Organizohet shëtitja “Përpara rozë “- kundër kancerit në gji në Shkup

Shkupi

Organizohet shëtitja “Përpara rozë “- kundër kancerit në gji në Shkup

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 17:15
Organizohet shëtitja “Përpara rozë “

Për nder të të gjitha grave të cilat kanë kancer në gji, të atyre që janë shëruar, por edhe të atyre që e kanë humbur betejën, sot, me moton “Përpara rozë-bëni hapa kundër kancerit në gji” u mbajt shëtitje në sheshin “Maqedonia”.

Shëtitja është në organizim të Shoqatës për luftë kundër kancerit “Borka – për çdo ditë të re” me çka filloi fushata tremujore kundër kësaj sëmundje.

Me këtë shëtitje, siç thonë nga “Borka”, dëshirojnë t’u japin mbështetje personave të prekur nga kanceri në gji dhe familjeve të tyre dhe t’i inkurajojnë se nuk janë vetëm dhe t’u japin ndihmë të gjithë atyre të cilëve u nevojitet.

Partner i këtij aktiviteti është ambasada e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë, ndërsa në të të pranishëm ishin edhe ambasadori amerikan Xhes Bejli dhe bashkëshortja e tij Kejpi, siç theksuan në shenjë mbështetje për luftë kundër kësaj sëmundje.

Aktivitetit senzibilizues i është bashkuar edhe kandidati i BDI-së për kryetar të komunës së Çairit, Visar Ganiu i shoqëruar nga familja e tij si dhe kandidati i Aleancës për Shqiptarët për komunën e Gostivarit, Arben Taravari.

Në Maqedoni vitin e kaluar janë zbuluar 1.200 raste të reja të të prekurve nga kanceri në gji, ose mesatarisht katër gra në ditë. Në 15 vitet e fundit, mortaliteti prej sëmundjeve kancerogjene në Maqedoni është rritur për nëntë për qind dhe Maqedonia është një prej vendeve të rralla në Evropë, ku vdekshmëria nga kanceri është në rritje. Sipas numrit të rasteve të vdekjes, Maqedonia është në pozitën e tretë në Evropë.

Nga “Borka” informojnë se kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e Qeverisë dhe kanë marrë përgjigje pozitive dhe mbështetje për zbatimin e Strategjisë nacionale për kontrollin e kancerit e cila do të fillojë në vitin 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat