi ai do të përballet në gjykatë me akuza të rënda, për përfshirje në një “organizatë terroriste” dhe rrezikon të dënohet me 15 vite burg. Rastit të tij i ka kushtuar një vemendje të veçantë media vendase dhe ajo e huaj dhe nga hetimet e kryera rezulton se akuzohet padrejtësisht, sikundër ka ndodhur me shumë të tjerë pas tentativës së grushtit të shtetit.

Rreth tetë ditë pas tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar, Serkan bashkë me gruan e tij dhe dy djemtë kishte planifikuar për t’u larguar nga Antakja në Turqinë lindore dhe do të udhëtonin drejt Teksasit të SHBA-ve. Ata ndodheshin në Turqi me pushime dhe do të ktheheshin sërish për në SHBA, ndërsa dy policë i ndryshuan tërësisht rrjedhën e jetës së tij dhe të familjes.

Policia tha se ishin të informuar se Serkan është një bashkëpunëtor i CIA-s dhe anëtar i një grupi, të cilën autoritetet turke e akuzojnë si organizator të tentativës së grushtit të shtetit.

“Nuk gjej fjalë për të përshkruar atë moment”, thotë Kubra, bashkëshortja e Serkanit. “Është një moment që mund të ndodhë vetëm në filma”.

Serkan është 37 vjeç, dhe prej vitesh punon për NASA-n për efektet e rrezatimit në hapësirë të akuipazhit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Serkan udhëtoi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amrikës në vitin 2003 dhe fitoi nënshtetësinë amerikane në vitin 2010.

“Është një njeri, i cili nuk do të mund të vriste as një mizë”, thotë Kubra. “Jam dashuruar me të për shkak të dhembshurisë së tij”, vijoi më tej ajo.

Policia nuk gjeti asnjë provë, por pas arresimit të Serkan, oficerët u rikthyen sërish në shtëpinë e prindërve të tij dhe kontrolluan dhomën e vëllait të tij. Ata morën një kuti, ku gjendeshin disa kujtime të tij, mes të cilave dhe një kartmonedhë 1 dollarëshe, “prova” e vetme për të cilën ai akuzohet.

Sipas prokurorëve turq, kleriku që jeton në SHBA, Fethullah Gylen, dyshohet si organizatori i tentativës së grushtit të shtetit dhe sipas tyre ai u ka shpërndarë pasuesve të tij besnikë kartmonedha 1 dollarëshe. Çdo kartmonedhë 1 dollarëshe, dhe në botë ka rreth 12 miliardë të tilla, dhe sipas autoriteteve turke kjo është një provë e mjaftueshme për mbështetjen ndaj klerikut mysliman.

“Me vetëm 1 dollar amerikan, kjo organizatë i ka shndërruar bijtë e këtij vendi në monstra”, do të shprehej kryeministri Binali Jëlldërëm, një prej besnikëve të Presidentit Rexhep Tajjip Erdogan.

Erdogani dhe kleriku mysliman Fethullah Gylen dikur ishin aleatë të ngushtë. Gjërat morën një kthesë në vitin 2013, pas kundërshtive për disa çështje. Pas tentativës së grushtit të shtetit, ku sipas autoriteteve turke kanë humbur jetën rreth 249 persona, dhe qëllimi nuk ishte vetëm burgosja e komplotistëve, por çrrënjosja e rrjetit të Gylenit nga shoqëria. Çdo gjë, që nga librat akademik në bibliotekën e një profesori, deri tek llogaritë legale në një nga bankat e Gylenit, konsiderohen prova të të qënurit pjesë e këtij rrjeti. Ndërkohë, fushata nuk ka kursyer as të majtët, aktivistët kurdë, gazetarët opozitare dhe akademikët. Deri më tani, rreth 100 mijë punonjës të administratës janë pushuar nga puna pa një vendim gjykate dhe deri në fund të vitit 2016, rreth 41 mijë persona janë arrestuar dhe akuzohen si të përfshirë në tentativën e grushtit të shtetit.

Në rastin e Serkanit, ai akuzohet si bashkëpunëtor i shërbimeve amerikane dhe një kartmonedhë 1 dollarëshe është e vetmja provë e autoriteteve. Ndërkohë, ai gjithashtu akuzohet si pjesëtar i kësaj lëvizjeje, vetëm sepse ai ka ndjekur leksione në kurset përgatitore për në universitet, ashtu si dhjetëra mijëra qytetarëve turq gjatë dekadave të fundit dhe është diplomuar në Universitetin Fatih në Stamboll, një institucion i lidhur me Gylen (Shteti turk në fakt i dha Serkan një bursë për të studiuar atje).

Por Serkan mbahet në burg prej tetë muajsh, ndërsa 6 muajt e fundit i ka kaluar në izolim, pa ndonjë arsye të caktuar.

Familjarët e tij thonë se ai mund të shohë diellin vetëm një orë në ditë. Mënyra e vetme që ai të komunikojë me të burgosurit e tjerë është komunikimi me zë të lartë. Sipas familjarëve, Serkan i kalon ditët e tij duke u lutur.

Pas martesës me Serkan në vitin 2006, bashkëshortja e tij Kubra, udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara, ku ka mbaruar studimet mastër në letërsinë angleze.

“Kishim një jetë të lumtur në një lagje turko-amerikane, në një shtëpi të vogël me oborr dhe nenexhik nga një market turk në lagje”, thotë ajo ndërsa kujton kohën e kaluar në Teksas. Tani ajo është e detyruar të kujdeset e vetme për familjen e saj, për pagesën e faturave të shtëpisë së tyre në Hjuston dhe për djalin e tyre, Mustafanë, i cili mezi pret të kthehet në shkollën e tij fillore dhe të takojë mësuesen e tij kujdestare.

Që pas arrestimit të Serkan, ata jetojnë në afërsi të burgut ku mbahet Serkan, që të mund ta vizitojnë të paktën një herë në javë, për vetëm 45 minuta nga një dritare e vogël. Autoritetet nuk lejojnë Kubran dhe bashkëshortet e të gjithë të arrestuarve që të largohen nga vendi.

Në çdo takim me familjarët e tij, Serkan qan, dhe nuk pranon të takojë djalin e tij 6-vjeçar dhe thjesht interesohet për shëndetin dhe ecurinë e djalit të tij. Ai akuzohet për terrorisën dhe ka shumë më pak të drejta së të burgosurit e tjerë.

“Mund të konfirmojmë se autoritetet turke kanë arrestuar dhe ndaluar Serkan Golge korrikun e kaluar. Ne mbetemi të shqetësuar për z. Golge dhe këtë çështje e kemi diskutuar me autoritetet turke”, tha një zyrtar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

“Ndonëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë ligjore që të kontaktojnë me qytetarët me dyshtetësi të arrestuar në Turqi, ne vazhdojmë të kërkojmë që të kontaktojmë me ta. Nuk mund të bëjmë asnjë koment tjetër për këtë çështje”.

NASA nuk ka komentuar arrestimin e tij, por shumë studiues dhe shkencëtarë kanë kritikuar ashpër arrestimin e Serkan dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Kur e pyetëm për të ardhmen e Turqisë, Kubra mori frymë thellë dhe shtoi: “E dua vendin tim dhe besoj se e mira do fitojë në fund”.

Megjithatë, çështja është se kur do të marrë fund e gjithë kjo. Seanca e parë e gjykimit të Serkan është me 17 prill, rreth 9 muaj pas arrestimit të tij dhe një ditë pas referendumit për ndryshimin e kushtetutës turke, e cila mund t’i japë Erdoganit më shumë pushtet.

Ndërkohë, Mustafai i vogël vazhdon të përshtatet me realitetin e ri. Kubra kujton se si një vit më parë ai ka luajtur Legos dhe ka vizatuar një ndërtesë në formën e një burgu. Më pas, ai ka pyetur Kubranë pse njerëzit mbahen në burg.

“Për të burgosur njerëzit e këqinj”, u përgjigj ajo, duke përpjekur për të thjeshtuar një pyetje të tillë kaq komplekse.

Dhe tani ai pyet shpesh pse babai i tij, ndodhet pas hekurave, pavarësisht se nuk është një person i keq. Dhe Kubra, nëna e tij, nuk di si t’i përgjigjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat