Mblidhet në Gjimnazin "28 Nëntori", në Shkodër pas 50 viteve "Matura '67" - Bota Sot
Mblidhet në Gjimnazin "28 Nëntori", në Shkodër pas 50 viteve "Matura '67"

Shkodra

E hënë, 18 dhjetor 2017

Mblidhet në Gjimnazin "28 Nëntori", në Shkodër pas 50 viteve "Matura '67"

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 16:08
Matura '67

Gjimnazi "28 Nëntori" në qytetin e Shkodrës daton hapjen e tij në vitin e largët 1922. Pas një periudhe shumë të errët historike të një pushtimi të gjatë pesëshekullor, pas përpjekjeve të mëdha të rilindasve dhe të njerëzve të tjerë të shquar për hapjen aty-këtu në Shqipëri të shkollave të para shqipe, pikërisht pas shpalljes së pavarësisë u deshën pak kohë që arsimi shqiptar të bënte hapat e parë për krijimin e një shkolle shqipe më të avancuar e më të konsoliduar. Kështu pas shumë përpjekjeve erdhi viti 1922 kur hapet për herë të parë një shkollë e mirëfilltë thellësisht kombëtare që u emërtua Gjimnaz.

Kjo shkollë që, që atëherë ishte në nivelin e një shkolle të mesme të përgjithshme u hap në qytetin e Shkodrës, në atë qytet ku askund më shumë se atje nuk do të gjente të gjitha kërkesat për hapjen e një shkolle të tillë, duke u lidhur me traditën social-kulturore të qytetit, me etjen e brezit rinor për dije, por edhe me nivelin intelektual e profesional të stafit që do të ishte grupi i mësuesëve të këtij gjimnazi që nga krijimi e në vazhdim.

Gjimnazi i Shkodrës, me këtë emërtim zyrtar u bë shpejt një Gjimnaz Kombëtar, sepse në bankat e tij u ulën nxënës nga të gjitha krahinat dhe qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës.

Për një fillim të mbarë drejtimin e gjimnazit e mori pikërisht vetë ministri i  arsimit të asaj kohe z.Mirash Ivanaj, intelektual dhe patriot i shquar që ka lënë gjurmë në historinë e arsimit shqiptar, për të vazhduar më pas me një figurë tjetër të nderauar z.Xhevat Korça që në historikun e gjimnazit është edhe drejtori i parë i tij.

Kështu mori rrugë kjo shkollë që në gjithë historinë e saj ka qenë dhe është qendër e madhe e edukimit arsimor e qytetar të shumë e shumë brezave, por dhe një vatër e dijes, patriotizmit dhe shqiptarizmës.

Image

Sivjet janë mbushur 95 vjet që nga hapja e Gjimnazit të Shkodrës, sot Gjimnazi "28 Nëntori".

E bëmë një hapje pak të gjatë historike, sepse asnjë ngjarje që lidhet me këtë shkollë nuk mund të shpjegohet e nënkuptohet pa të.

Unë në këtë shkrim do të ndalem në një nga këto evente që lidhet me maturen 1967, pra me nxënësit që kanë mbaruar Gjimnazin e Shkodrës në këtë vit.

Ata janë gjallë dhe aktivë, pavarësisht se jeta e ka shkëputur ndonjë nga klasa e tyre e dikurshme. Ata janë gjallë dhe aktivë, sepse si shumë breza të tjerë maturantësh që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, në jetën e tyre kanë dhënë një kontribut të shquar në sfera dhe fronte të ndryshme të jetës sociale dhe ekonomike.

Unë isha atje mes tyre dhe profesorëve të tyre, i ftuar nga prof. Fadil Kraja "Mjeshtër i Madh", ish pedagog i këtij gjimnazi. I shihja të ulur në bankat e klasës, ashtu si dikur dhe më dukeshin përsëri të ri, siç i thonë fjalës gjimnazistë. Flokët e bardhë, rrudhat dhe ndryshimet e moshës i sfidonte dashuria dhe nostalgjia për atë kohë të artë rinore. Nga këta ish nxënës kanë dalë mjekë dhe pedagogë, inxhinierë dhe shkrimtarë, studiues e historianë, por dhe shumë mjeshtra e specialistë të kualifikuar që kanë bërë emër në profesionet e tyre, si brenda dhe jashtë Atdheut.

Ishte kënaqësi e madhe të shihje në katedren e klasës edhe dy profesorë të nderuar si prof. Fadil Kraja dhe prof. Manol Tasellari, të cilët me shumë emocion vështronin në bankat përballë nxënësit e tyre ashtu si dikur.

Pas apelit, të cilin e lexoi një nga ish nxënëset, ku të gjithë u përgjigjën "këtu" si dikur, u mbajt një minutë heshtje për ata bashkënxënës dhe pedagogë që nuk ishin në mes tyre.

Image

Të gjithë "nxënësit" u ulen në bankat e tyre dhe nën drejtimin e prof. Fadil Krajës u zhvillua një orë mësimi, një orë jo si gjthë të tjerat që këta nxënës kanë përjetuar në rininë e tyre, por një orë mësimi që do të mbetet në jetën e tyre më e bukura, më e paharruara dhe më origjinalja.

Edhe pse pak të vjetër në moshë, nxënësit ishin përsëri çapkënë e rinorë, sepse si i thonë në Shkodër nuk kishin harruar "dreqnitë".

Në këtë linjë ishte edhe profesori i tyre i madhi Fadil Kraja, që humorin e tij nuk e ka manifestuar vetëm në marrëdhëniet me nxënësi e tij, por e ka përjetuar edhe në komeditë dhe dramat e tij, të vëna në skenë me shumë sukses.

Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, sa mund të thuash se kjo klasë atë ditë në ambientet e Gjimnazit ishte klasa që bënte zhurmë më shumë. Asnjë ceremoni zyrtare, asnjë pompozitet, por një takim që këta maturantë të 50 viteve më parë do ta ruajnë në kujtesen e tyre si një ngjarje të paharruar.

E quaj për detyrë që në këtë shkrim t'i nominoj të gjithë këta djem e vajza maturantë që pas 50 viteve u mblodhën në klasën e tyre, pa iu përmendur aftësitë dhe meritat që kanë fituar në jetë, sepse të gjithë këta ishin pjesë e kësaj klase, e këtij Gjimnazi që i nxori nga bankat e veta të barabartë dhe të aftë për të çarë në rrugën e jetës sipas dëshirave dhe pasioneve të tyre.

Image

Nxënësit e maturës '67 që u ulën pas 50 viteve në bankat e tyre sipas apelit: Agrikol Gjermeni, Agim Nako mungesë, Agron Parruca, Ali Lezha, Alida Prendushi mungesë, Anton Leka, Eduard Fishta, Fatbardh Sokoli, Gjergj Morina, Hafete Kazazi, Irena Jaku, Irena Kiri, Jozef Tedescini, Jozefina Nikaj, Gjyzepina Kodheli, Lumnije Caka, Luigj Derragjati, nuk jeton, Pjerin Kaftalli, Pranvera Metushi, Madalena Deda, Mustaf Dergjini, Muhamet Trepçi, Mentor Kopliku mungesë, Myrvete Picoka mungesë, Shpresa Ahmetaga, Spartak Koxha, Syrri Dizdari, Tomazin Doda, Violeta Xhani mungesë, Xhavit Ujkani dhe Xhelal Zaganjori nuk jetojnë, Zyliha Skura.

Në fund të këtij aktiviteti të mrekullueshëm u shtrua një kokteil që kaloi në një atmosferë të gëzueshme, ku secili prej tyre kishte çfarë të sillte nga kujtimet e veta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test