Borisov: Shkupi do të ketë pasoja për përdhosjen e përmendores bullgare

Shkupi

Borisov: Shkupi do të ketë pasoja për përdhosjen e përmendores bullgare

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 12:17
Bojko Borisov

Kryeministri maqedonas Emil Dimitriev dje në Vjenë e siguroi homologun e tij bullgar, Bojko Borisov se autoritetet maqedonase do të reagojnë ndaj përdhosjes së pllakës përkujtimore të ushtarëve bullgarë në Kajmakçallan, që e bëri gazetari Milenko Nedelkovski, shkruan portali bullgar "Novinite".

“Nuk dua të komentoj” – u tha Borisov gazetarëve pas takimit në Vjenë.

Megjithatë, Borisov paralajmëroi se “derisa ata i thejnë monumentet bullgare me çekan … do të kenë pasoja të padëshiruara”.

Portali pohon se Borisov aludon në autoritetet maqedonase kur përdor fjalën “ata”:

“Kur të kenë nevojë për ndihmë, nuk do të marrin. Nuk kemi pritur që dikush të na luste, por menjëherë dërguam ujë dhe ushqim (si përgjigje ndaj përmbytjeve në gusht në Shkup dhe Tetovë) dhe të gjithë qytetarët ishin të kënaqur. Të mërkurën, qeveria miratoi 300,000 leva (150.000 euro) ndihmë financiare për ta. A kjo është ajo që ne e meritojmë për marrëdhëniet tona vëllazërore? A do të kontribuojë kjo për miqësinë tonë? A e ndihmon kjo integrimin e Maqedonisë në BE? Nesër ne do të jemi ata që do të duhet të votojnë për hyrjen e tyre në BE”, tha Borisov.

Gazetari shovinist Nedelkovski, i njohur si përkrahësi më i madh i Nikolla Gruevskit dhe si urrejtës i madh i shqiptarëve, të enjten u ngjit në majën e malit Kajmakçallan dhe me çekan theu pllakën përkujtimore kushtuar ushtarëve bullgarë të rënë në Luftën I Botërore.

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dje i bëri thirrje Bullgarisë të respektojë procedurat ndërkombëtare për vendosjen e monumenteve.

"Presim nga miqtë tanë nga Republika e Bullgarisë që t'i respektojnë procedurat ndërkombëtare për vendosjen e shenjave përkujtimore. Njëkohësisht, presim që të gjitha institucionet t'i dekurajojnë të gjithë ata që jolegalisht vendosin përmendore në territorin e shtetit tjetër, e që mund të jenë cak i akteve të dhunës ose të shkaktojnë ndjenja negative te qytetarët", thuhet në reagimin e MPJ-së maqedonase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat