Pas uraganëve, satelitët ndihmojnë kompanitë e sigurimeve

Shkencë & Teknologji

Pas uraganëve, satelitët ndihmojnë kompanitë e sigurimeve

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 06:26
ilustrim

Uraganët që sollën erëra dhe përmbytje shkatërrimtare në zonën e Hjustonit dhe të Floridas, kanë sjellë edhe kërkesa dëmshpërblimi prej miliarda dollarësh tek kompanitë e sigurimeve. Disa prej këtyre kompanive po përdorin fotot nga ajri për të mbledhur të dhënat që u duhen. Për t’i ndihmuar, firma “Airbus” po ofron falas shfrytëzimin e depozitës më të madhe në botë me imazhe satelitore.

Shtëpitë, bizneset, dhe infrastruktura u goditën pa mëshirë nga erërat e fuqishme dhe ujërat e përmbytjeve. Riparimi i dëmeve do të kushtojë shtrenjtë.

Verifikimi i dëmeve është detyrë e inspektorëve dhe e punonjësve të kompanive të sigurimeve. Por, ky proces kërkon shumë kohë.

Firma “Airbus Aerial” thotë se mund t’i përshpejtojë gjërat nëpërmjet krahasimit të imazheve satelitore të marra përpara përpara stuhisë, dhe fotove të marra pas stuhisë nga avionë, dronë dhe satelitë. Drejtuesit e kompanisë thonë se kjo do të ndihmojë kompanitë e sigurimeve, si dhe vetë biznesin e tyre.

Fotografitë tregojnë lagjet e bukura që pas stuhisë janë dëmtuar rëndë.

“Nëse shtëpia nuk ndodhet më aty, kompania e sigurimeve nuk ka nevojë më të dërgojë njerëz atje, por mund të fillojë procesin e dëmshpërblimit. Pra, ndoshta edhe përpara se vetë njerëzit të dinë përmasat e dëmit të shtëpisë, atyre mund t’u jetë dërguar me postë një çek kompensimi”, thotë Jesse Kallman, president i firmës “Airbus Aerial”.

Njëra prej kompanive të sigurimeve ka filluar të përdorë avionë për të fotografuar zonat e goditura më rëndë.

“Duhet menduar për materialet bazë, zhavorrin apo drurin. Sapo rritet kërkesa në treg, çmimi i tyre rritet. Kështu që sa më shpejt t’u japësh fondet firmave të riparimit, aq më të ulëta do të jenë kostot”, thotë Kristina Tomasetti, e firmës së sigurimeve “USAA Insurance”.

Ndërtuesit thonë se po rriten me shpejtësi çmimet e materialeve. Po kështu, rindërtimi do të jetë i vështirë sepse edhe përpara uraganëve, firmat amerikane të ndërtimit gjenin me vështirësi punëtorë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat