Universiteti "Nënë Tereza" - Shkup këtë muaj feston përvjetorin e parë

Shkupi

Universiteti "Nënë Tereza" - Shkup këtë muaj feston përvjetorin e parë

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 21:15
Universiteti "Nënë Tereza"

Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup këtë muaj feston përvjetorin e tij të parë. Si institucion i ri akademik, janë traditat ato të cilat do të ndërtohen në të ardhmen.

Pjesë e kësaj tradite do të jetë avancimi i frymës akademike në shtetin e Maqedonisë. Si rrjedhojë e kësaj ideje, u vendos që të themelohen fillet e një tradite si "Ditët e UNT-së".

"Këto ditë përuruese do të shërbejnë për tu dhënë hapësirë ideve të reja, shkencëtarëve të rinj dhe zhvillimeve të reja brenda Universitetit tonë dhe më gjerë. Këtë vit, aktivitetet e 'Ditët e UNT-së' do të jenë nga më të ndryshmet, duke përfshirë dy konferenca ndërkombëtare, dy promovime librash, një galeri pikturash, një turne futbolli, si dhe një akademi solemne", thuhet në kumtesë.

Evenimenti i parë i “Ditët e UNT-së” do të jetë konferenca ndërkombëtare "Migrimi në Maqedoni: historia, demografia, dhe marrëdhëniet ndëretnike".

Kjo konferencë ka për qëllim hapjen e kahjeve të reja për hulumtime shkencore të ndryshimeve të rëndësishme që migrimet kanë shkaktuar mbi shoqërinë tonë që nga koha e socializmit deri në kohërat kontemporane.

Në suaza të kësaj konference që do të mbahet sot dhe nesër, do të mbahet dhe promovimi i librit të Dr. Edvin Pezos nga Universiteti i Regensburgut në Gjermani me titull "Migrimet e detyrueshme në kohë të paqes?: Politikat migruese Jugosllave dhe emigrimi i myslimanëve drejt Turqisë (1918-1966)".

"Për të angazhuar studentët tanë në anën aktive të të qënurit student, do të organizojmë turnenë e futbollit me datë 21 tetor 2017. "Ditët e UNT-së" vazhdojnë me promovimin e librit të Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi me titull 'Nënë Tereza në filatelinë botërore' që do të mbahet më 26 tetor të vitit 2017. Në po të njëjtën ditë do të hapet për herë të parë Galeria e Përhershme 'Omer Kaleshi' që përbëhet nga piktura të dhuruara nga ana e piktorit akademik me renome botërore", thuhet në vazhdimin e kumtesës.

Akademia Solemne, e organizuar me 27 tetor të këtij viti, vazhdon shpirtin artistik të Universitetit me një koncert nga trio e Prishtinës dhe orkestra e të rinjve të Tetovës nën dirigjimin e Agona Çupit.

Konferenca përmbyllëse ndërkombëtare e “Ditët e UNT-së” është “Drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor: qasjet, mangësitë dhe sfidat".

Kjo konferencë u organizua në drejtim të avancimit të ideve për mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në rajon në vijë të definimit adekuat të komisarit Brundland që thekson se "Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillim që adreson nevojat e të tashmes pa kompromentuar aftësinë e gjeneratat e ardhshme që të mund të adresojnë nevojat e tyre".

Temat që do të shtjellohen janë të organizuara në katër fusha me rëndësi: ekonomia, ekologjia dhe planifikimi hapësinor, edukimi dhe shkenca, dhe teknologjitë për informim dhe komunikim.

Shpresojmë që “Ditët e UNT-së” të shndërrohet në një traditë të mirëpritur dhe të dobishme për Universitetin dhe shoqërinë tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat