Misteri i “rrathëve të zanave” në shkretëtirën e Namibisë

Shkencë & Teknologji

Misteri i “rrathëve të zanave” në shkretëtirën e Namibisë

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 10:09
Namibia

Njerëzit kanë kërkuar prej kohësh që të shpjegojnë pse ndodhin ngjarje të caktuara planetare, pavarësisht nëse ato janë gjeologjike, qiellore, mjedisore ose të lidhura me motin. Por në mungesë të shkencës, njerëzit shpesh janë kthyer tek përrallat.

Disa kultura të lashta besonin se shuarja e përkohshme e diellit gjatë një eklipsi të përgjithshëm ishte rezultat i ndonjë të keqeje që po përpiqej ta gëlltiste tokën. Tërmetet, vullkanet dhe cunamet janë konsideruar si zemërim i perëndive.

Gjatë viteve kemi gjetur shpjegime shkencore për shumë prej këtyre fenomeneve, por shkencëtarët nuk gjejnë gjithmonë dakordësi, siç është rasti me “rrathët e zanave” të Namibisë. Rrathët janë në të vërtetë arna të zhveshura të tokës, të rrethuara nga vegjetacioni. Ato shfaqen me mijëra në shkretëtirën e Namibisë.

Rrathët e zanave kanë sfiduar në masë të madhe shpjegimin e arsyeshëm. Sipas legjendës vendëse, ato janë gjurmët e këmbëve të lëna nga zotat ose arna të djegies, të shkaktuara nga fryma e zjarrtë e një dragoi. Shkencëtarët kanë dalë me teori që përfshijnë rrathë që formohen nga strucët që rrokullisen në pluhur, apo edhe kontaminimi me lëndë radioaktive.

Bimë apo termite?

Megjithatë, ekzistojnë dy shpjegime kryesore për formimin e rrathëve – që të dyja kanë ndjekës pasionantë. Një hipotezë sugjeron se forma rrethore shkaktohet nga termite nëntokësore të rërës që kanë eleminuar bimësinë në zonat rreth folesë së tyre. Shpjegimi tjetër thotë se bimët që konkurrojnë për ujë mund të shpjegojnë format.

Të dy kampet i mbrojnë ashpër hipotezat e tyre respektive, por në fillim të këtij viti një ekip shkencëtarësh botuan gjetjet e tyre në revistën “Nature”, duke sugjeruar se të dyja hipotezat kishin të drejtë. Shfaqja e rrathëve “nuk mund të shpjegohet me asnjërin mekanizëm më vete”. Modelet kompjuterike të ekipit gjetën se modeli mund të shpjegohej më mirë si një ndërveprim midis termiteve dhe bimëve.

Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur me këtë sugjerim. Dr. Stephan Getzin nga Qendra Helmholtz për Kërkimet e Mjedisit në Gjermani, tha në atë kohë se kërkimi nuk adresonte praninë e këtyre rrathëve në zonat pa termite.

Duket se misteri nuk është zgjidhur tërësisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat