Rama: Partia Demokratike në Shkodër duhet të marrë ndëshkim pasi e ka lënë qytetin në harresë

Shkodra

Rama: Partia Demokratike në Shkodër duhet të marrë ndëshkim pasi e ka lënë qytetin në harresë

Më: 17 maj 2017 Në ora: 13:52
Edi Rama

Në kohën kur opozita po përpiqet t’i hedhë “fajin” Ramës për dështimin e arritjes së një konsensusi për zgjidhjen e krizës politike, kryeministri kërkon ndëshkimin e tyre në Shkodër për keqqeverisje vendore.

Sipas Ramës partitë janë për të shërbyer, ndaj nëse një parti shërben mirë meriton të vlerësohet, nëse nuk shërben mire meriton të ndëshkohet.

Në Shkodër sipas tij Partia Demokratike duhet të marrë ndëshkimin e merituar për gjithë harresën më shumë se çerek shekullore të Shkodrës.

Reagimi i Ramës

Me votuesit për herë të parë dhe të rejat e të rinjtë e Shkodrës ku prej 27 vjetësh, ata që e marrin gratis besimin e shumicës së shkodranëve dhe shkodraneve nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar Shkodrën, po vetëm kanë mbajtur pushtetin mbi Shkodrën.

Ne kemi dashur të bëjmë shumë më tepër për Shkodrën. Nuk kemi bërë dot. Por dy simbolet e mëdha të Shkodrës, dinastinë e Marubëve dhe “Vllazninë” e Shkodrës i nderuam siç nuk i nderoi dot Partia Demokratike në 27 vjet.

Dhe tani po i vijmë rrotull Shkodrës që atë transformim të madh që ne po i bëjmë vijës bregdetare të Vlorës, Himarës dhe me radhë, t’ia bëjmë vijës së liqenit të Shkodrës. Do ta kthejmë liqenin e Shkodrës në një zonë ku të gjithë familjarët, vajza, djem, çifte këtu nga Shkodra apo vizitorë dhe turistë, ta shijojnë të gjithë mrekullinë e asaj zone që është lënë pas dore për çerek shekulli e më shumë nga ata që Shkodrës i marrin votën dhe Shkodra asnjëherë deri sot nuk ia dha si duhet notën. Po ashtu do të rindërtojmë edhe rrugën turistike të Thethit, më në fund, pas çerekshekulli braktisje të asaj zone të bekuar nga perëndia!

Partitë janë për të shërbyer. Nëse një parti shërben mirë meriton të vlerësohet, nëse nuk shërben mire meriton të ndëshkohet. Këtu në Shkodër, Partia Demokratike duhet të marrë ndëshkimin e merituar për gjithë harresën më shumë se çerek shekullore të Shkodrës.

Vota e 18 qershorit është një votë shumë më tepër sesa për Edi Ramën, sesa për Ditmir Bushatin, sesa për të gjithë skuadrën e deputetëve dhe deputeteve tona këtu në Shkodër; Është një votë për vetveten; Një votë që çdo votues, çdo vajzë, çdo djalë, çdo burrë, çdo grua, çdo gjysh, çdo gjyshe të vendosë në vend të drejtën e tij për mirëqenie; Një votë për drejtësinë e jo partinë që pengon drejtësinë.

Nëse ka sot, një zgjedhje të qartë për Shqipërinë që Duam, kjo quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! Nëse ka sot, një fuqi mbi këtë tokë që e garanton drejtësinë për çdo shqiptar, pa dallim, kjo quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! E vetmja zgjedhje për të vijuar me vendosmëri përpara #PërShqipërinëQëDuam

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat