Emër mysliman apo katolik për rrugët? Sherr në këshillin bashkiak të Shkodrës

Shkodra

Emër mysliman apo katolik për rrugët? Sherr në këshillin bashkiak të Shkodrës

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 09:36
Kuvendi i Shkodrës

Këshilli bashkiak i Shkodrës është kthyer në një arenë debatesh jo vetëm politike. Anëtari i këshillit bashkiak (PMDL), Mustaf Lici ka kundërshtuar vendimin për të bërë ndryshimin, nga 5 rajone që ka Shkodra, në 5 lagje sipas reformës territoriale.

Duke marrë shkak nga ky ndryshim, që Lici e quan një asimilim të Shkodrës së vjetër, hedh akuza se në lagje myslimanësh janë vendosur emra katolikësh që nuk i njeh askush por thjesht ishin miqtë apo shokët e komisionit që mori vendim në 2006-ën, që më pas u miratua edhe në këshillin bashkiak të asaj kohe.

“Këto lagjet që keni vendosur për t’u vënë numrat 1, 2, 3, 4, 5, ne nuk jemi ndonjë popullatë aq e madhe sa në Kinë. Shkodra ka një kulturë dhe lagjet kanë emrat e vet, ‘Skenderbeg’, ‘Sarreq’, ‘Kiras’, ‘Rus’.

Cila është arsyeja që i asimiloni me numra? Në një rrugë në ‘Kiras’ që është pronë e imja dhe që e kemi lënë për të kaluar komshinjtë, Rudolf Rasha ka vendosur një emër që ka dashur vetë. Keni vendosur në ‘Udha Kryq’ (lagje myslimanësh), aty ku ju kanë thyer tabelat qytetarët, dhe e dini shumë mirë. Ky qytet është i ndjeshëm dhe mos e ço Gjonin atje, Zefin në ‘Kiras’. Gjonin çoje te Gjoni dhe Zefin te Zefi, se ky qytet është i ndjeshëm te komunitetet fetare.

I keni vendosur emrat si keni pasur dëshirë. Rrugët dhe lagjet kanë pasur identitet dhe ju e keni prishur identitetin. Do të kërkoj një rishqyrtim për këta emra dhe do t’i rrëzoj ato vendime që ju keni marrë. Jepini moralin gjithkujt. Çoni një emër katolik në ‘Kiras’ ku ai s’ka kaluar asnjëherë atje. Po ta kishte zënë gjyshi në atë kohë, do e kishte kapur për hajdut bagëtish. Çoje atje ku e meriton, por jo në ‘Kiras’”.

KRYEBASHKIAKJA

Një shpjegim bëri edhe kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi. “Duke iu rikthyer ligjit të adresave, dua të them se ligji nuk i njeh lagjet e vjetra dhe ligji parashikon emrin e rrugës dhe numrin e banesës. Duke iu referuar asaj që përcakton ligji, përbëhet nga element si emri i qarkut në të cilin ndodhet rrethi, që do të thotë që do të duhet të rifreskohet ky ligj, sepse ne nuk kemi më rreth, por që përfshin qytetin, fshatin, ku është ndërtesa, emrin e bashkisë, njësisë, emrin e bulevardit, rrugës, rrugicës, sheshit dhe numrin rendor të ndërtesës”.

REAGIMI PAS PUSHIMIT

Pas një pushimi 30-minutësh për shkak të acarimeve nga debatet, Lici tha se ka emra që kanë dhënë kontribut, të cilët nuk mund të kontestohen.

“Ka pasur persona të pakontestueshëm për emra rrugësh dhe jo miqtë e Rudolf Rashës apo ndonjë tjetri. Ka pasur emra të pakontestueshëm, si Sami Repishti, Arshi Pipa, At Zef Pllumi, Nënë Tereza, Hafiz Sabri Koçi, dhe kudo t’i çosh, këta nuk kontestohen, sepse kanë kontribut për Shkodrën. Ju vendosët emra shokësh, miqsh e dashamirësh dhe i çuat ku deshët ju. I kërkoj këshillit që, në një mbledhje të afërt të menaxhohet sistemi i emrave për rrugët dhe të vendosen emrat e figurave që kanëndhënë kontribut të lartë për këtë qytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat