Shkup, fëmijët që ngelën pa çerdhe do të vendosen në objektin e shkollës së mesme

Shkupi

Shkup, fëmijët që ngelën pa çerdhe do të vendosen në objektin e shkollës së mesme

Më: 4 mars 2017 Në ora: 17:39
Ilustrim

Fëmijët e çerdhes së djegur të Shuto Orizares “8 Prilli” do të zhvendosen përkohësisht në shkollën e mesme të kësaj komune, derisa të ndërtohet objekt tërësisht i ri për Çerdhen. Kështu deklaroi drejtoresha Songjul Shaban Ahmet, sipas së cilës, kjo alternativë vlen edhe për fëmijët tjerë nga rruga që janë strehuar në këtë çerdhe.

“Për momentin ka vendim me të cilin ato fëmijë do të strehohen në shkollën e mesme në Shuto Orizarë, pjesa përdhesë e së cilës lirohet në tërësi, për çka presim që së paku dhjetë ditë të adaptohet hapësira për moshën e fëmijëve tanë, për shkak se na duhen kushte më të ndryshme, tavolina, karrige dhe toaletë të ndryshëm”, tha Songjul Shaban Ahmet, drejtoresh e çerdhes “8 Prilli”.

Drejtoresha Shaban Ahmet, thotë se janë informuar prindërit e fëmijëve me të cilët kanë arritur bashkëpunim të mirë, ndërsa një pjesë e prindërve kanë gjetur edhe alternativa të tjera, për shkak të obligimeve të domosdoshme që i kanë pasur.

Ndërsa ministri i punës dhe politikës sociale Ibrahim Ibrahimi, deklaron se në bashkëpunim me kryetarin e qytetit të Shkupit dhe atë të komunës së Shuto Orizares, kanë gjetur zgjidhje për së paku një vit, për shkak se gjenden në periudhë kur nuk mund të bëjnë ndryshime vjetore të planeve për furnizim publik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat