Kompanitë teknologjike turke në Silicon Valley

Shkencë & Teknologji

Kompanitë teknologjike turke në Silicon Valley

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 23:24
Silicon Valley

Për sipërmarrësit në fushën e teknologjisë në Turqi, situata e paqëndrueshme pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit të kaluar e ka bërë më të vështirë që komanitë e reja të sigurojnë investime nga jashtë. Disa sipërmarrës turq udhëtuan kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara për konferencën Etohum San Francisco, një aktivitet që lidh komunitetin turk me Silicon Valleyn, qendrën e teknologjisë dhe novacionit në Shtetet e Bashkuara.

Për sipërmarrësit e fushës së teknologjisë në Turqi, puna është vështirësuar që nga grushti i dështuar i shtetit korrikun e kaluar:

“Jemi sipërmarrës dhe po përpiqemi të përmirësojmë bizneset dhe të krijojmë biznese të reja. Por në Turqi, grushti i shtetit i vitit të kaluar solli disa ditë të këqija për vendin tonë. Po përpiqemi ta kapërcejmë këtë situatë dhe të fokusohemi tek e ardhmja”, thotë një sipërmarrës turk, Mustafa Acet.

Mustafa Acet po krijon një aplikacion për celularë në Stamboll dhe ndodhet në konferencën Etohum San Francisco për të mësuar më shumë për ekosistemin e fushës së teknologjisë në Shtetet e Bashkuara:

“Vitin e kaluar kishte shumë më pak investime nga jashtë në Turqi. Paraja nuk pëlqen vendet dhe ekonomitë e paqëndrueshme...prandaj ata nuk kanë guxim të hyjnë në tregun turk tani,” shton zoti Acet.

Pas përpjekjes së grushtit të shtetit, qeveria turke ka marrë masa kundër kundërshtarëve të dyshuar të presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Shumë kanë humbur vendet e punës dhe mijëra prej tyre janë burgosur.

Elif Ceylan është koordinatorja e programit të Shteteve të Bashkuara për kompaninë ITU Gate. Ajo sjell biznese të suksesshme turke në Shtetet e Bashkuara.

“Kompanitë që ne sjellim zakonisht kanë nga rreth 5 deri në 10 milionë dollarë të ardhura vjetore në Turqi. Këtu, ata vijnë si kompani turke. Por ne duam që ata të hapin një kompani të bazuar në Silicon Valley. Kjo është shumë e rëndësishme për sa i përket besueshmërisë së kompanisë, kur ata bisedojnë me investitorë të mundshëm ose me klientë” - thotë ajo.

Zonja Ceylan thotë se ajo u frymëzua nga marshimi prej 400 kilometrash i protestuesve nga kryeqyteti turk, Ankara, për në Stamboll.

“Kjo i bëri njerëzit të entuziazmohen përsëri, të mendojnë se diçka mund të ndryshojë dhe diçka mund të ndodhë. Janë kohë të vështira, por mendoj se gjërat do të përmirësohen”.

Ndërsa vendi kujton një vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit, këta sipërmarrës thonë se ndryshimi në Turqi do të arrihet përmes talentit dhe punës.

“Kam besim tek Turqia dhe vendi do të jetë një ekonomi e madhe, veçanërisht për shkak të sipërmarrësve. Do të rritet ditë pas dite. Do të jetë një vend i fuqishëm. Unë besoj. Shpresoj” thotë Mustafa Acet./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat