Momentet e frikshme, si u mbytën dy fëmijët në liqenin e Shkodrës - Bota Sot
Momentet e frikshme, si u mbytën dy fëmijët në liqenin e Shkodrës

Shkodra

E hënë, 11 dhjetor 2017

Momentet e frikshme, si u mbytën dy fëmijët në liqenin e Shkodrës

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 08:34
Liqeni i Shkodrës

Kthehet në tragjedi shëtitja me varkë në liqenin e Shkodrës e shtatë të miturve.

Dy prej tyre u mbytën teksa u hodhën nga varka për të notuar e krejt papritur moti është prishur duke shkaktuar dallgë të mëdha. Të gjendur mes kësaj situate dhe shumë larg varkës që ua kishte marrë rrjedha, fëmijët janë përfshirë në panik. Vetëm pesë prej tyre ia dolën që të dalin në breg me not, ndërsa dy fëmijët e tjerë, Ervin Tahiri, 13 vjeç dhe Sebjan Tahiri, 15 vjeç, janë mbytur. 

Sipas Policisë së Shkodrës, ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e Vrakës. “Më datë 17.08.2017, rreth orës 16:00, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe se në Liqenin e Shkodrës, në vendin quajtur Grilë, territor i Malësisë së Madhe, janë mbytur në liqen dy fëmijë.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë në vendngjarje, ku ka rezultuar se ishin mbytur shtetasit E. T., 13 vjeç dhe S. T., 15 vjeç, banues në fshatin Gruemirë, kushërinj me njëri-tjetrin. Nga informacionet paraprake mësohet se 7 shtetas ishin futur në liqen ku kishin hipur në një varkë të vogël dhe kur kanë arritur në thellësi, janë hedhur në ujë për t’u larë. Varkën e ka marrë rrjedha e liqenit, ku pesë shtetas kanë mundur të dalin në breg të liqenit, ndërsa dy shtetasit e lartpërmendur janë mbytur. 

Shërbimet e Policisë, së bashku me disa banorë të fshatit, rreth orës 17:45 kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga liqeni. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Shkodrës.

Bazuar në dëshminë e dhënë nga të miturit që arritën të dalin në breg të liqenit, njëri prej tyre ia kishte marrë varkën fshehurazi të atit peshkatar dhe që ishte në pronësi të familjes. Bashkë me shokët (fëmijët janë të gjithë kushërinj, nga fisi Tahiri), ata kanë vendosur të dalin një xhiro në liqen, shkruan Panorama.

Pasi kanë përshkuar në thellësi, fëmijët kanë vendosur të hidhen në liqen për të notuar. Por kur kanë kaluar disa minuta duke notuar, fëmijët nuk e kanë vënë re përkeqësimin e menjëhershëm të motit.

Papritmas qielli është mbyllur dhe ka nisur një erë e shi në formë cikloni. Rrjedha ndërkaq e kishte marrë me vete varkën, aq sa ata nuk kanë arritur dot ta shquajnë praninë e saj. Të gjendur në këto kushte dhe në efekt paniku, fëmijët janë nisur të dalin në breg me not.

Askush nuk e ka vënë re mungesën e njëri-tjetrit deri në momentin kur të rraskapitur nga lufta me dallgët dhe motin me erë, pesë prej tyre kanë dalë në breg. Njëri prej të mbijetuarve ka konstatuar menjëherë mungesën e vëllait të tij. Më pas është vënë re edhe mungesa e kushëririt tjetër të tyre.

Menjëherë ata (më i madhi 17 vjeç) kanë dhënë alarmin te familjarët e tyre. Në vend pas sinjalizimit mbërriti edhe policia, e cila edhe me ndihmën e banorëve pas disa minutash kërkime arritën të gjenin trupat e pajetë të dy fëmijëve.

Të mbijetuarit e tragjedisë kanë dhënë shpjegime të pjesshme mbi atë çka kishte ndodhur, pasi ata kanë qenë të shokuar nga kjo ngjarje që për pak u mori jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test