Rajoni i Shkupit më i pasuri, Pollogu më i varfëri

Shkupi

Rajoni i Shkupit më i pasuri, Pollogu më i varfëri

Më: 1 prill 2017 Në ora: 11:07
Pollogu

Rajoni i Shkupit është më i pasuri në Maqedoni, ndërsa ai i Pollogut është më i varfëri. Të dhënat statistikore tregojnë se dallimi në zhvillimin ekonomik midis rajoneve nuk është përmirësuar në periudhën e kaluar. Sipas Entit të Statistikës në vitin 2005, prodhimi më i madh për kokë banori, me 231.053 denarë, ka qenë në rajonin e Shkupit, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto (PBB) më i dobët, me 67.796 denarë për kokë banori, ka qenë në rajonin e Pollogut. Tetë vite më vonë apo në vitin 2013, sërish kryeson rajoni i Shkupit me 348.915 denarë të PBB-së për kokë banori, ndërsa Pollogu ka mbetur në vendin e fundit me 118.672 denarë të PBB-së për kokë banori.

Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë se edhe pas tetë vitesh, në rajonin e Shkupit krijohet tre herë më shumë vlerë e të gjithë produkteve dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në ekonominë e një shteti në raport me rajonin e Pollogut. Njohësit politikave të zhvillimit të barabartë rajonal, kërkojnë që të rritet shuma për zhvillim të barabartë rajonal për tre herë, nga 90 milionë euro si një për qind e PBB-së, në 270 milionë euro apo 3 për qind të PBB-së, me qëllim të zbutjes së dispariteteve të mëdha në zhvillimin e tetë rajoneve në Maqedoni.

Hulumtimet për efektet e politikave të zhvillimit të barabartë rajonal, tregojnë se edhe më tej rajoni i Shkupit ku jeton një e treta e popullatës krijon 42 për qind të PBB-së në shtet, ndërsa vetëm dy rajone kanë PBB për kokë banori më të të madh se mesatarja në shtet.

“Rekomandimet tona janë të krijohet Fond për zhvillim rajonal, që nënkupton të mos pritet rebalanci i buxhetit të shikohet se a do të shkurtojë qeveria pikërisht këto mjete, por që Fondi për zhvillim rajonal që do të ketë mjete jo prej një por prej 2-3 për qind të PBB-së, do të shpërndajë mjetet sipas metodologjisë së përcaktuar. Gjegjësisht 17-20 për qind për rajonin më të pazhvilluar, 15 për qind për të dytin, 14 për qind për të tretin e kështu me radhë”, thotë për koha, Sllagjan Penev, nga Aleanca për zhvillim rajonal.

Transferimet dhe donacionet zënë pjesë të madhe në buxhetin e përgjithshëm të komunave ashtu që hise më të madhe kanë dotacionet nga buxheti qendror, gjë që i bën të varura nga pushteti qendror, tregon hulumtimi i Qendrës për Zhvillim të Demokracisë Lokale, “Financat lokale në Republikën e Maqedonisë në vitin 2013 dhe 2014”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat