Lëvizja Besa: Me pëlqimin e këshilltarëve shqiptarë në qytetin e Shkupit po dëmtohen shqiptarët e komunës Butel

Shkupi

Lëvizja Besa: Me pëlqimin e këshilltarëve shqiptarë në qytetin e Shkupit po dëmtohen shqiptarët e komunës Butel

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 16:01
Ilustrim

Jemi dëshmitar që në kohën e fundit në shumë vendbanime shqiptare në mënyrë arbitrare, pa pëlqimin e banorëve që jetojnë aty u uzurpohet edhe ajo pak hapësirë e gjelbërt, që u ka mbetur para komplekseve banesore, kanë reaguar nga Lëvizja BESA, Butel.

Ata thonë se po uzurpohen dhe shkatërrohen edhe pronat private, që fëmijët por edhe të gjithë të tjerët i shfrytëzonin për lojë dhe rekreim.

“Rast i tillë është dhe ndërtimi i bulevarit “Hristijan Todorovski” Karposh (prej nyjes C 31 deri në nyjen C 59) që ndodhet në komunën e Butelit, ndërmjet udhëkryqit me bulevarin “Bosna dhe Hercegovina” deri në unazën e Veriut. Këtu në mënyrë direkte dëmtohet së pari prona private e familjeve që jetojnë aty, të cilëve pa pëlqimin e tyre u aneksohet një pjesë e tokës tyre dhe së dyti hapsira para kompleksit banesor që ndodhet aty, të cilën banorët e shfrytëzonin për lojë dhe rekreim”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA, Butel.

Andaj, Lëvizja BESA – Butel kërkon që urgjentisht të ndërpriten punimet dhe të ulet të bisedohet me banorët që të gjindet zgjidhje në dobi të këtyre banorëve.

“Lëvizja Besa gjithashtu ju bën thirrje përfaqësuesve shqiptarë në qytetin e Shkupit, pa pëlqimin e të cilëve nuk ka mundur të kalon as ky projekt që të shohin të paktën njëherë përtej interesave personale dhe të merren me brengat dhe problemet e banorëve të komunës së Butelit. Lëvizja Besa do të jetë gjithmonë zëri i tyre dhe në përkrahje të popullatës, por jo vetëm i atyre, por gjithkund ku do të paraqitet nevoja”, thuhet mes tjerash në reagimin e BESËS.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat