Demolohet shkolla shqipe në lagjen e Hasanbegut në Shkup

Shkupi

Demolohet shkolla shqipe në lagjen e Hasanbegut në Shkup

Më: 15 gusht 2016 Në ora: 13:54
Shkolla “25 Maji"

Është demoluar shkolla “25 Maji” në lagjen Hasanbeg të Shkupit. Lajmin e ka bërë të ditur, këshilltari i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, i cili në profilin e tij zyrtar të rrjetit social “Facebook” ka nxjerrë disa fotografi me mbishkrimin “Njoftohet opinioni më i gjerë se krahas vërshimeve dhe përmbytjeve që ndodhën në Hasanbeg. Në shkollën fillore të Hasanbegut është kryer një akt vandal jonjerëzor, johuman, jocivilizues me çka është DEMOLUAR në tërësi inventari i kësaj shkolle. ZOTI I DËNOFTË ata të cilët e bënë këtë dëm”.

Zëdhënësja e Sektorit të Punëve të Brendshme, Liza Bendevska thotë se ende nuk dihet personi ose personat dhe motivet e rastit, ndërkaq gjatë ditës pritet që të konstatohen dëmet e shkaktuara dhe pastrimi i plotë i rastit.

“Në orën 06:40, në rrugën Alija Avdoviq, në shkollën e vjetër të “25 Majit”, gjatë natës person ose persona të panjohur, kanë hyrë nga dera e prapme e shkollës dhe tani plotësisht do të konstatohen dëmet dhe do të ndërmerren masat për pastrimin e plotë të rastit”, thotë zëdhënësja e SPB-së, Liza Bendevska.

Drejtori i shkollës “25 Maji”, Fadil Murtezani, shprehet se nuk e di se kush dhe për çfarë qëllime e ka bërë, megjithatë potencon se është shkatërruar i tërë inventari i shkollës.

“Demolimi ka ndodhur mbrëmë, ku disa huligan të Hasanbegut kanë hyrë në shkollë dhe e kanë prishur tërësisht inventarin e shkollës, por edhe fasadën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Pas një katastrofe natyrore tani edhe kjo ndodhi. I kemi njoftuar autoritetet dhe po punojnë për zbardhjen e rastit. Shpresojmë që sa më shpejtë t’i sanojmë të gjitha dëmet”, thotë Murtezani.

Më poshtë mund t’i shihni fotot e publikuara nga Safet Nezri:

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat