KLSH zbulon skandalin me pajisjet e hemodializës në spitalin e Shkodrës

Shkodra

KLSH zbulon skandalin me pajisjet e hemodializës në spitalin e Shkodrës

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 20:52
Spitali i Shkodrës

Në korrik të 2016-ës në koncesionin e hemo-dializës u përfshi edhe spitali i Shkodrës, ndërkohë që ky spital e kishte një repart tërësisht funksional, me pajisje relativisht të reja dhe pacientë të regjistruar.

Gjithsesi me kalimin e shërbimit tek privati aparaturat u mbyllën dhe u braktisën. Mos raportimi i kësaj situate, ku pajisjet ishin fuksionale, i ka kushtuar kallëzimin penal nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ish drejtorit të Spitalit Rajonal Shkodër, Përparim Çela.

Nga verifikimi i KLSH-së u konstatua se ekranet e pajisjeve funksiononin normalisht. Në gjendje pune rezulton edhe impianti i ujit të dializës së vjetër. Përpara, ose në kohën që Ministria e Shëndetësisë vendosi të kryejë një investim për një repart Hemo-Dialize në Spitalin e Shkodrës, drejtori nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të vënë në dijeni autoritetet për ekzistencën e repartit të hemodializës, i cili funksiononte në këtë spital që në vitin 2005. Madje aparaturat janë mirëmbajtur rregullisht.

Sipas KLSH-së, këto pajisje mund të zhvendoseshin në një spital tjetër, si ai i Kukësit, ku ky shërbim nuk ofrohet as nga shteti dhe as nga koncesionari. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar dhe abuzime të tjera në spitalin e Shkodrës, që lidhen me punime civile, blerje dhe manaxhimin e barnave etj. Dëmi në total llogaritet mbi 20 milionë lekë dhe përveç kallëzimit penal ndaj ish drejtorit, KLSH kërkon 13 masa disiplinore dhe 10 masa për shpërblim dëmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat