Kanalizimi në Hasanbeg të Shkupit shkakton vërshime të reja

Shkupi

Kanalizimi në Hasanbeg të Shkupit shkakton vërshime të reja

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 16:59
Ilustrim

Rikthehen vërshimet në Hasanbeg. Kësaj radhe rreshjet të cilat zgjatën shumë shkurt, nxorën në pah edhe një nga shkaqet që duhet të ketë shkaktuar vërshimet e fundit që morën jetën e 22 banorëve.

Pas disa minutave reshje të shiut, kanalizimet në këtë lagje ishin shndërruar në shadërvane, ndërsa uji kishte vërshuar arat dhe oborret e shtëpive. Dëmet e sotme ishin më të vogla, por tek banorët frika më e madhe ishte për të ardhmen. Ata druajnë nga ndonjë shi më i rrëmbyeshëm si dhe nga rreziku për t’u paraqitur edhe ndonjë epidemi nga ujërat fekal që dalin.

Gjatë qëndrimit të ekipit të televizionit Shenja në lagjen Hasanbeg arritën edhe ekipe të ujësjellësit të cilët me pompa tërhoqën ujin nga njëra pusetë pas çka uji filloi të tërhiqet edhe nga pusetat e tjera, që dëshmoi pretendimet e banorëve se burimi i përmbytjeve është pikërisht rrjeti i kanalizimit atmosferik dhe atij fekal. Banorët thonë se ndërhyrja e sotme me pompa nuk është zgjidhje, por kërkojnë përmirësim të rrjetit të kanalizimit.

Një problem tjetër me të cilin tani e disa vite ballafaqohen banorët e kësaj lagje mbetet uji për pije. Banorët thonë se për vite ujin për pije e blejnë pasi nga ujësjelli uji nuk është i pijshëm.

Banorët e Hasanbegut ende po vuajnë pasojat nga përmbytjet e para dy muajve. Kamera jonëregjistroi këto pamje në afërsi të kanalit të Hasanbegut ku shihet se si mbeturinat dhe dheu që kishte bllokuar kanalin është nxjerë dhe është hedhur në rrugën që shpie drejt fushave të kësaj lagje duke e bërë tanimë të pakalueshme këtë rrugë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat